Kombëtarja shqiptare do të ndryshojë jo pak në përbërje për ndeshjen me San Marinon të martën në krahasim me disfatën kundër Finlandës. Për shkak se Etrit Berisha është i pezulluar si pasojë e kartonit të kuq, Rolando Maran ka thirrur nga kombëtarja U-21 Simon Simonin, i cili fillimisht u ftua nga kombëtarja A.

Në drejtim të kundërt kanë shkuar dy lojtarë. Mbrojtësi Samuele Sina, por edhe mesfushori Feta Fetai janë bashkuar me kombëtaren U-21 për shkak të sfidës miqësore kundër Ukrainës, që vlen për përgatitjet e evropianit u-21 bashkë me Serbinë. Ndërkohë është rikuperuar mesfushori Luis Hasa që do të jetë në dispozicion të kombëtares për ndeshjen e 4 në Ligën e Kombeve.

Të martën Shqipëria luan për të marrë 3 pikët kundër San Marinos, por edhe për të shpresuar te rikthimi në vend të parë, pasi Finlanda kryesuese do të luajë kundër Bjellorusisë, që gjithashtu ka pretendime për dy vendet e para.

UEFA ndërkohë ka caktuar edhe arbitrat për ndeshjen në Ligën e Kombeve. Kundër San Marinos do të jenë 6 gjyqtarë nga Turqia me kryesor Mehmet Turkmen. Për Shqipërinë arbitrat kanë qenë sëfundmi shumë të diskutuar, pasi fillimisht trajneri Rolando Maran, por edhe disa prej futbollistëve bëjnë fajtor arbitrin Rob Hennessi nga Irlanda për humbjen kundër Finlandës.