Suplementi "Rilindasi"/ Kujtim Mici
dhe historia shqiptare përmes këngës

Suplementi dhe historia shqiptare përmes këngës">
TIRANË - Në historinë  e njerëzimit, mënyrat për ta shoqëruar jetën  e popullit dhe ngjarjet që personazhe të caktuar i kanë dhënë vendit të tyre, janë pasqyruar në rrugë dhe forma të ndryshme. Në këtë mënyrë historisë së popullit, krahinës, apo një treve të caktuar, i janë shtuar shumë mundësitë për t’i dhënë kohës më shumë burime informacioni, pamje dhe ngjarje. Këto janë një realitet, i cili plotëson më së miri kronikat, personazhet, ndjeshmërinë, “pikturimin” me ngjyra të vërteta, për të cilat ajo ka pasur dhe ka gjithmonë nevojë.

Në historinë shqiptare, qoftë ajo kur ka qenë e njohur përmes burimeve historike dhe dokumentare, qoftë përmes rrëfimeve dhe kronikave të arkivave, në të shumtën e herës të shkruara nga të huajt, por dhe nga shqiptarët, një kontekst të rëndësishëm kanë plotësuar burimet artistike, rrëfimet, këngët, eposi dhe epika në përgjithësi. Në themel të këtyre burimeve, të cilat në të vërtetë janë rrëfime, janë individë të caktuar, të cilët në kohën e duhur ia kanë falur popullit autorësinë e krijimet të tyre, kontribute të cilat në një mënyrë të veçantë vijojnë të jenë dhe në kohë tona të pranishme.

Këto mendime të vijnë vetiu kur përpiqesh të ndërtosh një rrëfim epik për një një profil të kësaj përmase, autorin e këngës popullore të Jugut, veçmas të këngës labe, një personalitet të njohur të saj, ashtu si poetët e tjerë popullorë: Selim Hasani, Mato Hasani, Xhemil V. Duka, Xhebro Gjika, Lefter Çipa, Muhamet Tartari, Maliq Lila, Dule Havari, Hamdi Pulo, Feti Brahimi etj, që tregohen me gisht, Kujtim Mici, por për një qasje të çuditshme që të afron krijimtaria e tij, veçmas në librin “Shqipëri nuse bregdeti”, botuar në Tiranë në vitin 2012.

Përgjithësisht të gjithë krijimtarinë e Kujtim Micit e përshkon një lloj kujdesi i veçantë, për të krijuar  një komunikim sa më të gjerë me lexuesin e tij, përmes gjërave shkrimore, kështu që dhe libri “Shqipëri nuse bregdeti”, një titull që tingëllon mrekullishëm lidhur me simbolikën, gërshetimin e një fjalori popullor dhe perceptimi estetik, përmes kategorisë të së bukurës, për të cilin mendoj se përmbush një marrëdhënie të tij në kushte të veçanta dhe përvoje po të veçantë.

Libri me krijimtarinë poetike popullore i Kujtim Micit “Shqipëri nuse bregdeti” është disa pamjesh dhe një lloj plotësimi i autorit në rrethana më emocionale. Ai është botuar në kohën kur autori jetonte dhe banonte në Tiranë, por siç është dëshmuar dhe nga shumë krijues të tjerë të Labërisë, të cilët kanë shkruar dhe botuar libra në kushte të tilla, pengu i marrëdhënies me Labërinë dhe bregdetin është shndërruar në një motiv më shumë për të shkruar dhe për t’i kërkuar “ndjesë” vendlindje përmes kësaj lidhjeje të fortë.

E kemi parë këtë tek Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi, Nexhat Hakiu e të tjerë, të cilët kanë gjetur gjithmonë një vend dhe një motiv për t’i mbajtur fort këto lidhje. Duhet të jetë  e vërtetë se  më shumë poetë i ka bërë ky mjedis, kjo trevë, këto tradita dhe zakone këto personazhe të njohur? Ndoshta po.
 
Njerëzit e Labërisë, kanë qenë një shkëmb i fortë në të cilin u përplasën që në kohët  hershme dallgët e ashpërsuara të deteve dhe stuhitë e pushtuesve të huaj, kështu që komunikimi mes njëri- tjetrit si një nevojë për të bërë fuqi ka qenë e rëndësishme. Në këtë aspekt, Labëria si një trevë e njohur, jo vetëm për një kulturë të veçantë specifike etnokulturore, por edhe të drejtën zakonore, lidhjen me historinë e kanë pasur të rëndësishme. Labët janë të lidhur ngushtë me luftëtarët e tyre. Kjo marrëdhënie dhe traditë e njohur është reflektuar në të gjithë krijimtarinë poetike të librit “Shqipëri nuse bregdeti”.

