“Kur një bashki që përfaqëson një të tretën e popullsisë së vendit nuk paraqitet për të raportuar, problemi nuk është vetëm institucional”. Me këtë argument, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi mungesën e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës në dëgjesën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Sipas Tabakut, refuzimi për të raportuar para deputetëve tregon mungesë llogaridhënieje dhe është shenjë e një sistemi që shmang përgjegjësinë për vendimet dhe menaxhimin e fondeve publike.
Gjatë mbledhjes së komisionit, ajo ngriti shqetësime për zhvillimin e Tiranës, duke deklaruar se investimet janë përqendruar kryesisht në qendër të qytetit, ndërsa periferitë dhe ish-komunat vijojnë të përballen me mungesë shërbimesh dhe investimesh.
Tabaku tha se reforma territoriale e vitit 2015 duhet të analizohet sërish, sidomos për rastin e Tiranës, ku sipas saj janë thelluar diferencat mes qendrës dhe zonave periferike.
Deputetja e PD-së solli edhe të dhëna për administratën e Bashkisë së Tiranës, duke thënë se numri i punonjësve është rritur nga rreth 5 mijë në vitin 2015 në afro 9 mijë aktualisht, pa një përmirësim proporcional të shërbimeve për qytetarët.
Ajo kritikoi gjithashtu faktin që Bashkia e Tiranës vijon të drejtohet me komandim dhe tha se qyteti përballet me probleme që lidhen me planifikimin urban, shërbimet publike, administrimin financiar dhe çështjen e inceneratorit.
“Nëse Partia Socialiste nuk është në gjendje të qeverisë Bashkinë e Tiranës, le t’ua lërë qytetarëve të vendosin. Nuk mund të mbahet peng qyteti më i madh i vendit nga një administrim i përkohshëm që nuk jep llogari askund”, deklaroi Tabaku.
Fjala e plotë e Tabakut
Dua të shpreh keqardhjen që dëgjesa për qarkun e Tiranës nuk po zhvillohet siç duhet. Nuk i di arsyet pse kryetari i Bashkisë Kamëz nuk është i pranishëm, pse kryetari i Bashkisë Kavajë u largua dhe, mbi të gjitha, pse drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës nuk është sot këtu.
Për mua kjo është një mungesë përgjegjësie, por edhe një mungesë respekti ndaj këtij komisioni. Nuk është normale që personi që administron sot bashkinë më të madhe të vendit, një bashki ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë, të mos vijë për të raportuar para Kuvendit.
Kisha përgatitur një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kemi propozuar prej kohësh që të zhvillohen dëgjesa jo vetëm me Bashkinë e Tiranës, por edhe me ish-komunat dhe njësitë administrative që janë prekur drejtpërdrejt nga reforma territoriale.
Zona si Kashari, Petrela apo Paskuqani kanë njohur zhvillime të vrullshme urbanistike dhe kanë nevojë për një debat serioz mbi shërbimet, investimet dhe mënyrën e administrimit.
Drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës ka marrë përsipër administrimin e qytetit dhe minimumi që duhet të bëjë është të vijë këtu e të raportojë.
Unë vetë kam qenë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2015 Bashkia e Tiranës kishte rreth 5 mijë punonjës. Sot ka afërsisht 9 mijë. Por pyetja që shtrohet është: çfarë ka ndodhur me shërbimet? Çfarë ka ndodhur me reformën territoriale? Çfarë po ndodh me periferinë?
Tirana nuk është vetëm Sheshi Skënderbej. Tirana duhet të jetë një qytet policentrik. Duhet të zhvillohet në mënyrë të balancuar dhe jo vetëm përmes ndërtimeve në qendër.
Mungesa e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës është arrogancë dhe mungesë respekti ndaj këtij komisioni.
Ne kemi nevojë të kuptojmë nëse ekziston një qytet tjetër europian ku një e treta e popullsisë së vendit është përqendruar në një bashki të vetme. Kemi nevojë të dimë nëse qytetarët e Zall-Herrit, Zall-Bastarit dhe zonave të tjera marrin shërbimet që meritojnë apo jo.
Sot Tirana është bërë e vështirë për t’u menaxhuar dhe gjithnjë e më e vështirë për t’u jetuar. Ka probleme serioze me planifikimin urban, me korrupsionin, me lejet e ndërtimit dhe me çështjen e inceneratorit.
Sinqerisht ndihem e fyer që personi që drejton sot Bashkinë e Tiranës nuk gjen kohën të paraqitet përpara këtij komisioni.
Nëse Partia Socialiste nuk është në gjendje të qeverisë Bashkinë e Tiranës, atëherë duhet t’u lërë qytetarëve mundësinë të vendosin. Nuk mund të mbahet peng një e treta e popullsisë së vendit me një drejtim të komanduar dhe pa llogaridhënie.
Ne kemi përgatitur pyetje për financat e bashkisë, për shërbimet, për administrimin, për investimet, për taksat vendore dhe për ndikimin që ka pasur reforma territoriale në jetën e qytetarëve.
Prandaj kërkoj edhe një herë që Bashkia e Tiranës të paraqitet në këtë komision dhe të raportojë. Kemi nevojë për një debat serioz mbi Tiranën, mbi mënyrën si po zhvillohet, mbi shërbimet që ofron dhe mbi të ardhmen e qytetit më të madh të vendit.
Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve dhe nuk mund të lejojmë që askush t’i shmanget llogaridhënies.
Faleminderit.
Komente











