Symbyllur në zhvillimin intelektual e shpirtëror

Symbyllur në zhvillimin intelektual e shpirtëror
Edhe nëse jeta juaj është ajo e një engjëlli mbi Tokë, edhe nëse njerëzit që ju rrethojnë janë engjëj gjithashtu, prap nuk mjafton. Kjo verë ishte dëshmitare e disa ngjarjeve rrënqethëse: një pacient dogji një tjetër pacient në një spital e vdiqën katër njerëz si në Ferr, daja masakroi nipin, babai përdhunoi të bijën.  Mbi këto lajme të rënda, nuk është e para herë që në shoqërinë tonë, në opinionin që shprehet lehtësisht nëpër rrjetet sociale (liri e paçmuar e kohëve të Internetit), ngrihen re të zeza të moralit. Shqiptarë të moshave, profesioneve e kulturave të ndryshme bëjnë moral për fshehjen e lajmeve të kronikës së zezë, duke harruar se edhe nëse fshihen, problemi, tmerri, shëmtia, sërish ekziston. Mes nesh.

Kur në Austri u zbulua një monstër që mbante një vajzë të ngujuar prej dhjetëra vitesh e kishte bërë fëmijë me të, austriakët u shokuan me ngjarjen dhe pakkush replikoi se pse tregohet tmerri, ferri i krijuar nga ai njeri në tokë. Kur në SHBA zbulohet një serial killer me gjithë makabritetet e kryera, pakkujt i shkon në mendje të shkruajë apo të thotë se përse i tregohet gjithë botës ngjarja. Ndërsa në shoqërinë tonë, falë edhe lehtësisë që krijojnë rrjetet sociale për të kuptuar mendimin kolektiv dallon diçka: Dëshirën e përgjithshme të njerëzve për të mbyllur sytë në vend që të gjithë bashkë t’i hapim më shumë ato, si mësim për të kuptuar e për t’u përmirësuar. Si një mësim për të krijuar një shoqëri më miqësore me njerëzit më të brishtë dhe në nevojë.

Që brenda qënies njerëzore fshihen kapacitet të frikshme dhune pa cak këtë e kemi ditur me kohë. Atëherë nga çfarë habitemi sot? Vallë nuk kemi parë pikturat e Karavaggio-s me dhunën e paparë? Nuk kemi lexuar Ferrin e Dantes me përpëlitjet në rrathët e tij të veseve njerëzore? Shumëve u pëlqen ta çojnë Ferrin në një botë të përtejme, pas vdekjes, por jo. Dante ka vënë në Ferr të babëziturit, tradhëtarët, kurnacët, epshorët etj. sepse i ka parë këto vese në shoqërinë tonë, si atëherë, në agim të civilizimit, edhe sot. Eshtë e vërtetë. Artistët më të mirë shohin gjëra që njerëzit normalë as arrijnë t’i mendojnë dhe pikërisht për këtë arsye ekziston Arti i bukur dhe letërsia e mirë, për të zgjuar atë pjesë të popullatës që sipas Oshos, “në gjithë ekzistencën e vet mbi tokë vetëm vegjeton”.

Atëherë, për shumë nga ne ka një rrugë për të zgjedhur: Do të jetojmë symbyllur në këtë Tokë? Apo do të jemi qënie të ndërgjegjësuara sidomos përballë të shëmtuarës dhe rrezikut që brenda çdo njeriu pluskon?
Kur Frojd, Jung, rrëmuan në psikën kolektive, e sidomos familjare të njerëzimit dhe nxorrën përmes ëndrrave dhe subkoshiencës papastërti që do të rrënqethnin këdo, nuk ishte thjesht një lojë apo një pasion për t’u bërë të famshëm. Studimet e tyre janë pasuri për Njerëzimin që gjithëseicilin ta ndriçojnë e ndihmojnë për të parë më qartë.

Sa më mirë sheh një individ, sa më dritë ka në mendjen e tij, aq më shumë civilizim ka në shoqërinë ku jeton. Njerëzit më të ndriçuar që kanë jetuar mbi Tokë (dhe janë vërtetë pak) kanë ofruar të gjitha mjetet për të hapur sytë e njerëzve, për t’i bërë të jetojnë me elegancë, kujdes, etikë dhe estetikë në Tokë. Por a ka arritur puna dhe mendimi i tyre si informacion për masën? Në Shqipëri, duket kaq pak... dhe zhgënjimet e reagimet me një injorancë të thellë dhe prerje Inkuzicioni vijnë edhe nga nuk e pret.

Kur Platoni përcjell mendimet e Sokratit, mbi 400 vite para Krishtit, se “të babëziturit për parà në pushtet, janë fatkeqësia më e madhe që mund të godasë një qytet”, unë nuk e di se çfarë mund të shtojë një analist mjeran i një vendi kaq të vogël e të bllokuar në zhvillimin intelektual e shpirtëror. Atëherë, cili duhet të jetë reagimi i një shoqërie të sëmurë nga delire, narcizizëm, që asgjë të vërtetë nuk arrin të shohë veç imazhit të deformuar e fals përballë pasqyrës në banjot e çdo shtëpie?

Mendoj se vetëm një gjë mund të na shpëtojë, dhe nuk e kam shpikur unë, thjeshtë bëj timen atë që Ndriçuarit e botës si perla mençurie na kanë lënë: Vetëm E Vërteta, Dituria, E bukura përmes artit më të mirë, dhe Dashuria pa kushte, mund të na përmirësojnë. Rrugët e tjera që ofrohen nga moralistë symbyllur të një shoqërie që kërkon ende të gjejë rrugën e civilizimit, janë vetëm për t’u hedhur në kosh. Në  koshin më të afërt që gjejmë, e ndoshta vetëm kështu shpëtojmë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë