Tragjedia e rëndë në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën kur u përplasën për vdekje nga Nikoll Radaçi teksa luanin futboll pranë banesës së tyre në zonën e ish-Kënetës, ishte në fokus të debatit në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV.

Ekspertët e ftuar në studio, kërkuan masa shumë më të ashpra ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit, sidomos në zonat e banuara.

“Kodi rrugor duhet të ndryshohet. Duhen marrë masa drastike ndaj njerëzve që ecin me shpejtësi në zonat e banuara, para shkollave, dhe tek vijat e këmbësorëve. Duhet të funksionojnë masat administrative deri në heqjen e patentës. Ligji duhet të ndryshojë jo nga 1 muaj në 18 muaj, por këtij personi që ka precedentë në shpejtësi dhe në pije dhe çdo njeriu tjetër, duhet t’i hiqet në mënyrë të përhershme patenta. Duhet të ketë penalitete më të ashpra, të shkojë më lart se 20,000 apo 30,000 lekë. Të rritet masa e dënimit që personit që kryen shkeljen t’i djegë xhepi fort. Këto duhet të jenë të zbatueshme dhe jo të falen. Këta njerëz duhet ta harrojnë patentën për të gjithë jetën. Nuk është zgjidhje ndryshimi i Kodit Penal, përkundrazi, është propagandë. Kodi Penal i vjetri ofronte 5-25 vjet burg dhe me ndryshimet e 2016-ës u hoq tavani i maksimales për burgim dhe sot është 5-20 vjet. Kjo masë dënimi është proporcionale në raport me shkeljen. Duhet të funksionojë parandalimi” tha ish prokurori Ervin Karanxha

Për avokatin Rezart Kthupi, problemi në Shqipëri qëndron tek mënyra se si zbatojmë ligjin.

“Ne nuk e kemi problemin tek ligji por tek mënyra se si zbatojmë ligjin. Nëse ky individ nuk do i jepej më patenta, ky aksident nuk do të ndodhte. Detyra e institucioneve shtetërore dhe e Policisë Rrugore është që kur konstaton një shkelje administrative, zbatoje atë që thotë ligji dhe mos bëj zgjedhje preferenciale. Heqja e patentës është akt administrativ që zbatohet nga Policia Rrugore. Prokuroria dhe gjykata nuk kanë asnjë lidhje me procesin” tha Kthupi duke vlerësuar masën e pezullimit të Policisë së Durrësit ndaj disa efektivëve lidhur me këtë çështje” tha Kthupi.

Ndër të tjera, avokati komentoi shkarkimet në Polici që pasuan tragjedinë duke e cilësuar si një veprim të drejtë në aspektin moral.

“Ndonëse efektivisht ata mund të mos kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, moralisht gjesti ishte për tu vlerësuar sepse tregon që Policia duhet të mbajë moralisht përgjegjësi për atë që ka ndodhur” tha Kthupi.