Futbolli shqiptar po përgatitet për të disatin sezon rradhazi të humbasë skuadra me histori, që bien nga kategoria. Këtë herë fatin e zi do ta kenë Dinamo dhe Skënderbeu, dy klube që në shekullin e ri kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Më herët e kanë pësuar Tirana dhe Partizanin pa harruar edhe Vllazninë me Flamurtarin.
Mirëpo pas shumë diskutimesh dhe kritikash, Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve në federatë, ka lëvizur gurët dhe ka kërkuar një propozim nga të gjithë klubet lidhur me sistemin e garës. Më konkretisht implementimin e fazës ‘play-off’ dhe play-out’ apo edhe zgjerimin e skuadrave pjesmarrëse.
Mirëpo deri më tani klubet kanë heshtur, duke lënë menjëanë këtë mundësi që rrallherë mund ta kenë pasur. Ligjërisht ndryshimet, nëse ndodhin, hyjnë në fuqi në sezonin 2023-2024, por këtë herë gjasat janë që të mbyllet një sy në favor të Dinamos dhe Skënderbeun.
Nëse propozohet zgjerimi i Superligës me 12 apo 14 skuadra atëherë si ‘nëndetësja’ ashtu edhe korçarët do qëndronin në elitë. E sigurtë është se tani për tani nuk ka asgjë të sigurtë sa i përket këtij aspekti për sezonin e ardhshëm.