Së pari, në libër shquhet raporti me historinë, thënë ndryshe- historia përmes këngës dhe poezisë, përmes të cilës poeti Kujtim Mici shquan shpirtin luftarak të labëve, lidhjen e fortë me vendin e tyre, trashëgiminë e njohur të këtyre motiveve brez pas brezi, që përveç etnopsikologjisë së kësaj treve, këto motive, të cilët ezaurohen pikërisht mbi emra të njohur luftëtarësh, konfirmojnë, gjithashtu, situatën historike jo vetëm të trevës, por dhe të vendit, në mbijetesën përmes luftës dhe njerëzve luftëtarë.

Lidhur me këtë temë, poeti popullor Kujtim Mici shquan jo vetëm vazhdimësinë e motiveve, por gjen një gërshetim dhe ndër breza. Poezitë mbi personazhe të njohur të Tërbaçit Labërisë, Bregdetit, të gjallë dhe të vdekur. Krijime të kësaj natyre janë të konsiderueshme si” “Këmgë për Niro Tërbaçin”, ”Arif Haskos”, “Bule - Persefoni”, “Pa folur, të flet shikimi”, “Baki Mali - djalë mejdani”, “Hato Gjika, Hato vita”, krijime në të cilët flitet poetikisht për personazhe historike dhe të njohur, por një vend të rëndësishëm në këtë grup poezish dhe këngësh zënë ngjarjet, mjediset, atmosfera dhe rrethanat social- historike në të cilat lindën dhe u edukuan njerëz të tillë.

Në poezi të tilla, autori përdor mjeshtërisht rrëfimin lirik, të gërshetuar me figurën e një stili të ngritur, gati patetik, duke sjellë dhe tiparet dhe karakteristikën e trevës. Luftën e bëjnë njerëzit trima dhe kushtrimtarë. Kjo e mbush me temperament këtë pjesë dhe shtresë të botës së tij poetike, të përjetimeve të thella të shpirtit atdhetar të Labërisë.

Së dyti, ka një lidhje të fortë dhe motivuese me trevën e lavdishme të burrave dhe grave të njohura trime me Labërinë, dhe ajo trajtohet në libër po përmes këngës dhe poezisë. Gati në të gjithë botën tematikedhe motivore të poezisë  së tij popullore, është synuar të sillet një marrëdhënie e qartë e autorit me trevën e tij, pavarësisht ku ai ka jetuar dhe shkruar. Kjo marrëdhënie është e njohur tek të gjithë penëtarët e Labërisë.

Natyrisht, dhe kjo temë në libër shpaloset përmes raporteve dhe është thuajse një kredo e rëndësishme, një lloj ekuilibri prej burri, prindi, mësuesi, luftëtari, në kohë lufte dhe në kohë paqeje, në dhimbje dhe në gëzim për poetin Kujtim Mici. Përmes një diapazoni “kohështrirës” historik të sintetizuar në dyvargëshin  e parë të poezisë “Tërbaçi i pasur sa deti,/ Ç’rriti gjiri, tundi djepi...”, evidenton mjaft mirë historinë luftarake të këtij vendi në gjashtë heronj e gjashtëdhjetë martirët e lidhjeve të forta të çdo labi me të kaluarën dhe me njerëzit dhe cilësitë motivuese të shpalosura në rrjedhat e jetës. Karakteri i një tërbaçioti shquhet dhe në luftë dhe në paqe. Poezia “Tërbaçi” lirisë, që përmbyllet mrekullisht po në dyvargëshin emblematik “Çobanë e bujq të mirë,/ Kënga në buzë u ka mbirë.

Këtë klimë dhe mjedis tërbaçiot e has gati në të gjithë shtrirjen e motiveve të poezisë së Kujtim Micit.
Së treti, autori gjëmon me vargjet e tij poetike me një patetikë të motivuar, sikur ka vjelë nga qindra  e mijëra gojë kushtrimin kolektiv, pasi polifonia labe ka një motivim dhe një marrëdhënie të mrekullueshme me “kushtrimin kolektiv”, kryesisht me figurat historike dhe ngjarjet historike të kësaj treve dhe më gjerë.

Është një tipar i dëshmuar në të gjithë kulturën shpirtërore, jo vetëm të vendlindjes së poetit, por në të gjithë krahinë  e njohur të Labërisë ndjenjë e theksuar kolektiviteti. Për arsye të njohura historike kjo është absolutisht e argumentuar. Labëria ka një mbijetesë historike të njohur që nga kohët  e hershme dhe në vazhdim.

Në këngën e njohur të lashtë dhe historike, e cila me të drejtë është konsideruar pronë e njerëzimit nën kujdesin e Unesco-s, polifonia labe, duket se është mishëruar kjo ndjenjë e qartë kolektiviteti, e cila e përthyer në embrionin e krijimit të saj ka të bëjë me një nevojë të rëndësishme kolektiviteti, për të shoqëruar pastaj gjithë zhvillimin historik të Labërisë dhe të Tërbaçit të poetit Kujtim Mici. Poezia “Ç’ka hequr ky Kombi ynë” daton vitin 1993 dhe është shkruar nga poeti në vendlindje.

Është një afër poemth, jo për sasinë e strofave, por për diapazonin  e gjerë të motiveve mbi të cilat ngrihet poezia. Këngëtimi nis me vizatimin  mundimeve, që ngjajnë me malet, në rrudhat e gjyshes, e cila është simboli më i goditur i motivit të malit dhe mundimit, përmes brezave të rrudhave dhe flokëve të bardha. Kontrasti i thellë mes të mirës dhe të keqes, në dialogun mbesë gjyshe, zbulohet në një strofë të bukur “Jeta juaj vogëlueshe,/ Është këngë e valle,/ Jeta jonë ishte farmak,/ Gjak e zi e vaje”. Më pas rrëfimi i gjyshes shtrihet në kohët historike të vendit të saj, të Shqipërisë, që nga babai “babai im vdiq nga mundimet”, pastaj tek vëllai asqer, vdekur larg vendit, por babagjyshi vdiq si trimat për atdhe dhe liri.

Është një gërshetim qenësor dhe i rëndësishëm, i cili “glorifikon” një motiv ripërtritës të jetës: “Do hedhim vallen e jetës/ Bashkë me rininë...”Përmes një përgjithësimi të natyrshëm poetik, kombi dhe atdheu është brenda këtij raporti të dhimbshëm dhe të vështirë me jetën, historinë dhe mbijetesën të kësaj gjysheje, një dëshmi e vërtetë e mbijetesës tonë. Vargjet  e kësaj natyre janë të konsiderueshme në libër, pasi autori ishte i prirë nga këto motive siç janë poezitë “Do rroni sa rrojnë shqipet”, “Shqipëri nuse bregdeti” dhe në shumë kontekste të tjera që iu kushtohen njerëzve të veçantë, luftëtarë apo të rënë për liri të Tërbaçit dhe Labërisë së poetit Kujtim Mici.

Së katërti, në libër rrjedh një jetë njerëzore, herë baritore, herë hënore, herë valore, herë me diell dhe me vapë, nëpër të cilat rend trilli njerëzor, dashuria, ankthi, emocioni, kurthi i ëmbël i moshës, jeta në të gjithë gjerësinë e saj. Jeta ripërtrihet bukur në Tërbaç e në Labëri. Mrekullisht ku mali dhe fusha, shkëmbi dhe lëndinat, çobani dhe bujku, luftëtari dhe këngëtari, liriku dhe historiku, polifonia dhe poezia, vuajtja dhe gëzimi, janë pleksur kaq natyrshëm dhe në poezinë popullore të poetit.

Poezia lirike dhe motivet dashurore në krijimet  e Kujtim Micit kanë natyrën dhe aromën e lirikës popullore, shpirtin e ndjeshëm të lirikës së njohur të këngës labe. Ndjeshmëria, kodi lirik, repertori i natyrës, mali dhe fusha, por mbi të gjitha, vajza labe, e shquar për çapkëne, organizojnë një pjesë të mirë të poezisë dhe këngës së autorit. Lirika labe është tipike dhe origjinale, ajo shquhet për prerjet e forta, në të cilat shquhet karakteri i labit, por që përcillet nga një ndjesi  e butë dhe e ëmbël, kur e prek atë, me ç’rast shquhet një tipar i rëndësishëm, pasioni për jetën.

