Pogradeci mori një trepikësh jetik në luftën për mbijetese, duke fituar 2-1 me Vllazninë, në ndeshen hapëse të javës së 20-të të Kategorisë Superiore, por me shkodranët që protestuan ashpër për golin e anuluar të Bekim Erkoçeviçit nga ana e anësorit Vargu, gol që do ta çonte rezultatin në 2-2.

Ndeshja nisi me disa përpjekje në drejtim të portës së Vllaznisë, së mbrojtur nga malazezi Miroslav Vujadinoviç, Jorgo Çipi realizoi me penallti në minutën e 22-të, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazhin e Pogradecit. Minuta e 56-të ofron golin e dytë të liqenorëve të Ylli Çekiçit, por të dhuruar nga një autogol i Amarildo Belishës, që devijon drejt portës së tij një gjuajtje të shqiptarit nga Maqedonia, Mensur Idrizi.

Vllaznia gjen golin me anë të Arsen Hajdarit në minutën e 65-të pas një aksioni të bukur të 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Për Hajdarin ky ishte goli i tij i dytë rresht (pas atij ndaj Flamurtarit) dhe i katërti sezonal.

Në të 81’, zëvendësuesi Bekim Erkoceviç, realizoi për Vllazninë, por anësori Vargu e anuloi atë duke e konsideruar në pozicion jashtë loje, çka solli edhe reagimin e fuqishëm të stafit shkodran, që e konsideronte golin të rregullt ndërsa ndeshja u mbyll 2-1.(rb. a-sport/shqiptarja.com)