TIRANE- Publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në emisionin së martës “Tonight” të TV Ora News, shpjegon polemikat me ambasadorin amerikan Christofer Dell, dhe vizionin për politikën aktuale. Ai jep mendimin e tij për dy liderët e partive kryesore në Shqipëri por dhe kryeministrin e Kosovë. Surroi duke bërë një paralelizëm thotë se "as në Shqipëri as në Kosovë nuk po vendoset standardi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira”.
Ndërsa në Kosovë “Hashim Thaci është në krye të një organizate që merret me vjedhje industriale të votës", në Shqipëri “kryeministri është pjesë e legjitimitetit jodemokratik, një problem i madh ky i Shqipërisë” ndërsa Rama “me veprim ose mosveprim e ka legjitimuar ketë si një standard.”
Surroi shpreh hapur zhgënjimin ndaj ambasadorit amerikan duke shtuar se ideja për tu bërë ai president i Kosovës ishte e ambasadorit dhe jo e tija.
“"Jam i habitur nga reagimi i Dell. Letra e tij pa standard intelektual dhe me gjuhe kercenuese… Ideja ishte e ambasadorit. Në momentin kur do të dua të bëhem president, do të kandidohem”- deklaroi Surroi i cili shpegon dhe ndërvarësinë e shqiptarëve, në të gjitha vendet ku jetojnë, nga ambasadorët amerikanë.
INTERVISTA E PLOTE
Tare: Kush e nisi i pari polemikën midis jush dhe ambasadorit Dell?
Surroi: Ja nisi i pari ambasadori Dell në një intervistë përshëndetëse para se të largohej, pa ndonjë arsye të vecantë. Ai më përmendi në një kontekst negativ, madje përmendi një ngjarje, e cila në kanalet diplomatike zakonisht mbetet e heshtur, mbetet pjesë e një konfidencialiteti diplomatik. Ka qenë një darkë në të cilën ai më ka ftuar së bashku me kryeministrin Thaci.
Tare: A mendoni se është normale të bëhen publike biseda private? Ju pse e thyet parimin e konfidencialitetit?
Surroi: Z.Dell ka shkelur jo vetëm konfidencialitetin, por ka shkelur dhe shumë parime të tjera të cilat do të duhet ti ruante një diplomat. Një diplomati nuk i takon të komentojë rreth zhvillimeve përreth emrave të vecantë, dëshirave, ambicjeve të qytetarëve të Kosovës. Ambasadori amerikan mund ta informojë Kosovën se cfarë mendon shteti i tij, për një apo për ngjarje tjetër, por ai nuk mund të flasë për ambicjen e një politikani në Kosovë, të një kryetari të partisë në pushtet, apo të opozitës. Ato janë cështje që nuk nuk kanë të bëjnë me vendin e tij të punës. Unë kam një parim të ruajtjes së miqësisë, i cili nuk shkelet me këto sjellje. Dhe jam habitur shumë që një njeri, mund të dalë dhe të flasë në atë mënyrë.
Tare: Si e pritet reagimin e Dell?
Surroi: Nuk i përmbushi standardet e një këmbimi intelektual, kështu që e lashë me kaq. Përgjigja ime është shumë e shkurtër. Në letrën e z. Dell kisha dy këshilla për të. E para është profesionale, që nëse bëhej diplomat sërisht të lexonte përshkrimin e vendi të tij të punës dhe të mos bënte gabime që i ka bërë në Kosovë. E dyta ishte një këshillë prej burri, që të mos merrej me antarët e familjes sime, që po të kishte telashe të merrej vetëm me mua dhe jo të përmendë as motër, as baba. Këto janë këshilla që një njeri i moshës së tij do ti kuptonte mirë.
Tare: Do të kishit dashur që ky debat të mos ishte publik?
Surroi: Natyrisht. Unë do të kisha pasur dëshirë të komunikonim drejtpërdrejtë dhe kjo është mënyra se si dëshiroj të komunikoj me njerëz. Që ato brenga, keqkuptime apo sqarime që i kanë të nevojshme, ti kërkojnë drepërsëdrejti jo në formë publike. Ajo që desha të bëj me letrën është të tejkaloj pak edhe letërkëmbimin mes nesh dhe ta vendosë në një kontekst më të gjërë. Pra të kuptojmë si shoqëri, sepse është e nevojshme të mos vendosë një ambasador, diplomat, i dërguar apo dikush që bie nga qielli që të na i zgjidhë problemet tona. Por me problemet tona duhet të merremi vetë. Letërkëmbimin e shfrytëzova për të bërë një prerje të gjendjes në të cilën ndodhet shoqëria jonë.
Tare: A qëndron akuza e ish ambasadorit Dell që ju e përdorët televizionin tuaj për të sulmuar ambasadorin pasi nuk u arrit ambicia juaj për tu bërë president?
Surroi: Televizioni për fat të mirë është publik, nuk është i fshehur. Gazeta është aty dhe cdo kush mund të vlerësojë se cfarë është politika redaksionale e tyre. Unë nuk mund të përdor as keqpërdor asnjërën prej këtyre mediumeve, sepse thjeshtë nuk jam aty. Misioni im ka qënë krijimi i një media, profesionale, që do të mbetet si një institucion edhe pas largimit tim si administrator, por edhe pasi të largohem nga kjo jetë.
Tare: Cfarë i keni shkruar z. Dell në emailin e 11 shkurtit kur ju i keni propozuar termin president konsensual?
Surroi: Unë nuk e kam fshehur që kam qenë kundërshtar i zgjedhjes së z. Pacolli si kryetar i vendit. Mendoj se ka qënë i dëmshëm për Kosovën. Ai mund të jetë i mirë për veprimtari të tjera, por nuk është i mirë për përfaqësimin e Kosovës. Ka një emër të keq dhe mendoja se nëse partitë politike, për shkak të rezultateve kanë mundur të largojnë cështjen e president nga pazarëllëqet politike, pra të krijojnë një figurë konsensuale kushdo që do të ishte ai, atëherë do të hiqej nga rendi i ditës edhe cëshja e shantazhit të cilin e bënte z. Pacolli me votat e fituara nga ai.
Tare: Po ju në fakt a dëshironi të bëheni president I Kosovës? Ja keni shprehur këtë ambicje z. Dell?
Surroi: Ftesa e z. Dell ka qënë, për derisa isha në Qerret këtu në Shqipëri, ai më thirri në telefon, tha kam një ide, të lutem eja në Kosovë të bisedojmë të organizojmë një darkë etj. Kjo ishte e gjitha.
Tare: Pra ideja ishte e ambasadorit jo e juaja?
Surroi: Ideja ishte e ambasadorit. Në momentin kur do të dua të bëhem president, do të kandidohem ose do të më kandidojnë dhe nëse kjo ndodh atëherë ju premtoj se ju do të jeni televizioni i parë në Shqipëri, që do ta merrni vesh.
Tare: A duhet të jap dorëheqjen znj. Jahjaga apo duhet të qëndrojë në atë post?
Surroi: Mandati i zonjës Jahjaga ka qenë që të rrinte në atë post derisa të krijohet baza e ndryshimeve të reja kushtetuese. Drafti është gati dhe ai mund të hyjë në fuqi në momentin kur fillimisht zonja Jahjaga jep dorëheqjen dhe pastaj partitë politike e votojnë këtë proces dhe e hapin cështjen e presidentit për votë popullore. E mira e të mirës ka qenë që në një proces përshëmbull sot, zonja Jahjaga meqënëse ka përkrahjen e PDK-s ta tërhiqte këmbën e hajrit dhe tu thoshte që unë po jap dorëheqje dhe po bëhem kandidate e PDK-s.
Tare: Presidentja në detyrë thotë që nuk ja lejon kushtetuta të jap dorëheqjen.
Surroi: Kjo është pa sens. Kushtetuta përkundrazi lejon dhe sanksionon dorëheqjen.
Tare: Në fund të letrës z. Dell ju paralajmëronte që rruga që keni zgjedhur është e rrezikshme, si e kuptoni këtë?
Surroi: Në rrethana të tjera do të ishte kërcënim. Kur dikush ju thotë: “shiko mos shko andej se mund të rrëshkasësh në banane”, mund të jetë një kërcënim. Unë nuk e kam kuptuar ashtu, e kam kuptuar kontekstin emocional të letrës. E shkruan në njëri i dëshpëruar i cili në mungesë të argumentave të tjera përdor emocionet. Mund të përdorë edhe kërcënimin.
Tare: Përse shqiptarët në të gjitha vendet ku jetojnë, kanë një ndërvarësi nga ambasadorët amerikanë. Si e shpjegoni ju këtë?
Surroi: Ekzistojnë dy arsye madhore. Arsyeja e parë është objektive, në kuptimin e shoqërive të dobëta, që kanë nevojë për një shtytje, për një ngacmim, ndonjëherë edhe për udhëheqje. Shoqëritë shqiptare, kanë gjetur se duhet të kenë një besueshmeri shumë të lartë ndaj të dërguarve amerikanë, sesa ndaj cdo të dërguari tjetër dhe historia na ka mësuar se na ka dal mirë. Kur jemi mbështetur tek amerikanët kemi mbërritur tek pavarësia e dy vendeve në fakt. Kemi mbërritur që të përfundohet lufta në Maqedoni dhe shqiptarët atje të integrohen etj. Kjo është arsyeja e parë, e dyta janë shoqëri të dobëta, po të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kishin shumë të vështirë. Po të mos ishin diplomatët amerikanë, shqiptarët do ta kishin të vështirë në gjetjen e përkrahjes në Rambuje dhe detyrat ushtarake të mëvonshme. Shoqëritë tona krijojnë një kulturë varësie, për shkak të mungesës së institucioneve të veta, për shkak të dobësisë institucionale, për shkak të shkarjes nga rruga demokratike. Shoqëritë tona zgjedhin ndërhyrjen amerikane si formë të zgjidhjes së problemeve, apo si formë e stabilizimit të gjendjes apo ndonjëherë për arsyetim të hapave që duhen marrë. Kështu që cdo kryetar dhe cdo Ministër e ka të lehtë të arsyetojë përpara publikut e ka të lehtë të thotë na e kanë kërkuar amerikanët.
Tare: E kuptoj përgjegjësinë tonë, po ata nuk kanë përgjegjësi për rrugën ku kemi ecur?