Është mjaft e bukur poezia “Syri te shtegu më ngriu”, pasi ajo përcjell një trill dhe një idil brilant të raportit mes një femre dhe një mashkulli, përmes të cilit zbulohet butësia e mashkullit lab, para vajzës që ai do dhe dashuron. Mjafton strofa “Djali që ka lindur nëna,/ Është trim, barut me rrëmba,/ Po se ç’kam që më djeg brenda,/ Ka rrezik të çahet zëmra...” Një kontrast i thellë mes karakterit dhe ndjesisë mendoj se përcjell një realitet sa erotik, lirik, estetik dhe qenësor.

Përmes një lirizmi të ngrohtë përcillet një cikël i veçantë i poezive të autorit siç janë “T’u qepa po s’të arrita”, “Buza jote plaga ime”, “Plakës time mos ja thoni” dhe ndonjë tjetër, të cilat shquhen për një ndërtim të thjeshtë, por të mbushur me një lloj befasie të këndshme, të cilën e ka e gjithë lirika labe.
Përmbledhja poetike popullore “Shqipëri nuse bregdeti” duket se ka sjellë një pjesë të mirë të Tërbaçit të Vlorës, të Mesaplikut, të maleve të Vetëtimës, të gjithë kulturës tradicionale dhe asaj bashkëkohore të Labërisë.

Libri “Shqipëri nuse bregdeti”, lexohet lehtësisht falë natyrës së të shkruarit të poetit Kujtim Mici, falë kujdesit dhe këmbënguljes së tij për të thurur mundimshëm vargjet e tij brilante, falë aftësisë së perceptimit të jetës dhe njohjes që autori kishte për çdo gjë që e frymëzonte dhe e motivonte. Në këtë kuptim, është e rëndësishme leximi tekstor i krijimeve të tij, por edhe perceptimi duke i dëgjuar të kënduara herë – herë nga grupettë Labërisë, ku ato kanë shtegtuar dhe ende bëjnë jetë të gjallë folklorike.

    Kënga “Vlora në përvjetorët  flamurit” qerthullon një emocion patetik jo vetëm për një tërbaçiot, vlonjate, por për çdo shqiptar. Vlora është një krye-simbol i rëndësishëm historik dhe poetik, për të cilin do të flasin të gjithë librat e historisë, do të shkrujanë të gjithë poetët në të gjithë kohët dhe kudo të gjenden ata. Poezia nis me një varg, në të cilin kemi dy sintagma të rëndësishme “Vlorë e flamurit” dhe “flamurit me derte”, ku në të dy sintagmat është e pranishme fjala flamur, njërën herë në një rol të caktuar gramatikor dhe herën tjetër në një rol tjetër gramatikorë. Natyrisht këto dy role, në letërsi dhe qëndrimin artistik janë të ndryshme dhe plotësojnë të njëjtin simbol.

Flamuri është simboli më i rëndësishëm në letërsinë shqiptare, për të krijuar një marrëdhënie të veçantë dhe me dijet  e tjera, filologjike, historike, politike, sociale, diplomatike, ligjore dhe të tjera marrëdhënie. Më pas, kontekstin simbolik dhe historik, autori e vendos këtë marrëdhënie analitike të Vlorës, flamurit dhe dertet nëvijimësinë historike të qytetit të njohur, përmes vargut” Bazë e luftërave”, se me të drejtë flamuri shqiptar është ngritur po përmes luftërave, për të ardhur në dy vargjet e tjera, në të cilët shpaloset adhurimi i poetit “Bukuroshja bregdetare,/ Nuse e valëve.

Në këtë dyvargsh bien në sy dy simbole të tjera “bukuroshja” dhe “nuse”, përmes të cilave nënkuptohet vazhdimësia e jetës. Dasma dhe fëmijët janë elementët  e njohur të lirikës shqiptare, përmes të cilave nënkuptohet vazhdimësia  e jetës. Përdorimi i simboleve, që gjerësisht kumtojnë kuptime kolektive, lehtësisht të njohura, i shkojnë shumë për shtat një poezie të tillë, jo vetëm për motivet, por dhe valorizimet kuptimore. Është një poezi që në leximin e parë është e thjeshtë, ndërsa leximi stilistikor, përmes nënteksteve dhe tufave stilemore është i nevojshëm të interpretohet drejt.

