Reforma në Drejtësi, Tabaku: Qeveria e sulmon, opozita intimidon SPAK-un që mos të hetojë dosjet e tyre

Për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, politika si në pushtet e si në opozitë po intimidon SPAK të mos hetojë dosjet e hapura për ta.

Në këtë mesazh të artikuluar gjatë seancës plenare, pa përmendur emra, Tabaku la të kuptohet se i referohet edhe Sali Berishës dhe Ilir Metës ndaj të cilëve SPAK ka hetime të hapura si për privatizimin e kompleksit Partizani ashtu dhe lobimin në SHBA.

Duke e ndarë mazhorancën nga këto shantazhe, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i tha se ata që sulmojnë drejtësinë janë në grupin e Foltores. 

'Marrëveshja e sotme, për mjetet e lundrimit është një marrëveshje standarde të cilën sigurisht e mbështesim në parim. Nuk ka përse të jetë një temë debati sidomos kur nuk bëhet fjalë për lundrimin e disa anijeve më të vogla mbushur dingas me shqiptarë që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, kjo po do ishte realisht një temë interesante e ditës.

Ngaqë ky parlament, bën sikur nuk sheh se si çdo ditë qindra të rinj hedhin çantën në shpinë, mbyllin biznese, lënë vende pune, lënë familjen dhe ikin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Janë nga 700 deri në 2000 të rinj e reja në ditë që largohen nga vendi duke përdorur rrugët ilegale.

Me këto shifra ky parlament, nuk ka luksin të heshtë më, aq më tepër për një tjetër formë “biznesi” dhe industrie të ngritur dhe që marketon e reklamon shitjen online të rrugëve ilegale se si mund të shkojë një shqiptar jashtë vendit. Gjithçka nën hundën e një shteti vigjilent që justifikon këtë krim që po bën duke shkretuar Shqipërinë me alibi qesharake.

E ky parlament sërishmi nuk ka një ditë që të diskutojë pse ndodh ky fenomen. Pse po ikin shqiptarët nga një vend që nuk ka as luftë civile dhe as ndonjë konflikt të armatosur? Pse vetëm për gjashtëmujorin e dytë të 2022 kanë emigruar dhe kanë kërkuar azil në BE mbi 5000 shqiptarë? Pse të rinjtë shkojnë për të kërkuar një jetë tjetër në Mbretërinë e Bashkuar? Në Gjermani? Në Europë? A po ikin siç thotë qeveria sepse Gjermania është e plakur dhe po e rinojnë shqiptarët duke plakur Shqipërinë?! Apo mos vallë këta mijëra shqiptarë që janë larguar nga 2015 e këndej po ikin sepse në këtë vend shohin korrupsionin e një qeverie që ha, pi dhe fle me të.

Sepse janë shqiptarë që shohin se si këtu konkurenca dhe tregu i lirë nuk ekziston sepse mobiliteti social është një realitet i ndaluar. Janë qytetarë që nuk shohin shpresë sepse e kuptojnë që janë skllevër të një oligarkie që nuk i ofron asgjë. Janë qytetarë të një shteti që ligjin e zbaton për më të dobtin që e burgos për një avlli dhe jo për oligarkun që ndërton kulla me kate pa leje në mes të Tiranës. Pra ikin, sepse qeveria në rradhë të parë, ky parlament së dyti e politika në përgjithësi nuk ofron e nuk jep shpresë! E kemi kthyer shpresën në një rreng që na kthen pas në kohë, të njëjtat emra, të njëjtat premtime, e njëjta fabul! Shqiptarët nuk janë budallenj!

Unë kur kam përfunduar studimet jashtë, kurrë se kam menduar si opsion të jetoja jashtë! Kam vendosur sot e gjithë ditën t’i rris edhe edukoj këtu fëmijët e mi! Por kjo duhet të jetë zgjidhja për gjithë shqiptarët, jo veç për një grup të privilegjuar! Unë sot përgjigjen për këtë largim masiv, për këtë tharje truri për këtë bjerrje të popullsisë e shoh tek politika e politikat!

E shoh te mungesa e një arsimi cilësor të orientuar nga tregu, e shoh të korrupsioni të shndërruar në normë në kurriz të meritokracisë, tek mundësia që një i ri vetë pavarësisht prejardhjes të rritet në shkallët e shoqërisë dhe të zhvillojë talentin e saj apo tij! E shoh tek mungesa e tregut të lirë që sot nuk ekziston, e shoh te krimi organizuar që po i merr jetë njerëzve, e shoh tek drejtësia e munguar, e shoh te paaftësia jo për të ndërtuar Europën si utopi këtu; por paaftësia jonë për të ndërtuar një shoqëri për shqiptarët.

