Një ditë pas tragjedisë që ka prekur Italinë, për shkak të një serie tërmetesh e ku mes viktimave mbeti i vdekur edhe Erion Toro, sot kamera e Report Tv ka qenë në familjen e tij, aty ku familjarët kanë hapur dyert e mortit.

Mes lotësh, xhaxhai i Erionit, Pëllumbi, i ka bërë apel shtetit shqiptarë që të ndërhyjë për të sjellë sa më parë trupin e pajetë të nipit të tij, me qëllim që familjarët ti bëjnë edhe nderimet e fundit.

Ai ka shtuar se nga ngjarja, gruaja e Erionit është plagosur në gjymtyrët e poshtme, ndërkohë që dy fëmijët e tij janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas të afërmve, pas pak ditësh ai bashkë me gruan dhe 2 vajzat do të ktheheshin në Shqipëri për pushime. 

Kam pasur një nip të mirë të mrekullueshëm që e respektonte fshatin. Ai do të vinte pas pak ditësh, por ja që fati nuk e deshi. Aty kemi edhe nipërit e mbesën. Nuk e besonim një lajm të tillë. Krijuam shpresa se ishte gjallë, por ja që fati nuk e deshi. Trupi i tij është gjetur nën rrënoja. Përmes jush, i lutem shtetit që të na sjellë sa më parë trupi i pajetë i nipit tonë në mënyrë që dhimbja të mos shtohet. Dy vajzat janë mirë, por gruaja e tij i ka dy këmbët të thyera” tha xhaxhai.
 
Ndërsa halla e Erionit thotë se, “Kërkojmë nga autoritetet që të na sjellin trupin e pajetë të Erionit. Nëna e tij është e sëmurë, po ashtu edhe motrat e tij”.

Erion Toro, i moshës 33 vjeç, jetonte prej disa vitesh në zonën e Amatrises së bashku me bashkëshorten dhe 2 fëmijët. Ai kishte afro 15 vite që jetonte në qytezën e Amatricies dhe vitet e fundit ai kishte ndërtuar edhe familjen e tij aty.

Toro ka emigruar në Itali që në moshën 18 vjeçare dhe që në fillim u vendos në qytezën Amtricias. Vitet e fundit ai punonte në ndërtim dhe njihej në zonë si një djalë i qetë dhe i respektueshëm.
 
Erioni ishte djali i vetëm i familjes Toro. Ai kishte tre motra, dy prej të cilave emigrante në Greqi, ndërsa prindërit e moshuar jetojnë vetëm në fshatin Kurjan të Fierit.