Strofa e dytë, përveç vijimit të krye-simbolit, kërkon të mbushë mjedisin me atë që quhet gjaku në histori, pra përmes një prerjeje gjerësore, ku thuhet :”Moj Vlorë,/ Flamurtare,/ I pret miqtë kur të vijnë,/ Ballëkrenare,/ Për çdo vit në përvjetorët,/ E flamurit,/ Bashk’ me bijt’ e Boletinit,/ Bajram Currit”. Qëllimi i autorit, ku gërshetohen cilësitë dhe zakonet  e Vlorës dhe vonjatëve, përmbush dhe gjeografinë kombëtare në të gjithë hapësirën etnike, duke e parë në një marrëdhënie reciproke të Boletinëve për Vlorën dhe Vlorës për Boletinët.

Strofa tjetër është konfirmuese e asaj që është thënë në strofën e parë dhe në strofën e dytë. “Vjen e gjithë Shqipëria,/ Nder i madh për ne,/ mblidhet në Vlorë trimëria,/ Ajk’ e burrave.” Kjo është një e vërtetë historike, për të cilën nuk do të ketë dyshim kurrë, por e rëndësishme në këtë rast është marrëdhënia që poeti krijon binjakërisht mes Vlorës dhe Ajkës së Burrave, sepse akti i shenjtë i ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Vlorë ishte vepër e njerëzve të mençur, të ditur dhe trima, por poeti i quan cilësisht “Ajka e Burrave”.

Në këtë baladë trimërie dhe përkujtimi, autori kërkon të ndërtojë një paralele të mirorganizuar, duke i quajtur dasmorë të gjithë ata që vijnë në Vlorë ditën e flamurit, ku nuk mund të mungojë asnjëherë Ismail Qemali, Plaku i Mënçur i Flamurit dhe i Pavarësisë, i cili do të mbetet gjithmonë i tillë. Dhënia e një natyre dasme në kohën e paqes, ditës së flamurit dhe Vlorës si shtëpia e saj, është një prelud për të cilin është punuar gjithë jetën, prandaj Vlora këtë ditë është e stolisur dhe e bekuar.

Në këtë këngë popullore ka dhe një kujtesë, e cila përveç simbolikës, dy vendet e njohura “Sazan” e “Karaburunë”, dy nyje strategjike të Vlorës, por dhe “Kuzbabai”, i menduar dhe një vend i shenjtë, përveç strategjik, që krahas këtij “meditimi” të qenësishëm, duket se i vendos në këtë kontekst vargu i fundit i strofës “Vlorë, o martire!”, duke i shtuar gjithashtu elementët martir dhe emra vendesh, në të cilët kanë dhënë jetën njerëzit më të mirë të Vlorës, që përmbushet përmes një metonimie të mrekullueshme të “vendit për njerëzit”, Sazani për ata, që luftuan dhe u vranë për Sazanin dhe Karaburuni për dukatasit dhe vlonjatët, që u vranë për Karaburunin.

Dy strofat e fundit plotësojnë mjaft mirë preludin e qytetit të flamurit, i cili u mbajt dhe u nderua nga njerëzit e saj, e që mjaft mirë i shkon simboli i nënës. Nga pikëpamja gjuhësore, poezia shquhet për një fjalor të gjallë dhe të kuptueshëm nga të gjithë, me ndërtime sintaksore të drejtë të rendit të gjymtyrëve, për shkakun që të mos komplikohen kuptimet d.m.th, që në të shumtën e herëve ndërtohen stilistikisht përmes sintaksës poetike.

Krijimtaria poetike e poetit popullor Kujtim Mici, “Mjeshtër i Madh”, është një pasuri e çmuar e polifonisë shqiptare dhe artit të mrekullueshëm popullor. Ajo është më e gjerë dhe e thellë, pasi në përmbledhjen poetike “Shqipëri nuse bregdeti” zë vend vetëm një pjesë e asaj krijimtarie të thurur prej tij për më shumë se 45 vite. Mjaft poezi popullore të poetit tashmë janë bërë anonime; ato këndohen në mënyrë polifonike jo vetëm në Tërbaç dhe Lumin e Vlorës, por edhe në Kurvelesh, Bregun e Detit, Mallakastër, Delvinë, Përmet e vise të tjera të Jugut.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid