Gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti tonet kritike ndaj mënyrës sesi qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian,
Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin e Çështjeve Europiane dhe është angazhuar në procesin e integrimit që prej vitit 2009, akuzoi qeverinë se e ka kthyer integrimin europian në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa sipas saj mungojnë debatet reale dhe reformat konkrete.
“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” deklaroi Tabaku.
Sipas saj, Parlamenti nuk mund të funksionojë thjesht si një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektin që këto ligje kanë në jetën e qytetarëve. Një pjesë e fortë e kritikave të deputetes demokrate u fokusua tek lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një panoramë të deformuar për progresin në këtë fushë, duke theksuar se vetëm pesë rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.
“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale. Sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi,” tha ajo.
Deputetja e PD ndaloi edhe tek SPAK dhe propozimet e mazhorancës për ndryshime në nenin 252 të Kodit Penal, duke pyetur sesi këto iniciativa përputhen me standardet e kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Europian. Në qendër të kritikave të saj ishin edhe prokurimet publike, të cilat Tabaku i konsideroi si një nga burimet kryesore të korrupsionit në vend.
“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo.
Tabaku krahasoi situatën me Serbinë, ku sipas saj 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur. Ajo përmendi edhe raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit. Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe atë të investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, Tabaku kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit europian.
“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.
Ajo shtoi se prej tre vitesh ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.
Lajmi kryesor:
Integrimi në BE, kryenegociatorja Dhuka: Prioritet reformat territoriale e zgjedhore! 101 kushte për 31 kapituj! Opozita: Raport jo realist











