Xhelal Sveçla
Deklarata e ish-drejtorit të inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin, ka nxitur reagim të fortë në Kosovë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e quajti atë kërcënim të papranueshëm ndaj shtetit të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Sveçlës, analogjia që përdori Vulin me modelin e Mossad-it është thellësisht kërcënuese.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan. Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës”, shkroi Sveçla.
Ai kujtoi edhe rastet e së kaluarës, duke thënë se deklarata e Vulinit lidhet me një histori të rrezikshme.
“Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit të vendeve të tjera”, tha ai.
Sveçla përmendi edhe një rast të ndodhur në shkurt, kur tre shtetas të huaj hynë ilegalisht në Kosovë.
“Në këtë kontekst, në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”, shtoi Sveçla.
Në fund, ai tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përballen me çdo kërcënim dhe se vendi nuk do të zmbrapset.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zmbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, përfundoi ai.
U.D/Shqiptarja.com
Lajmi kryesor:Ish-shefi i shërbimit sekret serb kërcënon Kosovën: Kur mundet Mosadi, pse jo ne? Reagon Sveçla: Kërcënim i drejtpërdrejtë!
![]()












