Java e 18 e Seria A rezervon një supersfidë si Milan-Napoli, që do të luhet në orën 20:45 në San Siro. Përveç prestigjit ndeshja ka shumë rëndësi për tre pikët, pasi Interi është çmendur dhe 6 fitoret e fundit e kanë çuar në krye të Seria A.
Milan synon ta fitojë ndeshjen e javës për ta çuar në 1 pikë diferencën, por nga ana tjetër edhe Napoli ka pretendime për kampionatin dhe në rast fitoreje jo vetëm do barazohej me ‘djallin’, por edhe do të shpallte Interin matematikisht kampion dimri.
Në prag të sfidës trajner i Milanit Pioli thotë ‘se është një sfidë deçizive’, por shton se ‘Inter nuk është larg’. Ndërkohë kolegu i tij te Napoli Spalletti e cilëson një ‘ndeshje të madhe për objektivat e klubit’, ndërsa nuk pranon të ankohet për mungesat e shumta. Kundër Milanit Napoli nuk ka të disponueshëm sulmuesin Osimhen, Mario Ruin dhe Koulibaly, ndërsa në pikëpyetje janë Fabian Ruiz dhe Lorenzo Insigne.
As Milan nuk është i plotë duke parë mungesat e Kjaer, Calabrias dhe Leaos, ndërsa Hernandez është rikuperuar në momentet e fundit.