21 mijë tifozë në stadium, por edhe miliona shqiptarë të tjerë besuan se Kombëtarja mund të ngjitet në Ligën A, por për shkak të disfatës 1-2 kundër Ukrainës kuqezinjtë edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të jenë në Ligën C. Pas ndeshjesh, edhe vetë futbollistët u shprehën se gabun shumë në këtë përballje, që ishte vendimtare.

“Besoj është e dyta herë që ndodh kjo gjë. Edhe me Çekinë na ndodhi në Pragë. Në minutat e para duhet të futemi me një përqëndim maksimal. Kur ekipi kundërshtar ka kualitet të dënon,”-u shpreh Qazim Laçi, futbollist i kombëtares.

“Kjo ka qenë pjesa e parë e jona më e keqe në tre vitet e fundit. Dy golat ishin shumë shumë shpejt. Për 5 minuta pësuam dy gola dhe më pas ramë shumë poshtë,”-tha Ardian Ismajli, kapiten i kombëtares.

“Nuk e besoj një nga sfidat më të dobta, por besoj pjesa e parë më e dobët po. Të pësosh 2 gola në shtëpi pas 10 minutash është problem. Kemi luajtur shumë keq në pjesën e parë në mbrojtje, por në të dytën kemi bërë një ndeshje të mirë. Tani s’morëm pikë dhe do luajmë një ligë më poshtë,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares.

Përpos rezultatit, Myrto Uzuni i cili fitoi penalltinë e ekzekutuar nga Bajrami, ishte i zhgënjyer edhe për minutat e dhëna në dispozicion nga Sylvinho, pasi edhe kundër Ukrainës u aktivizua si zëvendësues.

“Te ekipi i Granadës unë luaj si sulmues dhe jam çdo ndeshje titullarë i padiskutueshëm. Nuk luajta kundër Çekisë dhe besoja se do luaja kundër Ukrainës sepse unë jam lojtar hapësirash dhe bëj shumë presion. Do krijonim raste,”-tha Myrto Uzuni, futbollist i kombëtares.

Autori i golit të parë për Ukrainën, njëkohësisht edhe lojtari i ndeshjes, Oleksandër Zinchenko i cili aktivizohet me Arsenal, vlerësoi Shqipërinë në këtë përballje.

“Shqipëria sinqerisht është një ekip i shkëlqyer, me trajner të fantastik. Unë njoh Pablo Zabaletën që nga koha e tij te Manchester City. Gjithashtu këtu e ndjen atmosferën brenda dhe jashtë fushë, se si lojtarët luftojnë për njëri tjetrin dhe mund të them se ishte shumë e vështirë të luash këtu,”-deklaroi Oleksandr Zinchenko, futbollist i Ukrainës.

Më keq nga të gjithë, të paktën nga mimika, disfatën dhe vendin e fundit në grup e përjetoi Sylvinho.

“Ndihem i trishtuar për humbjen sepse kemi punuar gjatë gjithë kohës për të fituar. E pësuam sepse luajtëm shumë keq në 15 minutat e para dhe paguam çmimin për këtë. Në nivel të lartë këto gjëra nuk falen,”-u shpreh Oleksandr Zinchenko, futbollist i Ukrainës.

Ndeshjet e ardhshme të kombëtares do jenë në muajin mars, ndërsa më 13 dhjetor do të njihet me shortin për kualifikueset e Botërorit.