TIRANE- Pas vendimit të kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë ka reaguar ish-gjyqtari i Durrësit Neritan Tabaku, i cili në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ka paralajmëruar se vendimin do e kundështonte në Gjykatën Kushtetuese. Përpara se ti drejtohej Gjykatës së Lartë për tu rikthyer në detyrë të cilën ai e humbi një vit më parë, Tabaku kishte fituar dy gjyqe në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Gjykimi i parë kishte të bënte me drejtësinë që ai kishte dhënë ndaj Ilir Xhakes i cili akuzohej për një vrasje të ndodhur 12 vjet të shkuara.Ky vendim nuk kishte shkuar në Apel për shkak se nuk ishte zbardhur në kohë nga Tabaku.Ndërsa gjykimi i dytë ishte ai në të cili Neritan Tabaku akuzohej për shpërdorim detyre, akuzë e cila u hodh poshtë po nga gjykata e Tiranës

Zoti Tabaku cili është komenti juaj lidhur me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara që ju të mos riktheheni në detyrë?
Ata lanë në fuqi vendimin e KLD. Natyrisht unë nuk jam dakort me këtë vendim pasi kërkova të kundërtën e këtij vendimi.

Pse e gjithë kjo trupë e përbërë prej 15 gjyqtarësh?
Kjo është procedura ligjore. Në të tilla gjykime gjithmonë mblidhen Kolegjet e Bashkuara.

Si e vlerësoni faktin që u deshën dy ditë për të bërë një gjykim?
Mendoj se trupa ka qenë disi e trembur kur është mbledhur për të gjykuar kërkesën time. Nuk ka shpjegim tjetër fakti që seanca u shty me një ditë. Gjyqtarët duken të trembur pas zhvillimeve të kohëve të fundit në vendin tonë kur ky sektor është prekur jo pak.

Pas këtij procesi si e shikoni perspektivën e kërkesës tënde të përfunduar apo ka edhe mundësi të tjera që juve mund të ndërmerrni?
Jo. Ky është vetëm fillimi. Unë do të pres vendimin e zbardhur të Kolegjeve të Bashkuara dhe më pas do të ndërmarr hapat e duhura. Për dijeni çështja mund të çohet në Gjykatën Kushtuetuese e më pas edhe në Strazburg. Por për këtë do të vendos gjatë ditëve në vijim. Ndaj meje u veprua në mënyrë selektive kur më përjashtuan nga gjyqësori dhe më hodhën në gjyq duke u nisur nga situata e krijuar në atë kohë.

Cili është satusi i juaj në këto momente?
Unë jam një qytetar i lirë që gëzoj të gjitha të drejtat që më jep Kushtetuta si dhe të gjitha konventat për të drejtat e njeriut në të cilat vendi ynë ka aderuar. A. Korriku
 
 Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)