Surroi: Është një barcaletë e vjetër që thotë pse janë SHBA vendi më demokratik, përgjigja është e thjeshtë, aty nuk ka ambassador amerikan. Aty nuk një ambasador amerikan që do ti thotë zotit Obama bëj kështu apo ashtu. Ekziston njeriu që vesh këmishën e superfuqisë, vjen këtu në shoqëritë shqiptare, I ka besimet fondamentale që nuk duhet të ndërhyjë që këto shoqëri duhet të jenë demokratike, por pas 6 muajsh sheh se nëse ky Kryeministër apo Ministër bën një veprim, mënyra më e lehtë nuk është që të këtë cështje ta miratojë Parlamenti, i cili duhet të mbikqyrë qeverinë, por se Parlamenti i vërtetë i shqiptarëve është ambasada amerikane dhe ambasadori duhet ta marrë në telefon apo duhet ta thërrasë për drekë Kryeministrin dhe ti thotë kështu nuk bën. Mos vepro kështu, por vepro në formë tjetër dhe ky për fat të keq është një cikël vetëushqyes. Sa më shumë që të ketë ndërhyrje aq më pak demokraci do të ketë. Qëllimet janë krejtësisht të mira, ambasadori amerikan ndërhyn për të mbrojtur demokracinë, por momentin kur ndërhyn, ai ka krijuar një formë të tejkalimit të institucioneve demokratike që pastaj vetëushqehet dhe Kryeministri pastaj, nuk do të kërkoj leje nga Parlamenti, nuk do të frikesohet nga Parlamenti apo nga opinioni public, por do ti japë llogari ambasadorit amerikan.
Tare: Kur do të vijë dita që shqiptarët mos ta konsiderojnë SHBA si një guvernant të vendeve të tyre sic pretendojne disa analistë
Surroi: Kjo nuk varet nga SHBA. Shqiptarët nuk po arrijnë të krijojnë shoqëri demokratike të konsoliduara, funksionale në rradhë të parë për shkak të dobësive të veta jo dobësive të tjerëve.
Tare: Mendoni se ambasadorët amerikan kanë ndërhyrë gjithmonë pro interesave të shteteve përkatëse, apo ka edhe momente kur ata kanë interesat e tyre?
Surroi: Absolutisht ata kanë interesat e tyre. Unë mendoj se interesi parësor amerikan duhet të ishte ndërtimi i shoqërive shqiptare demokratike, sepse ky ka të bëëj me investimin afatgjatë të SHBA. Nga aspekti ekonomik SHBA, kanë bërë investimin më të madh kapital dhe politik në këtë rajon. Krahasoni krizën në Ruanda ku u vranë gati 1 milion njerëz pa asnjë ndërhyrje të SHBA dhe në Kosovë janë vrarë mbi 10 000 njerëz, por ka pasur një ndërhyrje të fuqishme të SHBA me aviacionin e vet. Mos ta mistifikojmë idenë se dikush në Washington zgjohet në mëngjes dhe mendon për shqiptarët. Shqiptarët janë diku nga mesi ose nga lista e dytë e prioriteteve, nga fundi i politikës së jashtme amerikane, kështu që ato cfarë ne quajmë politikë e jashtme amerikane varet në masë të madhe nga njerezit që janë në këtë rajon dhe ata që janë këtu janë njerëz si fillim. Janë njerëz të cilët e marrin një funksion dhe duan që ai funksion ti kaloj pa ndonjë telash të madh dhe kur vjen një i dërguar i jashtëm këtu, në Shqipëri, në Kosovë gjeja e parë që ai do është që mos të ketë të vrarë, demostrata, mos të ketë gjëra pakëndshme, gjatë qëndrimit të tij. E dyta është të ketë zgjedhje të lira, dhe e treta të ketë media të lira.
Tare: Po kur thoni që janë njerëz, lini të kuptohet që mund të jenë dhe subjektiv në qëndrimet e tyre?
Surroi: Absolutisht. Imagjinoni që një i dërguar i huaj në vitin ’91 do takohej me një iluminist, ta zëmë me të ndjerin Teodor Keko. Ai ka qenë një bohem, një krijues, një njeri që ka pasur analizën e vet politike. Tani një I huaj a mund të krijojë një perceptim për Shqipërinë sipas Teodor Kekos, i cili ka qenë një mendje e ndritur dhe kreative apo menjeherë do të thonë që ky është bohem, këtij nuk do ti besoj sepse ky i paska pirë dy gota sot.
Tare: Përdorimi gjatë fushatës së 2007-tës të partisë që ju drejtonit atëherë, ORA të fotos tuaj me ish presidentin Bush. Një politikan me formimin tuaj a mendoni se duhej ta përdorte atë imazh?
Surroi: Tani njeriu e ka të lehtë të analizojë nga kjo pozitë. Natyrisht që do kisha dashur që të mos përdorja imazhe të tjetër kujt, por kur je në një vend si Kosova dhe situatë që kemi qenë ne, në një parti që mezi mund të mblidhte fonde për fushatën, atëherë përdornim ato armë që kishim në dispozicion dhe kjo ka qenë një armë të cilën stafi ynë e përdori. Unë isha në dyshim të thellë moral a do të mund të përdorej apo jo. Në fund kur e shoh një staf të dedikuar që operojnë me pak para i thua po në rregull, ta tejkalojmë këtë ndjeshmërinë time dhe po ju lejoj ta bëni këtë punë.
Tare: Cfarë mendoni se ka ndikuar në rezultatin tuaj elektoral?
Surroi: Ato nuk kanë qenë zgjedhje të lira, ka pasur shkelje drastike. Kështu që nuk matet dot. Deformimi ka qenë serioz. Kur ke deformim serioz atëherë është e vështirë të thuhet ka pasur apo s’ka pasur vota. Është shumë e qartë që partia të cilën e drejtoja dhe mënyrën sesi e drejtoja, nuk besojë që kishim aspiratë apo mundësi që do të kalonim në një përqindje shumë të lartë, por ama ishte e qartë po ashtu që sipas sondazheve të asaj kohe mbërritëm tek 10%, që ishte një besueshmëri solide për një përcaktim qytetar pro europian.
