Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të shtunë me tre ndeshjet e para për raundin e 18-të. Te tri pikët doli Dinamo, që mposhti Tiranën në derbi dhe merr kreun e renditjes. Tri pikë për Vllazninë në shtëpi, ndërsa në kryeqytet Partizani dhe AF Elbasani barazuan 2-2.
Në "Elbasan Arena" Dinamo fitoi 2-1 kundër KF Tiranës në derbin e kryeqytetit. Blutë e Ilir Dajës për momentin marrin kreun e renditjes dhe presin nesër ndeshjen e Egnatias. Mes shiut që shoqëroi ndeshjen, Dinamo shënoi dy gola të shpejtë me Qefalijan dhe Nanin në minutat 29-të dhe 30-të. Në fund Tirana shkurtoi me Ndrecën, gol që vleu sa për statistika. Nëse Dinamo me 31 pikë mban kreun, Tirana me vetëm 18 pikë ndodhet në pozitën e shtatë dhe ka pesë ndeshje pa fitore.
Në "Arenën e Demave" Partizani dhe AF Elbasani barazuan 2-2. Mba kaloi të kuqtë në epërsi pas 14 minutash, para se miqtë e Gvozdenovic të përmbysnin me Blaise dhe Musta në pjesën e parë. Janjeva te Partizani barazoi sfidën në pjesën e dytë. Partizani mban pozitën e tretë, teksa elbasanasit vendin e pestë. Te miqtë trajneri i ri Ivan Gvozdenovic merr pikën e parë pas firmës me verdheblutë.
Në "Loro Boriçi" Vllaznia fitoi 2-1 kundër Laçit. Sfida e Shkodrës nisi 11 minuta me vonesë për shkak të problemeve me energjinë elektrike në stadium. Të rinjtë Dodaj dhe Delaj shënuan për vendasit, teksa Bullari nderoi Laçin me golin që shkurtoi shifrat. Vllaznia merr fitoren e dytë radhazi dhe ndan kreun me Dinamon, ndërsa Laçi ka tre ndeshje pa fitore.
Raundi i 18-të i Superligës mbyllet të diel me dy sfida. Në Korçë luhet Skënderbeu - Bylis dhe në Durrës ekipi i Teutës pret Egnatian.
Superliga, raundi 18-të:
E shtunë, 14 dhjetor 2024
16:30 Vllaznia 2-1 Laçi
19:00 Dinamo 2-1 Tirana
19:00 Partizani 2-2 AF Elbasani
E diel, 15 dhjetor 2024 - 16:30
Skënderbeu - Bylis
Teuta - Egnatia
Renditja: