TIRANE- Vizitën e presidentit grek Karolos Papulias në Tiranë, deputet i PDIU Tahir Muhedini e ka cilësuar për interesa të shtetit grek.

I ftuar në studion e “A1 Report”, Muhedini tha se qeveria shqiptare duhet të punojë me faktorin ndërkombëtar që të ulet me shtetin grek dhe t’i japë zgjidhje problematikave mes dy vendeve.

“Ne duam t’i bëjmë me dije gjithë komunitetit ndërkombëtar se Greqia nuk plotëson asnjë kusht sa i takon zbatimit të të drejtave të njeriut. Shteti grek, çamët i quan bashkëpunëtorë të fashizmit, ndërsa maqedonasit i quan komunistë.

Çështja çame është çështje e të drejtave të njeriut, është çështje legjitime. Është shkelur konventa ndërkombëtare. Edhe qëndrimi ynë i sotëm, vjen pasi çështja çame nuk u zu fare në gojë sot”, u shpreh Muhedini.

Duke vënë theksin tek çështja çame, deputeti i PDIU, Tahir Muhedini tha se “Ne si deputetë në Parlamentin shqiptar do ta ngremë zërin për t’i dhënë zgjidhje çështjes sonë”.

Ndërsa presidenti grek Papulias ditën e nesërme pritet të vizitojë varrezat e ushtarëve grekë në Gjirokastër, Muhedini tha se “kur ne bëmë kërkesë në 2008 për një varrezë për çamët, Berisha heshti”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)