Tadiç:Ndeshja,mund të shërbejë
si faktor kthese mes 2 vendeve

Tadiç:Ndeshja,mund të shërbejë<br />si faktor kthese mes 2 vendeve
Ish-Presidenti serb Boris Tadiç e konsideron me shumë rëndësi arritjen e kompromisit historik për pajtimin e popullit serb dhe shqiptar. Sipas tij mund të jetë pikërisht kjo ndeshje, që mund të shërbejë si një faktor kthese për zgjidhjen e problemeve. Më tej Tadiç vlerëson se BE do të na respektonte më tepër nëse dy vendet do t’i zgjidhnin vetë problemet mes tyre.
 
Ish presidenti serb Boris Tadiç, ka folur edhe për shtyrjen e vizitës së Kryeministrit serb në Tiranë. “Më mirë të shtyhet, sesa të të anulohet pas të gjitha gjërave, që kanë ndodhur në këtë ndeshje futbolli, e cila në fund ka marrë një karakter politik. Shumë me rëndësi është që kjo vizitë të realizohet dhe që vizita të realizohet në një frymë konstruktive mes dy kryeminsitrave.”- thotë Tadiç ndërsa thekson se  Tema më e vështirë e këtij takimi natyrisht do të jetë çështja e Kosovës. 


Intervista e plotë e Ish-Presidentit Serb, Boris Tadiç për DW

Zoti Tadiç, si e vlerësoni shtyrjen e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd?
Më mirë të shtyhet, sesa të të anulohet pas të gjitha gjërave, që kanë ndodhur në këtë ndeshje futbolli, e cila në fund ka marrë një karakter politik. Shumë me rëndësi është që kjo vizitë të realizohet dhe që vizita të realizohet në një frymë konstruktive mes dy kryeminsitrave. Tema më e vështirë natyrisht do të jetë çështja e Kosovës. Por këtë duhet vënë në kontekstin e përgjithshëm në raportet shqitparo-serbe.

Kur flisni për ndeshjen Serbi-Shqipëri, si e shpjegoni ju këtë nivel kaq të lartë të emocioneve e madje edhe të dëshirës për incidente?
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë dëshirë tepër të madhe për incidente. Kemi pasur një provokim politik me dronën dhe me flamurin e Shqipërisë së madhe nga pala shqiptare në njërën anë. Dhe në anën tjetër kemi pasur një reagim dhe dhunë plotësisht të patolerueshme nga pala serbe të shprehur në terren. Kjo edhe një herë ka dëshmuar se ne vërtetë jetojmë në një rajon fragjil, ku një ndeshje futbolli mund të çrregullojë raportet politike dhe diplomatike mes vendeve në Ballkanin perëndimor. Më në fund kemi pasur edhe sulme plotësisht të papranueshme ndaj shqiptarëve, që mbajnë furra në Serbi, ka pasur djegie dhe dëmtime të objekteve të tyre, si dhe të objekteve fetare në Suboticë. Këto gjëra në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndaj menjëherë kam apeluar që të ulen tensionet dhe të futemi në ujëra më të qeta racionale. Me rëndësi është që vizita e kryeministrit Rama do të realizohet dhe që kjo vizitë të përgatitet mirë.

Zoti Tadiç, mendoni se kjo vizitë në kushtet e tanishme mund të përgatitet si duhet, pasi që emocionet janë shumë të larta? Në veçanti kur dihet se kjo nuk është një vizitë e rëndomtë, por një vizitë historike, që realizohet pas 68 vitesh?
Ndoshta do të befasoheni, por mendoj se pikërisht kjo ndeshje, e cila ka zhveshur në tërësi raportet mes nesh dhe ka treguar se sa të ndieshme janë këto raporte, mund të shërbejë si një faktor kthese. Mendoj se kjo krizë në raportet tona mund të shërbejë si kthesë për zgjidhjen e problemeve. Bashkësia ndërkombëtare do të na respektojë më shumë, nëse ne vetë i zgjidhim problemet tona. Ndaj mendoj se Serbia dhe shqiptarët duhet të kuptojnë këtë rast si një shans shumë të madh. Ne duhet të tregojmë gatishmëri për zgjidhjen e problemeve të mëdha, të cilat ekzistojnë për më shumë se një shekull. Por mendoj se ka ardhur koha të zgjidhim problemet, që na i kanë lënë paraardhësit tanë.

Mendoni se Aleksandar Vuciq dhe Edi Rama mund t'i tejkalojnë të gjitha këto probleme dhe të nisin rrugën konstruktive të zgjidhjes së problemeve?
Mendoj se ata janë të aftë ta tejkalojnë këtë situatë. Por të dy ata duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të kuptojnë pozitën personale dhe politike të tjetrit. Pozicionet pas incidentit të ndodhur nuk janë të thjeshta, por ata duhet të tregojnë guxim dhe të dalin me zgjidhje të reja.

Vizita e zotit Rama është shtyrë pas qëndrimit të Putinit në Beograd. Në Shqipëri, Kosovë dhe në qarqet ndërkombëtare ka shumë njerëz, të cilët dyshojnë në sinqeritetin e politikës serbe. Mendohet se Serbia po ndjek një politikë dyfytyrëshe, sepse në njërën anë do të anëtarësohet në BE e në anën tjetër fton presidentin Putin në Beograd dhe forcon raportet me Rusinë. Në ç'drejtim po shkon Serbia sot?
Shpesh edhe vetë jam detyruar të shpjegoj se Serbia nuk po ndjek një politikë dyfytyrëshe. Në Perëndim gjithmonë ka politikanë, të cilët mendojnë se politika e Serbisë është tepër e afërt me Rusinë, ndonëse Serbia do që të bëhet anëtare e BE. Me rëndësi është që qeveria e Serbisë ka theksuar se është e orientuar drejt BE dhe për momentin nuk ka zgjidhje më të mirë. Nuk dyshoj që BE është hapësira më e mirë për Serbinë. Por nuk kam as iluzione që BE është një ilaç për të gjitha problemet tona dhe se BE është një parajsë politike. Por është modeli aktualisht më i mirë në botë. Sa i përket Rusisë: Serbia ka raporte shumë të ngushta me Rusinë. Por raporte të këtilla me Rusinë ka edhe Spanja. Raportet tona strategjike me Rusinë bazohen pikërisht mbi modelin e raporteve mes Spanjës dhe Rusisë. Ndaj nuk do të ishte mirë që të thellohet mosbesimi ndaj Serbisë. Nga ana tjetër unë e di që disa politikanë të lartë të Serbisë po japin deklarata të pamatura, të cilat shtojnë dyshimet. Ndaj Serbia duhet të bëjë të qartë se synimi i saj është anëtarësimi në BE, megjithë miqësinë dhe raportet e ngushta me Rusinë.

Zoti Tadiç, si e shikoni ju politikën okupatore të Putinit dhe Rusisë ndaj Ukrainës, pasi që ky është edhe problem kryesor në raportet mes Moskës dhe Perëndimit?
Pas fillimit të krizës në Krime unë menjëherë kam deklaruar se Serbia duhet të dalë në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës. Nëse Serbia e ka pasur këtë politikë ndaj Kosovës, atëherë nuk mund të ketë ndonjë politikë tjetër, kur është fjala për Krimenë. Serbia ka hezituar të qartësojë qëndrimin e vet menjëherë, gjë që ka shtuar presionet e jashtme politike. Nuk mendoj që Serbia duhet t'i vërë sanksione Rusisë, sepse ajo nuk është e obliguar, pasi që Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Por politikën e jashtme të saj Serbia duhet ta harmonizojë patjetër me politikën e jashtme të BE. Mendoj se qëndrimi i presidentit të Serbisë Nikoliq është shumë i padobishëm, kur thotë se “BE nuk ka politikë të jashtme unike”. BE-ja ka ndonjëherë politikë më unike sesa zyrtarët e Serbisë. Mendoj se prej fillimit të vitit tjetër, politika e Serbisë do të harmonizohet me atë të BE, pavarësisht se a na pëlqen neve kjo apo jo.