Tare: Kundërshtarët tuaj gjatë polemikës me ambasadorin Dell, ju kujtuan shkrimet që ju keni publikuar në fund të viteve 80-të, ku shpreheni në favor të komunizmit dhe ish Jugosllavisë. A keni ndonjë peng nga e kaluara?
Surroi: Jo nuk me ka mbetur ndonjë peng nga e kaluara, ato shkrime duhet të lexohen në kontekstin të cilën janë shkruar. Nuk ka asnjë dyshim që kjo është pjesë e historisë tashmë dhe se duhet të merren historianët. Nuk jam unë ai që do të thotë se këto shkrime nuk janë shkruar etj, janë pjesë e një rrjedhe të Kosovës. Është një histori jo shumë brilante e zhvillimit të vendit, ka qenë pjesa e represionit më të thellë në historinë e Kosovës. Ata njerëz që punojnë me mua në media e dinë qëndrimin tim, një pjesë e qëndrimit tim është e reflektuar edhe në shkrimet e mia. Ata që do të merren me historinë e medias me siguri do të nxjerrin konkluzione se cfarë ka ndodhur.
Tare: Mendoni se elita në Prishtinë dhe Tiranë është peng i së shkuarës?
Surroi: Cdo elitë është peng i së shkuarës. Nuk të shkëputemi nga e shkuara, duhet ta integrojmë të shkuarën. Nuk mundet njeriu të thotë që unë kam qenë i tillë deri në këtë moment, por nga ky moment e tutje jam tjetër. Në ecjen njerëzore ju do të jeni edhe ai që keni qenë para 30 vjetësh, edhe ai që jeni sot edhe ai që do të jeni pas 20 vitesh.
Tare: Ballkani duket se është qeverisur nga politikan autoritarë, të prerë dhe shpeshherë arrogant. Ndërsa ju keni zgjedhur të jeni përfaqësues i mendimit analitik, i sjelljes institucionale. A mos keni bërë një zgjedhje të gabuar?
Surroi: Varet cili është qëllimi. Nëse është qëllimi ndonjëherë marrja e pushtetit në mënyrë që të ndryshojë gjendja, atëherë kam bërë gabim. Por do ta ktheja qëndrimin ndryshe, nëse do të merrja një rrugë tjetër për të fituar pushtetin. Në Kosovë nuk ekziston transparenca, as në Shqipëri. Askush nuk e di si financohen partitë tona politike. Për njerën prej partive di rastësisht në Kosovë që financohet prej te ardhurave nga pikat e benzinës dhe ato në Kosovë janë më shtrenjtë se në Maqedoni prej nga furnizohen. Do të thotë diferencë në cmim. Një pjesë e asaj diference, përvec xhepave privatë hyn edhe në arkën e partisë. Këto janë të padeklaruara. Dhe në nëse doni të bëni ndryshime duhet të garoni i njëjtë si garuesit, pra të hapni dhe ju pika benzine, të merreni me kontrabandë ose të krijoni të ardhura që pastaj do të mundësojnë që partia juaj, të ketë ndikim më të madh, të paguaj njerëz për fushatë, të blejë hapësirë televizive. Partitë politikë janë ndërmarje ekonomike, të cilat krijojnë të ardhura dhe projektojnë të ardhura për të ardhmen, sepse pas një kohe, pasi e fiton pushtetin ateherë duhet të shpërndajnë këto të ardhura. Prandaj partitë politike kanë krijuar një skemë parash të cilat në masën më të madhe janë ilegale. Po të kisha hyrë në këtë garë do të hyja në dicka që kritikoja vet personalisht. Unë nuk mund të flas kundër kontrabandës, për partizimin e shtetit nësë edhe unë jam pjesë e kësaj dhe nëse marr pushtetin me këtë formë unë nuk mund ta ndryshoj qëndrimin tim sepse do të jem i varur nga këto para që i kam marrë.
Tare: Në reagimin për polemikën tuaj me Dell, Kryeministri Thaci thotë se ju është turbulluar pamja dhe nuk shihni arritjet që janë bërë.
Surroi: Unë i shoh arritjet, por nuk po i shoh nga perspektiva e z.Thaci. Unë e kuptoj që zoti Thaci krenohet me disa veprime, të cilat për të janë fitimprurëse. Nëse marrim rrugën deri më sot janë kryer rreth 40 kilometra nga kufiri i Shqipërisë në brendësi të Kosovës dhe janë paguar mbi 400 milion euro. Kjo do të thotë, që cdo 1 kilometër rrugë vlen dicka më tepër se 10 milion euro. Kjo shifër është shumë më e madhe sesa cmimi i rrugës nga Durrësi në Morinë dhe përderisa gjeografia e Shqipërisë, ka kërkuar një punë të vështirë, vetëm tuneli ka pasur një kosto të jashtëzakonshme. Gjeografia e Kosovës është krejt tjetër dhe nuk ka pse të kushtojë disa herë më tepër. Do duhej të ndodhte e kundërta, do duhej që autostrada e Shqipërisë të kushtonte më tepër, të paktën tre herë më tepër sesa kushton ajo e Kosovës. Pyetja të cilën nuk është përgjigjur zoti Thaci deri më sot, është sesi mund ta fsheh kontratën për këtë rrugë? Pse është e fshehur kontrata të cilët qytetarët e Kosovës nga buxheti i tyre, paguajnë për këtë rrugë? Unë po pyes në dy cështje. Përse kostoja e rrugës së Kosovës është shumëfish më e shtrenjtë se sa rruga që është ndërtuar në Shqipëri? Apo shumë më tepër se sa rrugët që ndërtohen në Maqedoni, saktësisht pesë gjashtë fish. Dhe përse fshihet kontrata? Nëse është paraja publike, pse është shpenzimi i saj jo transparent?
Tare: Zoti Thaci thotë që ju rrëzoi populloi, ju rrëzoi sovrani dhe jo ai.
Surroi: Zoti Thaci ka pak kredibilitet moral për të folur për zgjedhjet, sepse zoti Thaci është në krye të një organizate e cila është marrë me vjedhje industriale të votës. Në zgjedhjet e kaluara është dokumentuar fare mirë se vjedhja e votës në Kosovë, merr përmasa të asaj që është quajtur nga një diplomat I huaj, vjedhje industriale.
Tare: C’mendoni për aksionet e Vetvendosjes dhe Albin Kurtin?
Surroi: Mendoj se në shumë aspekte janë treguar kreativ dhe kanë treguar dinamikën e vet. Është padyshim një lëvizje politike e cila ka krijuar emblemën e vet. Qëndrimet e tyre janë dinamike. Problemi i tyre është problem o pjesës tjetër të opozitës, që të ndarë mund të kenë një ndikim të kufizuar, të bashkuar mund të kenë një ndikim fundamental për ndryshimin e gjendjës në shoqëri. Opozita duhet të mendojë dhe analizojë dhe të gjejë një emërues të përbashkët. Unë mendoj se emëruesi i përbashkët është ky: Veprimi i PDK, veprimi i zotit Thaci, qeverisja e tij, janë kontaminues serioz të jetës politike në Kosovë dhe të ardhmërisë së Kosovës. Nëse i’u del kjo analizë opozitarëve atëherë ata duhet të përqendrohen tek eliminimi i shkaqeve të ndotjes së tanishme politike ne Kosovë dhe të ardhmërisë së Kosovës sepse deformimi, kontamimi i jetës politike të Kosovës me zotin Thaci dhe me udhëheqjen e tij, do të lënë pasoja për gjeneratat që vijnë. Mënyra sesi e ka udhëhequr këtë vend mund të lërë disa kilometra asfalt, por do lërë gjenerata e gjenerata që do të merren me pasojat negative të kësaj udheheqje.
Tare: Me Serbinë do të nisin bisedimet politike, hiqet më në fund mbikqyrja e Kosovës. Cfarë do të sjellin këto dhe a është gati klasa politike të nisë bisedimet?
Surroi: Klasa politike nuk është gati pothuajse për asgjë. Është e gatshme vetëm për avancimin e përfitimeve të veta qoftë politike, qoftë financiare. Për shembull shikoni mbikqyrjen e pavarësisë. Kosova duhet të kishte zgjidhur në tre vitet e fundit cështjen e veriut. Momentin e heqjes së mbikqyrjes së pavarësisë prania ndërkombëtare në Kosovë thotë, tani jeni të pavarur tani zgjidheni ju cështjen e veriut ndërkohë që në 12 vitet e kaluara është marrë faktori ndërkombëtar me veriun. Tani është krijuar një gjendje në të cilën në mënyrë shtesë pushteti I Kosovës, duhet të merret me veriun pa e pasur idenë sesi ta bëjë ketë. Kjo qeveri duhet të hyjë në bisedime me Serbinë pasi ka bërë gabime serioze, në atë që është quajtur dialog teknik me Beogradin, në të cilën me kohë ua kemi tërhequr vëretjen sepse nuk ka të bëjë me kurrëfarë dialogu teknik, pasi bisedimet mbeten politike derisa ne e kemi të pambyllur konfliktin me Serbinë.
Tare: Cfarë statusi do të ketë veriu i Mitrovicës?
Surroi: Veriu tashmë prej vitesh ka marrë një lloj vetadministrimi, i cili pret përligjen e vet juridike dhe ky është një problem i madh, për funksionimin e shtetit dhe jo funksionaliteti i tashëm i Kosovës po pret që të përligjet me nënshkrimin e Kosovës në një proces të ardhshëm negocatior. Veprimi i qeverisë së Kosovës ka qënë i tillë, i krijimit të administrimit të dyfishtë në Kosovë. Kosova ka pranuar në negociatat në Bruksel që librat ku mbahet evidencat kadastriale dhe evidencat civile të mbërrin në original në Beograd ndërsa kopjet i merr Prishtina. Nga aspekti juridik Kosova ka pranuar që përgjesinë juridike për evidencën katastriale dhe jurike ta ndaj me Beogradin. Nëse mund ta bëj për libra katastrial s’ka arsye që mund ta pengoj për cështje të administrimit në Veri dhe c’do ndërmjetës ndërkombëtar që hyn, thotë që ju keni pranuar ketë për libra katestrial, tani duhet të pranoni që veriun do ta administroni bashkë. Ata do të bëjnë një pjesë, ju do të bëni një pjesë dhe do ta sajojmë disi.
Tare: Mund të jetë kjo në këmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi?
Surroi: Jo, absolutisht . Shikoni njëra prej problemeve, është se Kosova hyn në mënyrë të vazhdueshme në negociata, për të përfunduar një negociatë dhe për të hyrë në negociatën tjetër, pa precizuar se cili është fundi I procesit negocatior.
Tare: A mendoni se do ta njohë ndonjeherë Serbia pavarësinë e Kosovës?
Surroi : Nuk do të ishte problem i shqiptarëve apo i Kosovës se a njeh Serbia. Serbia duhet të njoh funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe të krijojë raport funksionimi me ato nëse dëshiron të ketë marrëdhenie të mira. Njohja e Kosovës si shtet është krejtësisht irrelevante.
Tare: Ka një qendrim që Kosova, Shqipëria Serbia do të bashkohen në Bruksel. Ju besoni në ketë kufi europian ?
Surroi: Janë dy probleme esenciale, problemi i parë është që Serbia ka krijuar një avantazh të dukshëm karshi shqiptarëve dhe në dem të shqiptarëve. Procesi i kaluar negociator ka shërbyer që Serbia të marrë statusin e kandidatit edhe duke krijuar probleme në veri të Kosovës, jo vetëm duke mos e njohur por edhe duke krijuar probleme të sigurisë në Kosovë. Nëse e shikoni hartën e shqiptarëve do të shihni se shqiptarët më të avancuar në BE, janë ata që janë në minoritet. Sa më pak të jenë shqiptarët në një vend aq më afër BE-së janë dhe ky është një problem fundamental, serioz për shoqëritë shqiptare sepse nëse për tu afruar Europës duhet të jesh banor i Serbisë apo i Malit të Zi atëherë problemi shtrohet kështu. Cfarë kemi ne si problem esencial që nuk mund të ecim më shpejt drejt BE-së.
Tare : A mendoni se harta aktuale e Ballkanit do të pësojë ndryshime në 10 vitet e ardhshme?
Surroi : Ne jetojmë në hapsirën e shteteve të papërfunduara. Në ketë hapësirë janë Bosnja Hercegovina, është shtet i papërfunduar, nuk ka indentitet dhe ka gjasa të zhbëhet. Shtet i papërfunduar është Kosova, nuk e administron një pjesë të territorit të vet dhe do ta ketë të veshtirë ta administrojë nese vazhdon me këtë qeverisje. Në këtë hapësirë të papërfunduar është Serbia sepse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e njeh fundin e territorit të saj. Në ketë hapësirë është Maqedonia sepse nuk njihet nga Greqia me identitetin e vet dhe ka telashe të medha në krijimin e identitetit kushtetues edhe brenda vendit. Është e vështirë të binden shqiptarët se janë në shtetin e Aleksandrit të madh dhe të themi stërpikat e këtij procesi i ndjen edhe Shqipëria për shkak të lidhjes etnike me këtë rajon. Problem esencial në 10 vitet e ardhshme do të jetë procesi i përfundimit të shtetndertimit të këtyre shteteve, vënies së një pike perfundimtare historike. Nese do të ketë zhbërje të Bosnje Hercegovinës atëherë do të vendoset një parim i ndarjes etnike i cili mund të ndikojë për fat të keq edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Pra aksidentaliteti historik i ndarjeve të reja nuk është përjashtuar përderisa nuk ekziston një nderhyrje serioze për përfundimin e këtyre proceseve, fillimisht nga SHBA dhe BE, por edhe pastaj në një kontekst tjetër. Në cfarë mënyre do ti mbijetojë BE formës së tanishme të ekzistencës dhe të krizës së saj. Sa do të jetë e gatshme BE që me një fuqi të re apo federalizim të jetë ajo forcë e cila ka ndikimin e vet magnetik në ristrukturim e Ballkanit. Është shumë e qartë që Bosnja Hercegovina në formën e tillë nuk mund të ekzistojë ose do të centralizohet në mënyrë që të funksionojë si shtet ose pastaj do të jenë nen ndikim forcash që duan të përligjin gjendjen e tanishme. Gjendja e tanishme është një republikë Serbe e cila fare nuk perfill autoritetin e Bosnje Hercegovinës.
Tare: Humbja e Arbën Xhaferrit, miku juaj personal, I kosndieruar si rilindasi I fundit I shqiptarëve
Surroi: Arbëni ka qenë shumë më i gjerë intelektualisht. Mos të harrojmë që Arbëni ka pasur një mision si politikan dhe ky ka qenë avancimi i interesit shqiptar në Maqedoni dhe avancimi i interesit shqiptar në Maqedoni është berë me dy forma. Njëra ka qenë integrimi i këtij interesi së bashku me interesin maqedonas, këtë u perpoq ta bejë gjatë kohës që ishte në qeverisje, pastaj edhe në konflikt. Për fat të keq ka ndodhur konflikti i armatosur dhe ky konflikt ka avancuar në interesin shqiptar atje. Vizioni i Arbënit ka qenë vizioni i një shqiptarizme europiane, perendimore. I një identiteti dhe dinjiteti shqiptar. Tani ai mund të quhej nacionalist në Shekullin e 21-të nese shqiptarët do të ishin të integruar, me dinjitet në jetën e tyre ekonomike politike do të ishin padyshim pjesë jo nacionaliste e Europës së bashkuar.
Tare: Ka pasur shumë polemika për menyrën e përcjelljes. Kishte vërtet dicka që i ofendoi ata që morën pjesë?
Surroi: Varrimi i Arbënit ka qenë krejtësisht i kundërt me vlerat e tij. Po të donte dikush të tregonte se cfarë nuk ka qenë Arbëni atëherë e ka manifestuar me varrimin e tij, me një c’organizimin, me një mungesë bazike të përcjelljes dinjitoze të një njeriu, që kishte vlera të jashtëzakonshme për shqiptarët në terësi. Ai meritonte shumë më tepër krijimtari edhe në përcjelljen e vet si dhe shumë më tepër thellësi intelektuale nga c’është manifestuar. Ka qenë një fat i keq, tregon në masë të madhe se cfarë ka qenë sfondi në të cilën ka jetuar dhe është përpjekur. Kontrasti shumë i madh midis mendjes së tij dhe anëve negative të ambjentit ku ai jetonte.
Tare: A mendoni se ka paralele midis politikës së Tiranës dhe Prishtinës?
Surroi: Ka paralele negative, për të këqija ekziston kapacitet shumë intesiv i të mesuarit nga të dyja anët e kufirit. Një pjesë të keqperdorimeve të votës nga Kosova e kanë mësuar këtu në Shqipëri dhe besoj tani mund të kenë avancuar ata në Kosov ëdhe besoj se këta të Shqipërisë mund të shkojnë të mesojnë andej. Për fat të keq kemi një opsion jo vetëm të një partie politike por një opsion të menduarit politik, i cili e shikon politikën si nxjerrje, përfitim personal dhe nga ana tjetër si mundesi e pakufizuar e manipulimit dhe administrimit. Pushtetin në Shqipëri dhe Kosovë shikohet si i pakufi, ai nuk e sheh veten të pakontrulluar dhe të pakontrollueshëm. Nga Kushtetuta marrin vetëm faktin se parlamenti duhet të qendroj aty 4 vjet. Asgjë tjetër në kushtetutë nuk konsiderohet ose mos të merremi me Kushtetutë, por me konceptin e ndarjen e pushteteve. Nuk ekzistojnë pushtetet e ndara në Shqipëri. Prej kohësh ekziston perpjekja e kontrollit të gjyqësisë, të kontrollit të institucioneve të tjera të pavarura të kontrollove dhe sherbimeve sekrete. E njejta gjë në Kosovë. Në Kosovë është pak më keq për shkak se partia që është sot në pushtet duke pasur policinë e saj sekrete me vite të tëra ka bërë atë që quhet një filtrim institucional dhe ka vendosur një sherbim të organizuar në të gjitha pikat e shtetit, pra edhe sa ka qenë në opozitë ka pasur një mundesi kontrollimi nga agjensia e privatizimit e deri te institucione të tjera. Ky faktor është brengosës sepse tregon për prapakthim në ecjen demokratike të shqiptarëve. Në vend që të ecim perpara dhe të mesohemi me një pushtet të kontrollueshëm, një pushtet, i cili jep pergjegjësi, shqiptarët po mësohen me një pushtet të pakontrollueshëm, i cili reflektohet në jetën ekonomike si kthim i një ekonomie pa konkurencë. Kjo do të thotë se liritë ekonomike janë cunguar shumë në të dyja anët e kufirit dhe do të veprojnë në ekonomi ato subjekte ekonomike të cilat janë klientë të partisë.
Tare: Mendoni se kundershtarët tuaj e cmojnë si të pasinqertë ketë deklaratë në momentin kur ju u ulët me z.Thaci për tu berë President i Kosovës, si mund të bashkëqeverisnit ju Kosovën me një njeri i cili qeveris keshtu?
Surroi: Nuk është bashkëqeverisje, unë isha në një darkë i ftuar nga ambasadori amerikan, i cili donte të komentonte një ide dhe kaq.
Tare: Ideja do të finalizohej me postin e presidentit.
Surroi: Ideja nuk do të finalizohej me postin e presidentit në atë darkë. Ideja do të përfundonte vetëm me inicimin e procesit të ndertimit të konsensusit. Konsensusi është shumë i veshtirë ndërmjet ne shqiptarëve në pergjithësi keshtu që në atë aspekt jam krejtësisht pa brenga. Nuk kam fare merak nëse do të konsinderohet e drejtë apo e padrejtë kjo punë. Vitet e fundit jam ulur me shumë njerëz me të cilët nuk do deshiroja të takohesha, por kam konsideruar që ekziston një interes më i lartë se pëlqimi apo mospëlqimi im ndaj atyre personave.
Tare: Ish vendet komuniste kanë liderë jetëgjatë dhe autoritarë. A është ky një tipar që lidhet me të shkuarën komuniste?
Surroi: Ka të bëjë domosdoshmërisht. Në analizën që ka berë Haveli, të cilin e besojnë shumë persona ai e quan post komunizëm ketë fazë dhe e quan një fazë e cila është po aq e rrezikshme. Në fakt ne jetojmë në shtete hibride. Shtete të cilat nga forma plotësojnë normën e demokracisë zgjedhore, por kanë forma të forta të elementeve autoritare dhe të marrjes së plotë të institucioneve të pavarura dhe ky është një rrezik shumë i madh për shoqëritë tona, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Kemi të bejmë me shtete jo demokratike të cilat anojnë nga jodemokracia dhe të cilat ngulthasin një pjesë të energjive të këtij vendi qoftë politike qoftë ekonomike.
Tare: Z.Surroi megjithatë keta politikanë thonë që kemi fituar zgjedhjet, jemi votuar nga qytetarët…
Surroi: Shikoni, ti fitosh zgjedhjet të cilat nuk janë të drejta do të thotë të mos i fitosh zjedhjet, do të thotë ti vjedhësh zgjedhjet. Në Shqipëri dhe Kosovë nuk po vendoset standardi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira.
Tare: Cfare mendimi keni për Berishën?
Surroi : Është krejtësisht irrelevante ajo cfarë mendoj unë për zotin Berisha. Ne po flasim për disa fenomene të cilat janë shumë më të gjera. Shqipëria ka problem të thellë të legjitimitetit jodemokratik dhe pjesë e këtij problemi është dhe zoti Berisha.
Tare: Po për zotin Rama?
Surroi : Po flasim për një periudhë në Shqipëri në të cilën është sanksionuar vjedhja e votës, në të cilën zoti Rama me veprim ose mosveprim e ka legjitimuar ketë si një standard. Problemi i Shqipërisë nuk është se cfarë mendoj unë për Ramën apo për Berishën. Problemi i Shqipërisë është a ka Shqipëria energji të mjaftueshme në partitë në pushtet, në partitë në opozitë, në media që të mbajë njëherë zgjedhje të drejta dhe të lira si dhe të vendosë institucione të pavarura? Ajo cfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto vite është që kushdo që të vijë në pushtet pastaj do duhej të merrej me rregullimin e një gjendje të krijuar deri tani. Do ta ketë të veshtirë Shqipëria të merret me vita të tëra me ndotjen që është krijuar në sistemin gjyqësor.
Tare: A mendoni se elitat kanë një pergjegjësi si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri?
Surroi: Mos harroni që elitat janë dhe elitat politike që janë në pushtet. Po marrim Sllovakinë dhe Kroacinë. Në Sllovaki ka ekzistuar një ecje autoritare, e cila në një moment është identifikuar si ndotje fundamentale e rrjedhës së ardhshme të Sllovakisë. Atëherë janë grumbulluar partitë opozitare, mediat, shoqeria civile dhe kanë thënë që na nevojiten zgjedhje të lira dhe të drejta dhe më pas kush i fiton ato është cështje irrelevante. Në zgjedhjet e lira dhe të drejta me një fushatë e cila është drejtuar nga cdo qytetar, është një krijuar një gjendje në Sllovaki është krijuar clirim politik, një clirim ekonomik sepse është krijuar një bazë e mirë për investime të huaja. Sllovakia sot prodhon vetura etj. E njejta gjë në Kroaci, në një moment figura historike e Tuxhmanit babai i shtetit të ri kroat u hoq nga pushteti, u hoq tuxhmanizmi si ide e qeverisjes, u denua me votën e qytetarëve në momentin kur u organizua një forcë e bashkuar e partive, mediave dhe shoqërive të lira. Problemi i Shqipërisë është modeli i qeverisjes, mungesa e respektit ndaj modelit të demokracisë parlamentare dhe demokracisë në treg.
Tare: Cfarë mendoni se e prodhon mungesën e dialogut politik në Shqipëri?
Surroi: Keto janë ceshtje subjektive kur del një lider apo një tjetër i cili mund të identifikojë veten si pjesë e dialogut. Në Shqipëri cështja e cila duhej të ishte fondamentale në 100 vjetorin e krijimit të shtetit është nëse do e marrë apo jo statusin e kandidatit. Lindja e shtetit të Shqipërisë ka qenë ide bazike europiane. Nëse në 100 vjetor nuk e merr statusin dhe nuk e merr sepse nga aspekti kalendarik në 28 nentor ajo nuk do të ketë në dorë letër për status, Shqipëria në 100 vjetor nuk është vend me status atëherë kjo meriton një debat serioz në shoqëri. Pse nuk është dhe si mund ta fitojë.
Tare: Në një nga referimet tuaja u shprehet se motoja e shqiptarëve në ’90-tën ishte që e duam Shqipërinë si gjithë europa, sot është a e bejmë dot Shqipërinë si gjithë europa. A mos jeni pak i ashpër me ne?
Surroi: Me qëllim jam i ashpër sepse dua që ky vend të jetë europian. Ne kemi nevojë si komb, si shoqeri shqiptare të bejmë një shkëputje bazike, historike me perandorinë otomane. Kur je 500 vjet në një perandori të nevojiten 100 të tjera për tu shkëputur, është një divorc shumë i gjatë sepse është punë mentaliteti dhe e vulosjes së identitetit tonë europian dhe kjo vulë merret në Bruksel. Kjo vulë nuk na nevojitet për të qenë aq shumë pjesë e BE-së sesa na nevojitet për të vulosur identitetin tonë europian.
Tare : Angazhimi juaj aktual dhe në të ardhmen ku do të jetë?
Surroi : Aktualisht po shkruaj dhe po kujdesem për djalin tim të vogël, Detin.
Tare : Vetëm publicistika, po politika, biznesi?
Surroi : Kur je në një situatë sic kam qenë unë prej vitit ’88-89 unë nuk mund të shkëputem nga jeta politike, nga e folura publike. Kështu që nuk kam ndërmend të shkëputem. Po përpiqem që të përqendrohem në shkrime të gjata, në libër dhe pastaj do të shohim.
Tare : Cfarë libri po shkruani tani?
Surroi : Letërsi.
(sg/shqiptajra.com)
Duke folur për varrimin e mikut të tij Arben Xhaferrit, Surroi tha se ishte një ceremony e ” ç'organizuar, jo dinjitoz për vlerat e jashtëzakonshme të tij"
/Shqiptarja.com