Tre ishin çështjet kryesore për të cilat kryenegociatores Majlinda Dhuka iu desh të jepte sqarime para Komisionit të Jashtëm teksa bëri një pasqyrim të procesit të integrimit europian. Opozita kërkoi më shumë informacion mbi çështjet që thotë se po bllokojnë integrimin, siç është dosja “Balluku” apo “AKSHI”, ndërsa u fokusuan edhe tek IPARD apo marrëveshjet e investimit me vendet jashtë BE-së. 

***

“A ka qenë çështja Balluku pengesë për IBAR-in? A pengon mbrojtja që i bën Rama Ballukut, Karçanajt në procesin e integrimit?”, tha Vokshi.

Ecuria e diskutimeve mes vendeve anëtare për raportin e vlerësimit për piketat e ndërmjetme dhe përgatitjen e qëndrimit të përbashkët mbi Shqipërinë për vijimin e bisedimeve, ishte një nga cështjet kryesore që opozita ngriti në komisionin e jashtëm, ku përballë kishte kryenegociatoren Majlinda Dhuka, e cila raportoi mbi procesin e intergimit europian të vendit

“Nuk ka asnjë vonesë, asnjë ngecje, është procedurë normale. Diskutimet janë të brendshme. Institucionet e drejtësisë do të vijojnë punën e tyre. Këtë vlerësim do ta japin vendet anëtare kur të marrin vendimin e tyre dhe ne do ta vlerësojmë kur të marrim përgjigjen e tyre”, tha Dhuka.

Në linja krejtësisht të ndryshme për qasjen ndaj integrimit, opozita kërkoi sqarime dhe për propozimin e kryeminsitrit Rama dhe presidentit serb Vuçiç, për anëtarësimin pa të drejtë vetoje.

“Kush është vizioni për anëtarësimin në BE. Është “full membership” siç u nis, apo “membership” i pjesshëm siç e ka propozuar Rama-Vuçiç?”, tha Vokshi.

“Edhe në vendet e BE shprehen mendime të ndryshme, ka përpjekje për te reformuar sistemin e votimit në BE, por deri tani nuk ka vendim”, u përgjigj Dhuka.

E pyetur nga deputeti Eno Bozdo mbi marrëveshjet që sipas tij duhen rishikuar, Dhuka renditi dhjetra që duhet të kalojnë në filtër, nëse janë apo jo në përputhje me politikat e BE-së.

Eno Bozdo: Marrëveshja e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara, shmang kushtin kryesor të BE-së që është konkurenca. Po e ndan vendin në 4 pjesë.

Majlinda Dhuka: Kemi një plan për rishikimin e 42 marrëveshjeve , ka ndodhur në çdo vend, për t’i afruar me politikat tregtare të BE. Kur të përfundojë analiza do të kemi konstatime nëse ka marrëveshje që duhen ndryshuar apo jo.

Zhbllokimi i fondeve të IPARD III, për bujqësinë, ishte një nga shqetësimet e radhës për opozitën, por situata mbeti sërish e paqartë.

“KE ka thënë se pa u kthyer të paktën 33 mln euro të vjedhura nga IPARD II nuk mund të ketë lëvrim të fondeve të IPARD III”, tha Erald Kapri.

“Nuk do të shprehem deri sa të presim vlerësimin e KE-së, që shpresoj të jetë pozitiv ose nëse kemi masa të tjera jemi të predispozuar për t’i zbatuar. Qëllimi ynë sigurisht është brenda këtij viti, por do të presim vlerësimin e KE për këtë çështje”, tha Dhuka.

Para Komisionit të Jashtëm, Dhuka bëri një përmbledhje të raportit të qeverisë për ecurinë e integrimit europian, duke theksuar se 101 kushtet e BE-së për mbylljen e 33 kapitujve janë përkthyer në 222 akte ligjore dhe nënligjore, prej të cilave 44 janë ligje, 78 vendime qeverie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Bllokimi i fondeve të IPARD, Dhuka: Presim vlerësimin e Komisionit Europian për planin e masave! Mund të krijohen kushte të favorshme për akreditimin

Lidhur me fondet e IPARD, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se është dorëzuar në Komisionin Europian paketa me planin e masave për aksesimin e fondeve, por refuzoi të shprehej lidhur me çështjen. Megjithatë, ajo tha se mund të krijohen kushte të favorshme.