Të premten kreu i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, Merick Garland tha: “Sundimi i  Ligjit do të thotë se ligji trajton në mënyrë të barabartë secilin nga ne: Nuk ka një ligj për miqtë dhe një tjetër për armiqtë; një për të fuqishmit dhe një tjetër për të dobëtit; një për të pasurit dhe një tjetër për të varfërit.”

Në vitin 2016 kjo sallë votoi me 140 vota, pra 100%, amendimet në Kushtetutën e Shqipërisë për të nisur një prej ndryshimeve më themelore në shtetin shqiptar; Reformën në Drejtësi. Ndërsa shoh sot se si po aplikohet ky ndryshim, që nuk duhet mohuar i dha shpresën çdo shqiptari që më në fund do kishte ndëshkim për këdo që abuzon me pushtetin, ngre një pyetje.

Ku është drejtësia sot, drejtësia që aq shumë e kërkuam, drejtësia që e votuam për t’u reformuar 140 deputetë ndërsa një aferë korruptive prej 430 mln eurove si ajo e 3 inceneratorëve vazhdojnë të marrin para nga buxheti i shtetit?!

Si ka mundësi që kjo drejtësi hesht kur një projekt mafioz, i vërtetuar në disa mënyra, sot ka një normë fitimi 30% më të lartë se sa çdo biznes tjetër në vend? Si ka mundësi që drejtësia hesht edhe pse me zë dhe me figurë u vërtetua që kryetari bashkisë ka miratuar në kundërshtim me ligjin projektin dhe koncesionin? Si ka mundësi që hesht drejtësia kur ka prova se si ish ministra dhe politikanë me pushtet kanë udhëtuar, kanë bashkëpunuar dhe kanë shkelur ligjin për të ndihmuar Klodian Mërtirin, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan?!

Përse hesht drejtësia që duhet të na tregonte se nuk ka të paprekshëm as në politikë, as në biznes dhe as në fushën e krimit?! Nga se ka frikë kjo drejtësi; nga ligji apo nga politika?! Në një shtet të së drejtës, në një shtet ku sundon ligji dhe jo maliqi përgjigja është e qartë. Ka një arsye përse sot drejtësia megjithëse në mes të një reforme me dëshirën për t’i dhënë drejtësi këtij vendi, ka më shumë frikë maliqin dhe politikën edhe jo Ligjin.

Në vitin 2016 mazhoranca e asaj kohe, votoi në kundërshtim me marrëveshjen që kishte me opozitën 6 ligjet e famshme. Ajo mazhorancë përtej asaj që deklaron sot vendosi që të shkallmonte konsensusin në kurriz të drejtësisë dhe përgjegjshmërisë.

E kam të qartë që këtu do të na flasin anëtarët e mazhorancës duke reklamuar se si janë dënuar dy ish ministra dhe një deputet. Seriozisht? Mendoni që shqiptarët dhe partnerët strategjikë na besuan një Reformë në Drejtësi që të dalim dhe të deklarojmë se janë arrestuar dy ministra dhe një deputet?!

Kjo është arsyeja përse ne ndryshuam kushtetutën? Çmontuam një sistem korrupt me dakordësi që një palë të vijë këtu dhe të numërojë kurbanët? Ne e dimë të gjithë shumë mirë që SPAK po kërcënohet, po tundohet dhe po shtyhet mos të hetojë aty ku duhet dhe si duhet.

Nuk e miratuam reformën në drejtësi, nuk e votuam ngritjen e SPAK sepse dëshironim disa kurbanë nga politika. Jo! Arsyeja përse e votuam është që të marrim drejtësinë që kërkojnë dhe që duan shqiptarët. Arsyeja përse e votuam është pikërisht që ligji të veprojë njësoj edhe për qytetarin edhe për mikun tonë. E votuam që të mos vidhej më ashiqare apo me stil! E votuam sepse besuam si çdo shqiptar që drejtësia duhet të ekzistojë. E keni vënë re se si korrupsioni është thelluar më shumë që prej ditës që është krijuar SPAK? Kur u bë vjedhja me inceneratorët? Në 2017! Kur janë dhënë tendera dhe koncesione të tjera që kanë çuar borxhin publik në 100% të PBB? Pas Reformës në Drejtësi.

Nuk është rastësore e gjitha kjo! Pasi qeveria ka zgjedhur që ta sulmojë SPAK ndërkohë që pjesa tjetër e politikës kërkon të intimidojë SPAK që mos të hetohen akuzat ndaj tyre. Nuk ka një shoqëri të shëndetshme, as një shtet serioz nëse nuk ka Drejtësi.

Kam qënë ndër të vetmit në këtë sallë që kam kërkuar që të lihet SPAK të bëjë punën e tij: nuk jam e kënaqur as unë nga puna e SPAK, është e mjaftueshme, duhet të tregojë më shumë guxim, e duhet ta tregojë me ato që janë në pushtet;Ashtu si kam thënë që kjo drejtësia me regji duhet të përfundojë dhe maxhoranca duhet t’i mbajë larg duart nga drejtësia e nga hetimet!

Njoftimet e fundit për kandidatët preferancialë të qeverisë për të drejtuar SPAK më bëjnë të mendoj që ai parim i artë për mos ndërhyrjen e qeverisë në sistemin e drejtësisë po hidhet në koshin e plehrave.

Pra ai mundi madh, ajo sakrificë me dëshirën për të mos prodhuar një drejtësi si zgjatim të qeverisë rrezikon të shkoj dëm. Pse? Nga frika se ky pushtet i tepruar, ky tundim i tepruar ka prodhuar aq shumë mëkate saqë duhet kontrolluar pushteti për të vazhduar loja e vjetër.

Prandaj dhe shqiptarët ikin. Drejtësia e munguar vret shpresën. Asnjë pushtet, qoftë ai i djeshëm, i sotëm apo i nesërm nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjë për të shantazhuar, kërcënuar dhe penguar hetimet dhe tentativën për të vendosur drejtësi! Për këtë arsye mendoj e gjykoj që kjo Reformë në Drejtësi të mos dështojë duhet mbështetur, me të njëjtat parime që kemi pasur në krye të herës!

Nuk mendoj e gjykoj që punën këtu ne do të na e bëjnë ndërkombëtarët, ashtu si nuk mendoj e gjykoj që do të na e japin ato drejtësinë, por duhet të biem dakort që ato duhet të luajnë rol për të mos lejuar kapjen e SPAK apo të kujtdo organi tjetër, për tu siguruar që ligji zbatohet njësoj për të gjithë e jo një ligj për miqtë e një për armiqtë!

Ne jemi një brez i ri në politikë. Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtin gabim duke pritur rezultate të ndryshme.

Ka muaj e muaj që disa nga ne në këtë sallë sulmohen e atakohen, si të shitur e blerë e kur kjo të vjen nga të dyja krahët e politikës, do të thotë që ke qëndruar për disa parime! Besoj se në politikë ka rëndësi vetëm dicka me gjithsej, e verteta! E vërteta ime! Këtë ma ka thënë një koleg pak kohë më parë dhe besoj që dhe sot është edhe më e vërtetë! E vërteta ime! Parimet e mia! I kam marrë e pranuar këto shuplakat publike, këtë gjygjin publik dhe nga kolegët që këtë foltore e kanë përdorur për të sulmuar atë që ka një mendim ndryshe;

Siç edhe kuptohet në vend të flasin për kundërshtarin politik sulmojnë ato që kanë në krah. Përdorin lirinë e shpifjes për të mposhtur lirinë e zgjedhjes në politikë. Jetojmë në kohë interesante, liria e fjalës përdoret për të goditur lirinë e mendimit. Për të gjitha këto, kam zgjedhur të hesht. E vërteta flet vetë sado me zë të ulët përballë klithmave të fyerjes. Ndonëse e heshtur mos mendoni se nuk kam një përgjigje për shantazhet apo epitetet tuaja. Ndonëse e matur mos mendoni se nuk kam një replikë për intimidimet.

Nëse dje, sot po nesër nuk merrni përgjigjen siç e kërkoni është sepse përfaqësoj një brez të ri në politikë, që nuk ka zgjedhur të imitojë për t’u afirmuar dhe as të bëj kompromis për t’u konsoliduar. Ne do t’ia dalim! Do dëshmojmë që jemi një brez tjetër që mendon dhe vepron në interesin e shqiptarëve. Pasi po themi të vërtetën që ju e dini por nuk doni ta pranoni.'- tha Tabaku.


Lajmi kryesor:

Përplasje në Kuvend/ Spiropali-Berishës: Flet për bashkim kur shkrepe 1800 plumba në bulevard! Spaho: Mos u tremb, ty nuk të vret njeri se nuk vlen


M.Q.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Çmontohet organizata shqiptare që kontrabandonte drogë nga Belgjika drejt Britanisë, mbi 30 kontrolle banesash dhe disa të arrestuar

Çmontohet organizata shqiptare që kontrabandonte drogë nga Belgjika drejt Britanisë, mbi 30 kontrolle banesash dhe disa të arrestuar