TIRANË - Gazeta “Shqiptarja.com” ka zbardhur ndryshimet kryesore ligjore që propozohen për trajtimin e ish-të dënuarve të epokës së komunizmit, nga Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve. Sipas draftit, i cili do të paraqitet brenda shtatorit në Qeveri, të internuarit në tela me gjemba (nga 1945-1954) do fillojnë të trajtohen me dëmshpërblim nga viti vijues në përputhje me ligjin në masën 1 mijë lekë dita. Po ashtu, një prej neneve të tjerë parashikon që të internuarit, të cilët janë gjallë do trajtohen me prioritet në raport me trashëgimtarët (ata që jetojnë do futen te fondi prej 70%, trashëgimtaret e te internuarave tek fondi 30% i buxhetit vjetor). Nga ana tjetër, propozimet për ndryshimet ligjore parashikojnë hapjen e mundësisë së aplikimit për njohjen e statusit të të përndjekurit për kategorinë parësore të ish të dënuarve, duke qenë se aktualisht  aplikimet janë mbyllur që në vitin 2009.

Projektligji
Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve konfirmon se drafti po përpunohet nga një grup pune në të cilin bëjnë pjesë ekspertë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë e Financave, ndërkohë që thekson se në thelb të nismës për ndryshime ligjore qëndron komuniteti i të përndjekurve të epokës së komunizmit. Në një reagim zyrtar për “Shqiptarja.com”, Ministria e Mirëqenies ka bërë me dije se ka një nismë për ndryshime në ligjin për trajtimin e ish të përndjekurve të epokës së komunizmit, por se ajo është ende në fazën fillestare.

Kriteret
Ligji aktual parashikon që ish i përndjekuri ose familjarët, për të përfituar të drejtën e dëmshpërblimit duhet që së pari të
të plotësojnë kriterin që personi të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991. Tjetër kusht është heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë. “Të kenë fituar pafajësinë, sipas ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, thekson ligji.
 
 
Përllogaritja, masa e dëmshpërblimit për çdo dënim
 
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, në masën 2,000 lekë në ditë. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1,000 lekë në ditë. për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më.
 
 
Kriteret për shpërndarjen e dëmshpërblimit
 
Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet ndahen në mënyrë proporcionale për të gjithë ish të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1,000,000 lekë. I njëjti mekanizëm përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që, në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100,000 lekë. Asnjë ish i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi.

Shkrimi u publikua sot (01.09.2015) në Shqiptarja.com, versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)