Sa janë të dobishme për raportet shqiptaro-serbe deklaratat e presidentit Nikoliq, kur ai thotë se populli shqiptar ende është në nivelin e një popull të prapambetur dhe se do të duhen edhe shekuj të tërë, derisa shqiptarët të arrijnë nivelin e popujve të civilizuar?
Këto janë deklarata katastrofale. Janë deklarata ofenduese dhe burojnë nga një filozofi politike, e cila nuk është fare e dobishme, jo vetëm për raportet tona ndërnacionale, por edhe për vetë Serbinë. Mendoj se është shumë më rëndësi që të respektohet identiteti i të tjerëve. Ne në Ballkan kemi pasur konflikte edhe për faktin që nuk e kemi respektuar identitetin e tjetrit. Edhe ndeshja e fundit Serbi – Shqipëri, e cila ishte përplot me tensione dhe agresivitet, është në një farë mënyre dëshmi e mosrepsektimit të identitetit dhe integritetit kombëtar. Flamuri i Shqipërisë së madhe në qiellin e kryeqytetit të Serbisë, mbi Beograd, është pa dyshim një provokim shumë i madh. Por ky kurrsesi nuk mund të shërbejë si shkak për raporte ofenduese ndaj popullit shqiptar. Mendoj se në çështjen e identitetit duhet të kemi një tolerancë më të lartë, duhet të respektojmë identitetin e tjetrit, jo vetëm në Ballkan, por gjithandej ku ka kriza. Konfliktet do të ndërpriten vetëm atëherë, kur ta respektojmë identitetin e tjetrit. Për të respektuar të tjerët, ne duhet të mësojmë edhe historinë e tyre, duhet të respektojmë letërsinë dhe kulturën e popullit tjetër, duhet të respektojmë dallimet. Deklaratat ofenduese shumë shpesh janë pasojë e paditurisë dhe shprehin nivelin e kulturës së personit, që ofendon. Ndaj mendoj se ndryshimi i kulturës politike është edhe parakusht i raporteve të mira në Ballkan. Unë gjithmonë jam angazhuar për politikën e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve, që është një prej nyjeve kryesore për raporte të mira në Ballkan.

Një prej parakushteve kryesore për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan është natyrisht zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës. Si e shikoni në këtë kontekst Marrëveshjen e Brukselit: a ofron ajo kornizën e duhur për zgjidhjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë?
Në Serbi ne kemi pasur disa qasje politike ndaj Kosovës. Dobrica Qosiq ka qenë për ndarjen e Kosovës. Për ndarjen e Kosovës ka qenë gjithashtu edhe Zoran Gjingjiq. Vojisllav Koshtunica është angazhuar për të ashtuquajturën autonomi esenciale. Ky ka qenë qëndrimi, që ka mbizotëruar politikën e Serbisë në kohën, sa ai ishte kryeministër, dhe unë jam bashkangjitur me këtë qëndrim, pasi që nuk e kam pasur mbështetjen e shumicës për qëndrimet e mia. Si president i Serbisë unë kam mbështetur këtë ide edhe në negociatat (e Vjenës) me palën shqiptare. Unë kam menduar se zgjidhja më e mirë do të ishte plani im prej katër pikësh. Ky plan do të mundësonte gjetjen e një zgjidhje teknike, pasi që shqiptarët kanë qenë kundër ndarjes së Kosovës, ndërsa Serbia nuk ka dashur ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por edhe në çështjen e Kosovës shtrohet çështja e identitetit. Çështjen e Kosovës nuk do ta zgjidhë as Marrëveshja e Brukselit, në qoftë se nuk e respektojmë çështjen e identitetit. Por megjithë mangësitë e saj Marrëveshja e Brukselit është më e mirë se një konflikt i ngrirë. Ajo është më e mirë se shtyrja e gjetjes së zgjidhjeve për të ardhmen e raporteve tona. Pa zgjidhjen e problemeve në raportet tona nuk do të ketë investime. Standardi ekonomik do të bjerë, gjë që do të shtonte edhe më tepër potencialin nacionalist dhe shovinist. Kjo do të thotë se edhe në të ardhmen do të kishim incidente të ngjashme si në këtë ndeshje.

Zoti Tadiq, pse ju nuk jeni marrë vesh me palën shqiptare? Ju keni udhëhequr delegacionin serb në bisedimet e Vjenës, të koordinuara nga presidenti Ahtisari, keni qenë edhe në negociatat e ndërmjetësuara nga Trojka…Keni pasur pra kontakte personale edhe me Hashim Thacin, presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu, ish-kryeministrin Agim Ceku... Pse nuk keni arritur marrëveshje?
Unë tërë kohën kam biseduar me palën kosovare, jo vetëm me Thaçin, por edhe me zotin Surroi, Agim Cekun, presidentin Sejdiu… Ne kemi pasur një dialog të hapur, ndonëse niveli i dialogut ka qenë i ndryshëm, varësisht prej bashkëbiseduesve. Por pa dyshim që edhe Koshtunica dhe unë kemi pasur qëndrime të ndryshme. Gjatë bisedimeve në Vjenë Koshtunica ka dalë me qëndrimin që ardhja e Eulexit në Kosovë do të ishte okupim i Serbisë. Unë e kam kundërshtuar këtë qëndrim dhe kam thënë se ky nuk është qëndrimi zyrtar i Republikës së Serbisë. Unë jam angazhuar për ardhjen e Eulexit në Kosovë e Metohi, që është miratuar edhe në Kombet e Bashkuara, sepse kjo do të na lehtësonte gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Në atë kohë e kam paraqitur edhe planin katërpikësh, por nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që këtë plan ta shqyrtojmë deri në fund me përfaqësuesin e atëhershëm legjitim të Kosovës, Hashim Thaçi. Disa çështje i kemi diskutuar por jo deri në fund, për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Qëllimi im ishte realizimi i këtij plani, por unë i humba zgjedhjet e fundit presidenciale dhe më pas u arrit Marrëveshja e Brukselit. Tani kemi këtë Marrëveshje dhe mbi bazën e saj duhet të gjejmë zgjidhjet përfundimtare. Por mendoj se në të ardhmen duhet të shtrohet edhe çështja e identitetit dhe jo vetëm çështja e energjisë elektrike dhe resurseve në Kosovë.

Pak më lart ju nënvizuat edhe diçka, me të cilën opinioni ndoshta nuk është i informuar deri në fund, që edhe zoti Gjingjiç është angazhuar për ndarjen e Kosovës. Këto ide dëgjohen edhe sot nga ministri i Jashtëm, zoti Ivica Daciç. Cili është qëndrimi juaj ndaj ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve?

Zoti Daciç është bashkangjitur me idetë për ndarjen e Kosovës për shkaqe pragmatike. Ai ka ndryshuar shpesh qëndrimet në dekadat e kaluara, por ai ndryshon edhe qëndrimet politike, varësisht nga interesi politik. Mendoj se ideja për ndarjen e Kosovës nuk është reale në këtë moment, sepse fuqitë e mëdha janë kundër ndarjes së Kosovës. Kundër ndarjes së Kosovës është edhe pala shqiptare. Mendoj se duhet të gjejmë zgjidhje pragmatike, ndaj nuk duhet harruar tërësisht as planin katërpikësh, të paktën, kur bëhet fjalë për çështjen e identitetit.

Zoti Tadiç, Ju tri herë e përmendët planin katërpikësh, me të cilin sigurisht që nuk janë informuar të gjithë. Cilat janë kërkesat tuaja kryesore në këtë plan?
Kam menduar që kishat dhe manastiret nuk duhet të jenë nën kontrollin juridik të institucioneve të Kosovës, sepse mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Me këtë plan kam kërkuar edhe mëvetësinë më të lartë të mundshme të veriut të Kosovës. Mendoj se pas Marrëveshjes së Brukselit më nuk mund të kthehemi në këtë ide, të patkën jo në masën, që kam propozuar unë. Ndërkohë që kam kërkuar edhe garanci për pasurinë e serbëve në Kosovë.

Vuciç dhe Daciç në Beograd janë quajtur tradhëtarë nga disa qarqe për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Edhe në Kosovë ka qarqe, që e akuzojnë kryeministrin Thaçi për tradhëti. Si e shihni ju këtë Marrëveshje, a e njeh ajo integritetin territorial të Kosovës dhe a do ta njohë Serbia Kosovën si shtet?
Marrëveshja e Brukselit zyrtarisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por ky është dokumenti më i lartë juridik i pranuar nga pala serbe, i cili shkon në drejtim të një lloj pavarësie territoriale të Kosovës. Nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës? Për këtë pyetje duhet të përgjigjen autoritetet e tanishme. Unë kam menduar se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi, ku do t'i shtrinim dorën njëri tjetrit. Kam menduar se nuk duhet të preken elementet më të rënda në raportet mes nesh, por duhet bashkëpunuar dhe respektuar mes vete, me qëllim afrimin e përbashkët me BE.

Ngjarjet e fundit treguan se pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve ende është shumë larg. Mendoni se kjo është e mundur në një të ardhme të shpejtë?
Zhvillimet e fundit, si në Beograd ashtu edhe në anën tjetër, flasin se mes tyre ekziston një moskuptim i madh i realitetit. Ne në Serbi duhet të kuptojmë që populli shqiptar ka interesa legjitime për pavarësinë e Kosovës në raport me Serbinë. Nuk po flas për legalitetin ndërkombëtar, por për interesat legjitime. Edhe mua më kanë quajtur tradhëtar në vitin 2006, kur kam thënë se Kosova është më afër pavarësisë sesa autonomisë esenciale. Kështu më kanë quajtur edhe ata, të cilët e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, dhe sot janë në pushtet. Por këto gjëra duhet të lihen menjanë dhe duhet të gjejmë zgjidhje praktike. Zgjidhje praktike nuk mund të ketë pa mbështetjen e popullit. Ndaj popullit duhet t'ia shpjegojmë se kërkesat ekstreme të njërës dhe palës tjetër nuk janë të mundura. Duhet të krijojmë një atmosferë për pranimin dhe implementimin e këtyre zgjidhjeve praktike. Ne nuk mund të gjejmë zgjidhje praktike në një atmosferë tepër të nxehtë, në një atmosferë agresive, ku zgjidhjet konkrete, apo vizitat e kryeministrave trajtohen si akte tradhëtie, apo akte të dyshimta. Duhet të vendosim një bashkëpunim sa më të ngushtë mes institucioneve në raportet Beograd – Prishtinë dhe Beograd - Tiranë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shkojmë përpara. Unë mendoj se tani kemi një situatë shumë më të mirë se më parë, megjithë përvojat e fundit nga ndeshja Serbi-Shqipëri.

Zoti Tadiç, ju me siguri që edhe personalisht jeni të interesuar të jeni pjesë e ndërtimit të këtyre raporteve më të mira, pasi që keni nisur krijimin e një partie të re socialdemokrate. Cilat janë ambiciet tuaja politike?
 Mendoj se tani është shumë vështirë të vlerësohet roli im politik në të ardhmen. Por unë jam këtu që të ushtroj çdo rol, i cili është në shërbim të vendit tim, por që shkon në shërbim edhe të rajonit. Nuk është e mundur që lumturinë e kombit tënd ta ndërtosh mbi vuajtjet e një kombi tjetër. Kjo do të na kthente sërish dy dekada mbrapa, në rrethin e pafund të dhunës. Ndaj duhet të gjejmë kompromise, që ka qenë edhe esenca e politikës sime gjatë mandatit si president. Pra do të ndihmoj me të gjitha mundësitë për arritjen e kompromisit, për arritjen e një kompromisi historik dhe për pajtimin mes popullit serb dhe shqiptar. Konsideroj se kjo është shumë me rëndësi. Në të kundërtën do të cenohet ardhmëria e gjeneratave të reja serbe dhe shqiptare. Kjo duhet të evitohet.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?