“Shqiptarja.com” botoi dje një material, për të cilin, është e rëndësishme të thuhet, se e kanë patur disa redaksi gazetash prej kohësh dhe që të gjitha pa përjashtim kanë refuzuar ta botojnë. Edhe pse bëhet fjalë për një implikim të rëndë, që bëhet pas një masakre të pashembullt ndaj Policisë së Shtetit, ndaj katër heronjve të saj, për të cilët, që në momentet e para pas vrasjes, u tha se ishin shitur nga “lart”.

“Shqiptarja.com” nuk iu kthye akuzave, që deri tani janë thjesht “fjalë në erë”, por solli një material, për të faktuar që procesi ndaj vrasësit të atyre 4 policëve, sipas policisë duhet të bëhej jashtë syrit të publikut.

Policia dje merrej me lojëra fjalësh, se nuk ishte urdhër, por një sugjerim, pa arritur të mohojë se një sugjerim i tillë është bërë vërtetë nga Policia. Nëse do donte të ishte transparente duhet të ishte e interesuara e parë që gjyqi të bëhej i hapur, siç u bë hapur dhe live, në sytë e qindra pushuesve në plazhin e Durrësit, vrasja e shumëfishtë. Me këtë rast ajo hiqte edhe merakun e “fjalëve në erë” që u thanë për dekonspirimin e aksionit të policëve të vrarë.

Policia e Shtetit duhet të tregohet e sinqertë dhe të mos bëjë lojë të dyfishtë: nga njëra anë të tregojë se kërkon të respektojë drejtësinë dhe nga ana tjetër duke kërkuar kompetencat hetimore të prokurorisë, pushtete të ndara me kushtetutë. Asaj duhet t’i vijë turp që ishte vegla e qeverisë në pengimin e hetimeve të masakrës së 21 janarit, apo në disa vrasje me sfond politik dhe pse po zhbën milionat e asistencës së huaj, të dhënë pa kursim për një polici jopartiake.

Nëse vërtet ministër i Brendëshëm është Bujar Nishani dhe jo ndonjë zv/drejtor, siç flitet lart e poshtë, le të respektohet linja e ministrit që e shprehu hapur dy ditë më parë dëshirën që policia e shtetit të ketë kompetencat e prokurorisë për hetimet. Pra Policia e qeverisë, të jetë edhe prokurori, ose “vetë ali, vetë kadi”. Duke (mos) gënjyer veten.