Kombëtarja ka mundësinë që të ëndërrojë, për kualifikimin në Botërorin 2026. Shqipëria e mbyll Grupin K kualifikues në vendin e dytë, kjo pas fitores 0-1 në Andorra me golin e Kristjan Asllanit në minutën e 67-të. Ky rezultat, kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në Angli, i dha të drejtë Shqipërisë për në play-off.

Pas fitores Sylvinho shpërtheu në dhomën e zhveshjes, ndërsa skuadra po e priste. Festë legjitime nga braziliani, që e ka komentuar.

“Ishte një shpërthim emocionesh të pastra dhe të sinqerta. Sigurimi i një vendi në fazën play-off të Botërorit 2026 ishte rezultat i punës së palodhur të shumë njerëzve. Futbollistëve, stafit të trajnerëve, punonjësve dhe drejtuesve… të gjithëve që punuan për të njëjtin qëllim. Një projekt që filloi pothuajse tre vjet më parë dhe që vetëm është rritur me kalimin e kohës. Shumë i lumtur për këtë arritje historike. Forca Shqipëri”, shkruan Sylvinho në rrjetet sociale.

Tanimë skuadra do zbresë në fushë më 16 nëntor në Tiranë, ku vizitor në "Air Albania" do jetë Anglia. Sfida e orës 18:00 është e fundit për Grupin K kualifikues dhe nuk ka vlerë për renditjen në grup. Anglia është e para në renditje dhe ka siguruar biletën për në finalet e Kupës së Botës 2026, teksa Shqipëria zyrtarisht është në vendin e dytë dhe do luajë në play-off për të synuar fazën finale të eventit që verën e ardhshme zhvillohet në Amerikën e Veriut.