Sveçla: Në Banjskë morën pjesë rreth 90 terroristë, kishte një element shumë të rrezikshëm

Sveçla: Në Banjskë morën pjesë rreth 90 terroristë, kishte një element shumë të rrezikshëm

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për “Syri TV”, ka thënë se në sulmin në Banjskë të Zveçanit kanë marrë pjesë rreth 90 terroristë dhe se synimi kishte qenë që të realizohej një korridor mes Serbisë dhe dy komunave në veri të Kosovës, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Sveçla ka thënë se situata e sigurisë në veri aktualisht është e qetë, por mbetet e tensionuar.

Në sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u lënduan tre policë tjerë.

“Tashmë kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë më 24 shtator. Pra, kishte diku rreth 90 terroristë, të cilët u futën me armatime të rënda në Republikën e Kosovës, planifikuan të realizojnë korridor mes Serbisë dhe dy komunave: Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit”, tha Sveçla.

Sveçla ka thënë se është konfiskuar armatim ushtarak që nuk gjenden askund as në treg zyrtar e as treg të zi. Ai ka thënë se ka edhe dëshmi të fletëpranimit të këtyre armëve të lëshuara nga Serbia.

“Ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm, e ai ishte se disa nga veturat, rreth 30 sosh që ishin në Kosovë, kishin stikersa me shenjën e KFOR-it. Këta kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 23 -24 armë me silenciatorë, ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it e t’i ekzekutonin pjesëtrët e policisë së Kosovës, me ç’rast tensionet do të rriteshin në pikë ku realisht nuk do të dihej kush me kënd po shtie. Në të njëjtën kohë kishin numër të madh të uniformave, pajisjeve dhe armëve, numër më të madh sesa që ishin vetë. Jep indikacion se ishin përgatitur një pjesë të armatimeve, uniformave t’ia jepnin personave që ishin tashmë në Kosovë. Numri i tyre do të dyfishohej apo trefishohej”, tha Sveçla.

Sveçla ka thënë se kufiri i Kosovës me Serbinë është mjaft i gjatë dhe në komunat në veri të Kosovës është jashtëzkaonisht i vështirë, me terren të vështirë. Ai thotë se do të ishte e mirëseardhur rritje e ushtarëve të KFOR-it në vijën kufitare me Serbinë në atë pjesë.

“Mos të harrojmë se është përgjegjësi e KFOR-it që vijën kufitare Kosovë – Serbi ta monitorojë. Sipas marrëveshjes së Kumanovës, policia e Kosovës mund t’i ofrohet kësaj vije më së afërti 1 km. Paraqet vështirësi shtesë për policinë e Kosovës. Edhe ne mendojmë se rritja e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në vijën kufitare me Serbinë do të ishte e mirëseardhur”, tha Sveçla.

Sveçla ka thënë se nuk ka dyshime që Serbia ka dorë në sulmin. Ai ka thënë se grupi që kreu sulm terrorist ishte përgatitur në Serbi. Sveçla ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia që të përsëritet një skenar i tillë.

“Serbisë, Aleksandar Vuçiçit e Qeverisë së tij nuk i zihet besë”, tha Sveçla.

Sveçla po ashtu ka treguar se ka edhe dëshmi për ndikimin e Rusisë në grupin që kreu sulme.

“Kemi dokumente ruse të kapura në këtë rast. Dyshohet për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të individëve nga Rusia. Sipas, deklaratave të burgosurve, disa persona nuk kanë folur kurrë dhe kanë pasur maskë. Është e mundshme se ka pasur pjesëtarë të Wagnerit. Ne e dimë se ka pjesëtarë të Wagnerit që janë edhe nga Serbia. Një pjesë e tyre është kthyer në Serbi. Realisht shihet qartazi dora e Rusisë, por nuk ka nevojë që Rusia drejtpërdrejtë të marrë pjesë, mjafton ndikimi i saj në Qeverinë e Serbisë. Pas incidentit, takimin e parë që e pati Vuçiç ishte me ambasadorin rus në Beograd”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se ndalimi i Milan Radoçiçit nga ana e Serbisë ishte vetëm farsë. Radoiçiç u lirua pas 24 orëve, atij iu ndalua shkuarja në Kosovë ndër të tjera.

“Vuçiçi po mundohet që presionin ndërkombëtar ta zbusë sado pak, me kinse një proces hetimi apo persekutimi të Radoiçiqit. Realisht s’ka gjë prej kësaj. Është qesharake që në një shtet demokratik, dikush që ka mbledhë gjithë atë armatim për ta sulmuar një shtet tjetër, e ku ka pasur viktima nga dyja palët, të lirohet për 24 orë. Madje nuk e di nëse ka qëndruar edhe ato 24 orë në paraburgim. Ne kemi informata se Radoiçiç është i shantazhuar nga Vuçiçi dhe se Vuçiq është i shantazhuar nga Radoiçiç”, tha Sveçla.

Ai ka thënë se Kosova do të kërkojë ekstradimin e Radoçiçit dhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit, porse “beson se gjasat janë zero që Serbia ta ekstradojë atë”.

Sveçla është pyetur edhe për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “Financial Times”, që ka thënë se veriu është “no mans land”.

“Veriu i Kosovës ka qenë no mans land për 20 vjet. Realisht ka qenë tokë e krimit, parajsë e krimit ku kriminelë të kombësive të ndryshëm, kanë vepruar lirshëm aty. Kjo është mundësuar falë mbështetjes që Serbia i ka dhënë kësaj situate, por edhe një lloj apatie, edhe benefiti të qarqeve të caktuara të Prishtinës. Kjo situatë nuk ekziston më. Policia e Kosovës kontrollon çdo cep”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka reaguar ndaj deklaratave të Ramës që ka thënë se KFOR-i duhet të marrë përgjegjësinë për veriun e Kosovës.

“Rama nuk di aftësitë e kapaciteteve të institucioneve vendore për të menazhuar situata të tilla”, tha Sveçla./Koha.net

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Muzaka i Ri: 06/10/2023 10:07

    Jo po na duhet KFORI ne kufi ne perforcim te kufirit, jo po pse e tha Rama, se ai nuk e di si menaxhohet, jo po na duhet tani qe themi ne. Rremuje politika shqiptare ketu e 500 vjet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja