Të trembim frikën

Të trembim frikën
Trembem dhe unë duke ecur në mbrëmje rrugës për shtëpi. Dje, më shumë se ndonjë ditë tjetër. Nëse rastësisht apo qëllimisht, ato plumba që u shkrepën për dy vajza të reja 35 dhe 25 vjeçare në Tiranë, ndonjë ditë mund të drejtohen drejt meje? Drejt teje? Drejt të gjithëve?
Ankthi i së enjtes në mbrëmje, nuk ishte vetëm i vajzave. Ishte i çdo familjeje shqiptare. Nënat dhe baballarët, ndërsa dëgjonin në ekranet e televizioneve se dy vajza janë qëlluar me armë në kryeqytet, në zemër të tij, nxituan të telefonojnë vajzat e tyre kudo që i kishin. Vetëm për t’i dëgjuar zërin. E ç’ndodh? Blogjet e ndryshme u mbushën me komente, edhe të tipit: po ja konviktore, pse bredhin me dashnorë!!! Ndërsa Megi, luftonte me vdekjen në sallën e operacionit tre orë me radhë, vetëm se qëlloi rastësisht në momentin e gabuar, në vendin e gabuar.
Debatet, zgjatën vetëm pesë orë. Më pas fillon normaliteti. Policia bën mbledhje për tre orë, por vrasjet, ende nuk kanë një autor që është arrestuar. Qytetarët kthehen në punërat e tyre duke thënë: sa gjynah të shkretat.
Asnjëra nga vajzat, as Eleni farmacistja, as Megi stomatologia, nuk kanë qenë vajza për gjynah. Të nderuara dhe respektuara në pozicionet dhe kualifikimet e tyre. Vajza të shkolluara. Krejt të reja në moshë, pa e shijuar dot jetën deri në fund siç do të kishin ëndërruar. Po ne? Të mbërthyer në hallet e ditës, në varfërinë që na këput shpirtin, mbetur pa punë e pa shpresë, endemi sa në një kanal televizioni tek tjetri, duke shkuar nga një histori vrasjesh, tek një histori romësh që kërkojnë strehim në zyrat e Avokatit të Popullit.
Tani, vetëm një gjë duhet të na japë kurajo për të ecur: të trembim frikën. Nuk jemi në Shqipërinë e pasigurt dhe plot shpresë të viteve 90, as në Shqipërinë plot krime dhe pa shpresë të vitit 1997. Jetojmë në shekullin e 21-të dhe duhet të gjejmë kurajon për të thënë stop: për të kërkuar llogari nga ata që kemi zgjedhur për të na krijuar një jetë të sigurt. Dje në mbrëmje, ndërsa kërkonim informacion nga zyrtarët e policisë për viktimat dhe mënyrën sesi kishte ndodhur ngjarja, në anën tjetër të telefonit polici, i irrituar përgjigjej: Për cilin nga krimet e ke fjalën!!!! Tmerr. Tani ato vajza, janë thjesht një statistikë.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin