VORË, Tiranë - Vora fitoi 0-1 kundër Partizanit në raundin e 19-të të Superligës. Mesditën e të enjtes në stadiumin e Vorës ndeshja prodhoi emocione, penallti të humbur, gol në fundin e përballjes dhe karton të kuq. Kjo ishte ndeshja e parë e Vorës në stadiumin e saj në Superligë, pasi impianti iu nënshtrua një rikonstruksioni të ambineteve të tribunës qëndrore dhe dhomave të zhveshjes.

Në fushën e lojës ndeshja nisi me raste dhe ritëm, teksa fundi i pjesës së parë ishte dramatik për të kuqtë. Kryesori Albert Doda akordoi një 11 metërsh për Partizanin, por Rrok Toma gaboi duke e stampuar sferën në shtyllën e djathtë pingule të mbrojtur nga portieri Romeo Harizaj.

Edhe pjesa e dytë ishte me raste të shumta dhe një lojë që ia vlente ta shihje. Paçka pretendimeve dhe rasteve, duhej minuta e fundit e sfidës që ndeshja të zhbllokohej. Dario Daka përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me të djathtën mposhti Pano Qirkon për të nisur festën e tifozëve të shumtë që ishin në stadium.

Anësori ndali gjithçka për pozicion jashtë loje duke "ngrirë" tifozët, por pas konsultimit me VAR gjithçka u quajt e rregullt dhe Daka ia doli të shënonte golin e dytë këtë sezon.

Pjesa e mbetur e ndeshjes ishte nervoze, me trajnerin e Vorës, Arjan Bellaj, që u përplas me Gudjufin e Partizanit dhe për këtë Bellaj pa para syve kartonin e kuq.

Rikthim me tri pikë për Vorën në stadiumin e saj, teksa ky ishte dueli debutues në Superligë para tifozëve të vet. Nga ana tjetër kjo është humbja e tretë radhazi për Partizanin. Për shkak se Vora ndeshjet e dy fazave të para i ka luajtur jashtë fushe dhe ka gjetur marrëveshje mes klubeve rivale, tanimë një pjesë të mirë të ndeshjeve vorakët do i luajnë në shtëpi.

Me 22 pikë Vora mbetet në pozitën e shtatë, një pikë pas Partizanit. Superliga mbyll sot raundin e 19-të me ndeshjen e orës 17:00 në "Niko Dovana" mes Teutës dhe Dinamos.

Superliga, raundi i 19-të:

E mërkurë, 14 janar 2026

Bylis 0-1 KF Tirana

AF Elbasani 1-1 Flamurtari

Vllaznia 1-0 Egnatia

E enjte, 15 janar 2026

13:30 Partizani 0-1 Vora

17:00 Teuta - Dinamo

Renditja: