Një certifikatë mirënjohjeje u dorëzua sot në Kuvendin e Shqipërisë nga përfaqësues të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dokumenti ishte një falënderim për mbështetjen që Kuvendi ka dhënë për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në takim ishte i pranishëm kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën. Në takim përfaqësuesit e iniciativës “Të gjithë për Luftëtarin” vlerësuan angazhimin institucional të Shqipërisë në mbrojtje të pafajësisë së Hashim Thaçit. Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit
“Asnjëherë më bukur Kuvendi i Shqipërisë ndërsa mirëpret ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Balla gjatë takimit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit institucional dhe kombëtar.
Më 12 shkurt Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë ku shpreh mbështetjen për pafajësinë e ish-komandantëve të UÇK-së dhe i kërkon Dhomave të Specializuara në Hagë dhe institucioneve ndërkombëtare të garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt për dinjitetin e luftës çlirimtare.
Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e konsideruan kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për të dënuar me nga 45 vite burg ish komandantët e UÇK-së, një shtrembërim të rëndë historik. Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara në Hagë dhe institucionet ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar dinjitetin e luftës çlirimtare.
Komente











