Një ngjarje surreale ka ndodhur në Champions League e dytë të Azisë, në përballjen mes Al Jazira-s nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku bën pjesë edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, dhe skuadrës iraniane Gol Gohar. Arbitri sirian Hanna Hattab u zëvendësua në pushimin e pjesës së parë, pasi gjatë ndeshjes shfaqi shenja çorientimi, duke shkaktuar shqetësim dhe polemika në fushë.
Ngjarja më e çuditshme ndodhi rreth minutës së 32-të. Pas një faulli në mesfushë ndaj Ali Asghar Ashouri-t, arbitri nxori kartonin e verdhë për portierin e Al Jazira-s, Ersin Destanoglu, megjithëse ky i fundit nuk kishte asnjë lidhje me aksionin.
Vendimi shkaktoi konfuzion dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta, ndërsa gjyqtari u konsultua me asistentët e tij. Në pushimin mes pjesëve, arbitri u zëvendësua nga gjyqtari i katërt, Ammar Abu Alou.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi klubi iranian kërcënoi se nuk do të rikthehej në fushë, duke pretenduar se arbitri nuk ishte në gjendje normale dhe duke ngritur dyshime se ai kishte konsumuar alkool përpara fillimit të takimit.
Megjithatë, një version tjetër i ngjarjes u bë publik nga gazetari Issa Said. Sipas tij, arbitri kishte pësuar një rënie të nivelit të sheqerit në gjak, gjë që i kishte shkaktuar humbje të përqendrimit dhe vetëdijes. Pas ndeshjes, Hattab iu nënshtrua një kontrolli mjekësor dhe, sipas këtij raportimi, nuk rezultoi të ishte i dehur.
Vetë arbitri reagoi përmes një postimi në Facebook, ku bëri të ditur se do të presë një komunikim zyrtar nga Federata Siriane e Futbollit dhe do të kontaktojë autoritetet përgjegjëse përpara se të publikojë një deklaratë të plotë mbi atë që ndodhi.
Ai theksoi gjithashtu se familja dhe jeta private nuk duhet të bëhen objekt sulmesh apo shpifjesh, duke kërkuar respekt për privatësinë e tij. Ndërkohë, pritet një qëndrim zyrtar nga konfederata aziatike e futbollit lidhur me incidentin dhe mundësinë e marrjes së masave disiplinore.










Komente
Komento