Duke e cilësuar një akt banditesk dhe terrorist, ministri Tahiri tha se për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla, Policia është e gatshme të bëjë gjithçka përballë garantimit të sigurisë për çdo qytetar.
“Janë momente të vështira për Policinë e Shtetit, por kam besim që solidariteti i çdo shqiptari shkon për punonjësit e policisë që edhe në këto momente po vënë jetën në rrezik. Të gjithë ata që kanë qëlluar me armë ndaj policisë do marrin përgjigjen më të pashembullt. Ne jemi shumë të gatshëm të bëjmë gjithçka për të garantuar që shteti ligjor të vihet në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye jemi të vendosur të mos tolerojmë në asnjë mënyrë që terroristë të tillë të shkaktojnë të tilla situata. Të gjithë ata që kanë qëlluar kundër policisë do marrin përgjigjen e duhur ligjore. I kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit, kjo edhe vjet, dhe e bëj përsëri; për tu solidarizuar me Policinë e Shtetit. Ne besojmë se banorët e ndershëm janë krah për krah me Policinë e Shtetit”, u shpreh Tahiri.