E kam fjalën për mashtruesit, vjedhësit e pasurisë publike e të qytetarit. Marrja borxh në banka është një tendencë urbane ku për çudi shquhen kategori shoqërore të shtresave të mesme e të larta. Është shndërruar në epidemi. Shfaqet rëndom mes punonjësve të organeve të drejtësisë e njerëzve me pushtet.
Ata nuk janë në mendime si banorët e periferisë që nuk dinë se çdo të ndodhë të nesërmen, që nuk kanë ndjesi për të ardhmen, madje s’kanë as garancinë “kolateral” (që kur ju kërkohet, termin nuk e kuptojnë). Përkundrazi, janë të mbrujtur me idenë europiane për të garantuar të ardhmen e tyre, kopështin e tyre të lumturisë, mbahen përbukuri, por paga e tyre medemek nuk mjafton për të bërë investimin largpamës, madje nuk mjafton as për të mbuluar udhëtimin dhe biletën e takimit të radhës të El Clasicos.
Atëherë, ata vishen bukur dhe duke përdorur një kostum të hijshëm e një kravatë ngjyrë të ndezur, i drejtohen bindshëm bankave të nivelit të dytë për të marrë borxh. Ata i kanë kthyer kurrizin halleve të shoqërisë, por jo “halleve” personale, ndaj u duhet borxhi për ta përdorur si mashtrim, për t’u hedhur hi syve organeve që kanë si mision kushtetues kontrollin e pasurisë në zotërim. Në kësi rrethanash do ndeshni si borxhlinj ndaj bankave edhe pjestarë të familjeve që kanë fituar statusin “Familje të Mëdha”. Kujdes: s’kanë asnjë lidhje me ato që shkrimtari francez, Moris Dryon përshkruan në triologjinë e tij të shek. 19 për fisnikët, por po i quajmë “të mëdha” sepse mbahen me të madh dhe ndjehen deri diku të paprekshëm. Janë ish të barabartët në varfëri, që u tha dikur se u nisën me gjithë të tjerët nga i njëjti start, me ndryshimin se u ngjitën, u kapën, u kacavjerrën pas të parit të fisit, ndaj majave të pushtetit e politikës, mundim që ju shlye me pasuri.
Bankat tona, siç edhe ato në botë, afrojnë kredi bankare, japin borxh kundrejt interesave. Kur te klienti krijojnë besim ato vlerësojnë kërkesën e tyre. Një kontratë kredie me një bankë nënshkruhet lehtësisht kur të dhënat e të ardhurave garantojnë pagesën e borxhit dhe interesave. Është e natyrshme që banka të sigurojë së bashku me kontratën edhe garancinë në kolateral, deri në shlyerjen e kredisë. Mbi këto kushte e praktika bankat sigurojnë fitime të ligjshme, ndaj reklamojnë parreshtur: "Ejani në bankën tonë. Ne kemi para për të dhënë kredi për ju”. Në vitrinat ose ambientet e brendëshme të bankave qytetarë dhe klientët e saj këtë reklamë, herë-herë, e shohin të shoqëruar me postera të mëdhenj, ku shfaqen një çift i lumtur me dy fëmijë po aq të lumtur, me tipare nordike.
Deri këtu s’është se ka ndonjë gjë që s’shkon, por, ashtu si dardha dhe ky borxh për disa e ka bishtin mbrapa. Sa normale do të ishte nëse kredimarrësi, në kushtet që përcakton kontrata për përmbushjen e detyrimeve, do shtrëngonte rripin, do privonte familjen nga kënaqesitë, do bënin një jetë të përkorë për të kursyer, që të përmbushin në kohë pagesat e likujdimin? Kur je pronar i hapsirave të bollshme të banimit, ke në Lalëz dhe një vilë në “bllokun e ri të udhëheqjes”, ke në përdorim automjete të shtrenjtë, fëmijën e ke me studime në Londër, aksesorët e shtrenjtë e luksozë në duar, shprehje e budallallëkut dhe pangopësisë tënde, rezëllijnë dukshëm, për më tepër je në pronësi edhe të disa hektarëve tokë, e sëbashku këto nuk gjejnë dot shpjegim me pagën që merr, nuk duhet ndonjë zotësi e madhe për bërë lidhjet mes një kredie të tërhequr dhe arsyes. Pra: pasja e një borxhi dhe se ajo mund të ndikojë në krijim kurthesh të historisë tuaj të të ardhurave, është e mbetet motivi. Përmes kësaj kredie je në gjendje t’i futësh organet e kontrollit(nëse ka në veprim të tilla?) në qorrsokak.
Dinakëria e tyre shkon në raport të drejtë me dobësinë e shtetit. Sekreti i “mënçurisë” të kredimarrsëve përfshin ngatërrimin e tre lloje të ardhurash: paratë ligjore që vijnë nga paga, paratë e pasuri të tjera që vijnë nga veprimtaria kriminale, korrupsioni e mitmarrja, shpërdorimi i detyrës, shkelja e ligjit, trafiku i influencës, etj. Lloji i tretë janë paratë e marra borxh. Janë ato që shërbejnë si mbulesë e mbrojtje, për t’i dhënë përgjegje opinionit, por sidomos Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Është kjo strukturë e administratës së lartë shtetërore që ka detyrimin të kryejë një hetim e të nxjerrë përfundime; janë gjithashtu të ngritura pranë institucioneve financiare dhe të prokurorisë edhe struktura të tjera hetimi. Askush deri tani nuk ua ka parë dobinë, asnjëherë ato nuk ua dolën në krye punëve që u diktonte statusi, ndaj dhe në qerthullin e krijuar shoqëria detyrohet të planifikojë sipërmarrje radikale, siç është kontrolli tërësor, atë që e quajtën Veting, nëse vërtet dëshira do t’ja mbërrijë qëllimit. Edhe në ndonjë rast kur këto struktura janë orvatur të fitojnë një terren të qendrueshëm, punët u kanë shkuar mbrapsh për shkak të ndërhyrjes së politikës.
Kjo kategori qytetarësh nuk ka pse të jetë e pranishme në jetën time, sepse nuk më lidh gjësendi me ta, por rasti e ka dashur të njoh prej tyre. Këtyre burrave (dhe grave) nuk ua kupton dot fytyrat, por mund t’u shohësh arrogancën dhe dehjen. Njëri prej tyre më fliste me aq krekosje, duke dashur të më tregonte se zotëronte pasuri me të cilat mund të më shkelte. Janë dhe mbahen si të veçantë, por më e veçanta e tyre është se janë njerëz të rënë në para.
Mos i urreni po deshët! Prapësia dhe fati i keq që ka ndjekur Shqipërinë e shqiptarët në periudhën e tranzicionit kultivoi një shkujdesje të dëmshme ndaj pasurive të krijuara prej individësh të cilët nuk kanë ushtruar biznes dhe s’kanë patur fitime nga prodhimi, shpërndarja apo tregtimi i mallrave. Respekt për shtresën e biznesit dhe pasurinë që ata kanë vënë, shpreh admirim për ta, siç shpreh dhe rreptësi ndaj arbitraritetit të pasurive që duan t’i fshehin pas kredive bankare! Absurditeti i justifikimit të pasurive të deklaruara gjen këto ditë maja idiote, kur milona deklarohet të mbulohen me fitime në skedina futbolli!? Kushdo që kërkon të vihet në kërkim të të vërtetës ndihet sikur pluskon në një montazh surrealist dhe të krijohet ndjesia sikur edhe kjo protestë përmes këtij shkrimi i ngjan më së shumti nënshtrimit.
Përmes procesit të shthurjes që pësoi shoqëria shqiptare dhe përmbysjes së vlerave, kaq thellë është rrënuar morali i qëndrimit ndaj këtyre shfaqjeve sa nuk ke asnjë besim se do ndryshojmë, pa hequr qafe këtë skotë që ka kapur për gryke elitën politike, plot individë të administratës shtetërore dhe organet e drejtësisë. Kam bindjen se do t’i besohet e do t’i ngelet ky mision brezit rinor të tashëm, që i shqetëson shëndeti i atdheut. Me fjalë të tjera, zhdukja e fenomenit të “borxhlinjve” që duan përmes tyre të mbulojnë vjedhjet e pisllëqet e ndyra që kanë bërë ndaj pronës publike dhe popullit, s’do vonojë të bëhet.
Është fabrikim i trashë, mund të shprehet ndokush, por hajde e gjeje fijen nga do kapesh për të kapur grabitësit e mashtruesit që marrin kredi për të mbuluar vjedhjet! Gjithësesi, pavarësisht lulëzimit të sëmundjeve e të sëmurve moralë, laku kohor po ngushtohet. “...sa gjë e pëlqyer-shkruante dikur Konica-të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës”.
dy.b/shqiptarja.com