"Shqipëria ka përgatitur një plan të detajuar me masat për përmirësimin e sistemit të menaxhimit, vetëkontrollit të fondeve që e ka konsultuar me Komisionin Europian. Të gjithë progresin e ka përcjellë në Komisionin Europian për vlerësim. Nuk do të shprehem në lidhje me këtë çështje derisa të presim vlerësimin e Komisionit Europian. Me marrjen e vlerësimit, shpresojmë të jetë pozitiv ose nëse na rekomandohen masa të tjera, jemi shumë të predispozuar për t’i planizuar. Mendohet se mund të krijohen kushte të favorshme edhe për akreditimin e IPARD. Qëllimi ynë është sigurisht brenda këtij viti, por do të shprehim vlerësimin e Komisionit Europian”, tha Dhuka.

Ora 13:03
Tabaku kritika qeverisë për integrimin: Procesi është kthyer në propagandë, Shqipëria nuk mund të jetë fabrikë ligjesh (VIDEO)

Gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti tonet kritike ndaj mënyrës sesi qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian,

Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin e Çështjeve Europiane dhe është angazhuar në procesin e integrimit që prej vitit 2009, akuzoi qeverinë se e ka kthyer integrimin europian në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa sipas saj mungojnë debatet reale dhe reformat konkrete.

“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, Parlamenti nuk mund të funksionojë thjesht si një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektin që këto ligje kanë në jetën e qytetarëve. Një pjesë e fortë e kritikave të deputetes demokrate u fokusua tek lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një panoramë të deformuar për progresin në këtë fushë, duke theksuar se vetëm pesë rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.

“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale. Sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi,” tha ajo.

Deputetja e PD ndaloi edhe tek SPAK dhe propozimet e mazhorancës për ndryshime në nenin 252 të Kodit Penal, duke pyetur sesi këto iniciativa përputhen me standardet e kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Europian. Në qendër të kritikave të saj ishin edhe prokurimet publike, të cilat Tabaku i konsideroi si një nga burimet kryesore të korrupsionit në vend.

“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo.

Tabaku krahasoi situatën me Serbinë, ku sipas saj 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur. Ajo përmendi edhe raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit. Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe atë të investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” u shpreh ajo.

Në fund të fjalës së saj, Tabaku kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit europian.

“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se prej tre vitesh ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.

Ora 12:45
'4 copa të Shqipërisë u janë vënë në dispozicion arabëve'/ Dhuka i përgjigjet opozitës: Do të rishikojmë 42 marrëveshje ekonomike (VIDEO)

Marrëveshjet tregtare dhe të investimeve të Shqipërisë do të rishikohen, tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka në përgjigje të pyetjes së deputetit Eno Bozdo për kushtin e konkurrueshmërisë së BE.

"Ju bëra pyetje për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara. Theksuat që marrëveshjet bilaterale ekonomike të investimeve duhen futur në kornizën e BE. Kjo shmang kushtin e BE, që është konkurrenca. 4 copa të Shqipërisë u janë vënë në dispozicion arabëve. Do e ndryshoni këtë marrëveshje?", u shpreh Bozdo.

“Ne kemi hartuar një plan që parashikon rishikimin e 42 marrëveshjeve. Është normale, ka ndodhur në çdo vend para se të bëhet anëtar në BE për të përafruar me politikat tregtare dhe të investimeve të BE. Çdo marrëveshje do të analizohet një më një, kur të përfundojë analiza e çdo marrëveshjeje, do të kemi konstatime mbi marrëveshjet që kanë nevojë të ndryshohen apo jo”, tha Dhuka.

Ora 12:28
Integrimi në BE/ Kryenegociatorja Dhuka: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale duhet të jenë prioritet

Kryenegociatorja Majlinda Dhuka raporton përpara Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme teksa tha se 2 janë reformat kryesore për sa i përket integrimit në BE, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, që kanë ndikim direkt në zgjedhjet vendore 2027.

“Dy reformat kryesore, reformën elektorale ku rekomandimi është që përmirësimi të kryhet pararendje në zgjedhjet 2027. E dyta, ka rëndësi të ketë progres mbi bazë konsensusi sa i përket reformës territoriale që ka lidhje edhe me zgjedhjet vendore 2027. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi do të shqyrtojë disa çështje organike që lidhen me institucionet e pavarura dhe mendoj që Kuvendi mund të luajë rol më të madh sa i përket ndërtimit të konsensusit publik dhe shoqëror dhe deputeti përfaqësues i qytetarëve do ta vlerësoja shumë që të punojë në këtë drejtim. Konsultimi publik, ka një shikueshmëri të lartë lidhur me projektligjet që shpallen për konsultim publik, ka edhe komente në çështje të ndryshme me interes të veçantë, por edhe raste kur nuk ka komente. Jam dakord që duhet të punojmë për të rritur aftësinë e grupeve të interesit. Jam dakord me konsideratat që koha është tani për ta forcuar zbatimin”, tha Dhuka.

