'Sylvinho la për të dëshiruar, Kombëtarja ekip mendjemadh', Ditmar Bicaj për Report TV: Duhen emra të rinj, disave ua veshim fanellën me zor

'Sylvinho la për të dëshiruar, Kombëtarja ekip mendjemadh', Ditmar Bicaj për Report TV: Duhen emra të rinj, disave ua veshim fanellën me zor

Ditmar Bicaj për Report TV

TIRANË - Dështimi i Kombëtares dhe humbja 1-2 kundër Ukrainës në Tiranë sollën rrëzimin e kuqezinjve nga Liga B në atë C në Ligën e Kombeve. Për ecurinë e ekipit në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu foli edhe Ditmar Bicaj.

Ish-futbollisti i Kombëtares tanimë drejton në stol Burrelin dhe komentoi zgjedhjet taktike dhe teknike të Sylvinhos, teksa sipas tij në disa raste lënë për të dëshiruar. Ekipin kuqezi Bicaj nuk e sheh me "këmbë në tokë" dhe në disa raste mendjemadh, pas Euro 2024. Emra të rinj dhe më shumë minuta për individë të caktuar, kështu e sheh Ditmari të ardhmen e ekipit.

"Dy takimet e fundit na lanë një shije të hidhur, duke parë që ndeshjet i kishim në shtëpi dhe kalendarin në favor. Nga gjashtë pikë të mundshme siguruam vetëm një dhe vinim pas fitores në Gjeorgji që na mbushi me shpresa.

Ndeshja me Ukrainën nuk ka vend për diskutim, sidomos për 45 minutat e para. Ekipi ynë kur ka dëshirë luan mirë dhe u hap punë kundërshtarëve, sidomos kur luajmë me topat poshtë. Kishim një lloj shprese për marrjen e asaj pike kundër Ukrainës, që do na dërgonte në vendin e dytë dhe do provonim në play-off.

Ecuria pas Euro 2024 - Pas Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, treguam se mund të bënim më shumë. Në Ligën e Kombeve treguam oshilacione, duke parë që kishim rivalë direkt. Në Kombëtare duhet të ketë emra të rinj, sepse duket se ka individë që ua veshim fanellën me zor.

Krisjet dhe pakënaqësitë - Ne jemi vend i vogël dhe lajmet dalin. Uzuni dhe Ismajli duhet të kishin më shumë hapësira. Uzuni u pa në sfidën e fundit që ishte në formën e tij, atë që duam, sepse e kemi aset dhe vlerë të shtuar. Ismajli edhe pse nuk mori minuta në Evropian, gjen forcë dhe bën ndeshje perfekte në Ligën e Kombeve. Sylvinho sheshoi klimën në dhomat e zhveshjes para Euro 2024 dhe nuk u duk asgjë në fushë. Pas Evropianit Sylvinho si në dhomat e zhveshjes dhe në zgjedhet taktike lë për të dëshiruar.

Lista - Futbolli vjen në bazë të performancës, nëse nuk bën ecuri të mirë atëherë ka emra të tjerë. Rradha për në ekipin Kombëtar është e gjatë. Balliu, Uzuni, Hoxha, apo Muçi mund të preferoheshin nga minuta e parë, të kenë më shumë minuta.

Shorti për Botërorin dhe ëndrra për në grupe - Na duhet një ekip me këmbë në tokë dhe jo mendjemadh. Më duket se pas Euro 2024 jemi bërë mendjemëdhenj dhe i shohim ekipet e tjera sikur janë më poshtë. Ne nuk jemi ekip i madh, kemi ekip që kur futemi me 100 përqindëshin tonë marrim më të mirën. Me Gjeorgjinë në Tiranë e pamë se çfarë ndodhi. Kur jemi të bashkuar, kur bëjmë presing dhe luajmë topin poshtë dalim me pikë nga fusha e lojës. Forca jonë është dëshira dhe grupi. Duhet të bëjmë atë që kemi bërë para Euro 2024.

Si po ndiheni si trajner i Burrelit - Kam shumë pak kohë që e kam lënë futbollin. Si fillim një përvojë e vogël te Flamurtari si ndihmëstrajner dhe falenderoj Dritan Resulin që më besoi. Te Burreli është një punë e vështirë, por unë e dashuroj se më jep adrenalinë. Çdo javë është provim për ne, për futbollistët dhe stafin", tha Ditmar Bicaj.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë