TIRANE - “Inkurajoj cilindo që të hetojë mirë, pa asnjë përjashtim, qoftë edhe im atë. Por ua garantoj Sali Berishës, Argitës, Shkëlzenit, Lul Bashës, Flamur Nokës, Agron Kuliçit, që s’do ma mbyllin dot gojën me asnjë instrument”. Kështu u shpreh deputeti socialist, Saimir Tahiri në reagimin e parë publik në lidhje me arrestimin e babait të tij Bashkim Tahiri, sot nga policia e Tiranës për kontrabandë ilaçesh.

Në një deklaratë për mediat, dhënë nga jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë Tiranë, pasi nuk u lejua të takonte babain e tij, Tahiri tha: “Erdha të takoj babin tim, siç besoj do bënte çdo fëmijë për babain e tij. Vazhdoj ritheksoj atë që kam ritheksuar në publik gjatë gjithë kohës. Sipas meje askush nuk duhet të qëndroj mbi ligjin. Inkurajoj cilindo që të hetojë mirë, pa asnjë përjashtim qoftë edhe im atë. Por nuk mund të rri pa e thënë që besoja këta njerëz, Sali Berisha, Falamur Noka, Agron Kuliçi, që nuk kanë hezituar për hir të fëmijëve të Saliut, të më gjobisin nëpërmjet policisë, po këta që nuk kanë hezituar të vrasin edhe njerëz në bulevard, kësaj radhe bënë shumë pak ndaj meje. Ndoshta do të kishin gjetur edhe ndonjë instrument tjetër për të bërë më shumë”.

Deputeti socialist vijoi duke thënë se nuk do të ndalet së drejtuari gishtin kundër krimeve që kanë bërë sipas tij, Sali Berisha me fëmijët e tij, kryebashkiaku Basha, ministri i Brendshëm, Flamur Noka apo edhe zëvendësdrejtori i policisë, Agron Kulici.

“S’do rri kurrë rehat pa u siguruar që të gjitha ata që janë në pushtet të dënohen për ato që kanë bërë në kurriz të qytetarëve...Shpresoj që hetimi të bëhet i plotë. Shpresoj që edhe këta që janë në pushtet t’i bëjnë llogaritë mirë, edhe fëmijët e Berishës...Ta kenë të sigurt që mua do më kenë përballë”, tha për mediat deputeti socialist.

I pyetur nga gazetarët se a fshihet një inskenim politik pas këtij arrestimi, duke qenë se Bashkim Tahiri është babai i një deputeti, Tahiri tha se nuk do të donte të bënte konstatime të tilla, ndërsa shtoi se “Unë këtu kam ardhur si djali i babit tim..unë nuk kam vrarë 26 njerëz në Gërdec siç ka bërë djali i Berishës, as kam vjedhur toka siç ka bërë vajza e Berishës”.

saimir tahiri per mediat
(Foto: Deputeti Saimir Tahiri deklaratë për mediat)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)