Ora 12:27
Raporti i IBAR, Dhuka: Procesi s’ka as ngecje, as vonesë! Duhet të respektojmë diskutimet e vendeve anëtare

Diskutimi i IBAR-it nuk ka asnjë vonesë, theksoi kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Procesi nuk ka as ngecje dhe vendet anëtare kanë nisur diskutimin prej dy muajsh, gjë që Shqipëria duhet ta respektojë, u shpreh ajo.

“Nuk ka asnjë vonesë, nuk ka asnjë ngecje të këtij procesi. Diskutimi mes vendeve anëtare ka filluar në mars, vazhdon, është procedurë normale e diskutimit mes vendeve anëtare dhe Komisionit Europian. Së pari vizitohet progresi i Shqipërisë për mjaftueshmërinë, cilësinë dhe identifikuar drejtime të reja përmirësimi. Së dyti, vendet anëtare diskutojnë për kushtet e mbylljes së negociatave. Shqipëria duhet të respektojë këtë proces diskutimesh. Diskutimet vazhdojnë në mënyrë sistematike dhe kanë vetëm dy muaj”, tha Dhuka.

Ora 11:57
‘Dashnorët e anëtarësimit’, Balla i bën një ftesë opozitës për procesin e integrimit: Ngrijeni njëherë kartonin jeshil! Ironizon Himçin (VIDEO)

Akuzave të opozitës se nuk kanë marrë në dorë listën e projektligjeve, Taulant Balla iu përgjigj duke e mbajtur shkresën në dorë dhe duke iu kujtuar se gjithçka është e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, ndërsa pati edhe një ftesë.

“Gjejeni veten te njëri prej tyre dhe t’ju them bujrum, faleminderit! Një votë, ngrije njëherë një karton jeshil për Shqipërinë anëtare në BE, po e jap dhe unë një dorë, po e vë një tullë, ju dashnorët e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Ndërsa solli në vëmendje fjalët e Marta Kos se Shqipëria është “shembull i transformimit”, pati edhe ndërhyrje nga Blendi Himçi (i cili s’mund të dëgjohej në mikrofon), por Balla ia ktheu:

“Hë i shkreti ti kur ta marrësh vesh! Nejse! Mali i Zi i ka nisur bisedimet në qershor 2012 dhe aitj që i shërben ti, që është deputet i atij që ishte atëherë që i mban çantën, është gjë tjetër, por presidenca qipriote dhe ajo daneze e vlerësojnë procesin si shumë mbresëlënës”, tha ai.

Më tej, Balla perifrazoi edhe deklaratën e Kaja Kallas për përparimin e Shqipërisë me negociatat, ku sërish ironizoi Himçin:

“Ne duhet të fillojmë përgatitjet sesi Shqipëria ndoshta duhet të jetë gati për të pasur kandidatët e vet në zgjedhjet europarlamentare 2029. Por shyqyr që s’do të të kemi ty, atëherë”, tha Balla.

Ora 11:16
Integrimi në BE, PD dorëzon amendamentet në Kuvend: Forcim i kontrollit parlamentar mbi qeverinë, refuzim të çdo veprimi që devijon procesin

Partia Demokratike ka dorëzuar disa amendamente shtesë për rezolutën për integrimin që është iniciuar për t’u miratuar nga Kuvendi.

Në 11 amendamentet e saj, PD kërkon të forcohet kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin si dhe të sigurohet pjesëmarrja e plotë e opozitës në veprimtarinë parlamentare.

Po ashtu, synohet të nxitet dialog politik e shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane apo të refuzohet çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.

Amendamentet e PD:

1. Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikqyrës për procesin e integrimit europian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis communautaire dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.

2. Të forcojë kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin, veçanërisht lidhur me financat publike, prokurimet, koncesionet, fondet e BE-së dhe përdorimin e burimeve shtetërore, duke rritur transparencën, auditimin e pavarur dhe llogaridhënien.

3. Të sigurojë pjesëmarrje të plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si garanci për funksionimin real të pluralizmit politik dhe përmirësimin e klimës së dialogut.

4. Të kërkojë zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ndarjen të shtetit nga partia.

5. Të sigurojë respektim të detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të pavarura, si themel i shtetit të së drejtës dhe kusht për progres në negociatat me BE-në.

6. Të kërkojë forcim të rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e rekomandimeve të BE-së.

7. Të kërkojë përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarisë së lirë, transparencës së pronësisë së medias dhe pavarësisë editoriale, duke garantuar mjedis mediatik konkurrues dhe të paanshëm.

8. Të angazhohet në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.

9. Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane.

10. Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet me parlamentet homologe.

11. Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë