“Integrimi nuk është propagandë”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas takimit me Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane të Bundestagut gjerman, ku në fokus ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku tha se Gjermania ka shqetësime që lidhen me sundimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe respektimin e standardeve të grupkapitullit “Themeloret”.
"Gjermania ka shqetësime të drejta për sundimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe respektimin e standardeve të grupkapitullit “Themeloret”. Shqipëria ndodhet përpara një zgjedhjeje të qartë: një Shqipëri që ecën drejt Bashkimit Europian, apo një Shqipëri që largohet prej tij dhe prej vlerave europiane. Integrimi nuk është propagandë. Ai do të thotë një shtet i së drejtës, ku drejtësia nuk pengohet nga forca e kartonëve në Parlament dhe ku ligjbërja nuk shndërrohet në noteri të interesave të një pakice. Nëse sot jemi pas Malit të Zi dhe ende të papërgatitur, kjo është pasojë e një qeverisjeje që nuk ka vullnet të zbatojë as frymën, as germën e ligjeve të BE-së. Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, çështja e Aeroportit të Vlorës dhe mbrojtja politike që po i bëhet ish-zëvendëskryeministres janë prova konkrete të kësaj mungese vullneti. Beteja jonë është për një Shqipëri europiane në ligje, në institucione dhe në standarde" shkruajti Tabaku në rrjete sociale.
Lajmi kryesor:
Gjermanët në Tiranë për turizmin, Peleshi pret delegacionin e Bundestagut: Të zgjerojmë bashkëpunimin








