Goli emblematik shtroi rrugën drejt fitores. Ernest Muçi tashmë është idhull edhe në Kombëtare, pasi bënte diçka të tillë në Turqi. 25-vjeçari përveçse realizoi në mënyrë spektakolare për të zhbllokuar shifrat në fitoren 2-0, detyroi lojtarin e Finlandës të ndërhynte në mënyrë të gabuar, duke u ndëshkuar me karton të kuq.
“Besoj është një nga golat më të bukur që kam shënuar. I pari ose i dyti, por jam shumë i lumtur që e kam realizuar me kombëtaren. Ishte gol mjaft i bukur dhe fitore e rëndësishme,”-u shpreh Ernest Muçi, futbollist i Kombëtares.
Sipas Muçit nëse lojtarët luajnë të bashkuar Kombëtarja ka shumë potencial për të ecur para.
“Ne jemi përfaqësuese me shumë potencial. Vetëm se duhet ta tregojmë këtë potencial në fushë. Ndeshje pas ndeshje po shoh se po rritemi, duke luajtur të gjithë së bashku. Jemi lojtarë me shumë kualitet, por duhet të luajmë si grup,”-tha Ernest Muçi, futbollist i Kombëtares
“Goli i Muçit e bëri diferencën. Më pas u liruam dhe besoj se në vijim kemi bërë një ndeshje të mirë,”-tha Etrit Berisha, portier i Kombëtares.
“Jemi futur për fitore siç bëjmë gjithmonë. E dinim që ndeshje kundër Finlandës nuk do të ishte e thjeshtë siç ndodhi edhe në transfertë. Besoj ekipi ka treguar karakter dhe dëshirë për të fituar,”-deklaroi Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares.
“Gjëja kryesore ishte të fitonim dhe të gjithë tifozët i falenderojmë shumë se e kishin mbushur stadiumin. Jemi më të vërtetë shumë të lumtur. Edhe ne kemi bërë gjëra të mira në fushë dhe kështu jemi të gjithë të lumtur: ne, tifozët edhe familjet tona,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i Kombëtares.
Sipas ‘sofascore’ Kristjan Asllani rezultoi me notën më të lartë në fushë, 8.1, ndërsa pas tij vijnë Ernest Muçi dhe Elseid Hysaj me 7.9.









Komente
Komento