Le të theksojmë që në fillim se 45 letrat e Faik Konicës të viteve 1903-1913, drejtuar poetit frëng Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire), shfaqin interes të veçantë jo vetëm për ne shqiptarët - për të thelluar njohjen e promotorit të gjuhës letrare shqipe dhe të Rilindjes sonë kombëtare -, po edhe për studiuesit francezë e të huaj që vazhdimisht hulumtojnë rreth jetës dhe veprës së poetit gjeni. Gjen në atë epistolar burimin e frymëzimit të shkrimeve të Apolinerit për Shqipërinë, shqiptarët dhe për vetë Konicën, si dhe çelësin e zbërthimit të mjaft çështjeve të përbashkëta të dy lëvruesve modernë të Letrave shqipe e frënge.

Edhe pse letërkëmbimi i pasur i Apolinerit me mori shkrimtarësh e artistësh të shquar ka qenë dhe mbetet në qendër të vëmendjes së studiuesve të huaj, përsëri, letrat e Konicës për Apolinerin njihen, do thoshim, nga një rreth i kufizuar hulumtuesish, dhe për më tepër për çështje të kufizuara. Përjashtim bëjnë dy njohësit me themel të jetës dhe veprës së Apolinerit, profesorët Marsel Adema e Michel Décaudin, si dhe studiuesi e shkrimtari Luan Starova, të cilët kanë nxjerrë në pah elementët më domethënës të lidhjes epistolare e miqësore Konica-Apoliner.