Saimir Tahiri reagon për herë të parë pas akuzave të kryetarit të PD, Lulzim Basha, se është i lidhur me trafikantë të drogës dhe elementë të krimit të organizuar. Basha shkroi në Facebook më herët se i arrestuari Moisi Habilaj në Itali, ka lidhje të afërta me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në përgjigje të deklaratës së Bashës, Tahiri ka reaguar duke u shprehur se nuk i bëjnë përshtypje akuzat. Duke iu përgjigjur Bashës, i cili tha se i arrestuari nga Vlora, Habilaj është kushëri i tij, ish-ministri sqaron se drejtësia duhet të flasë njësoj për të gjithë. 

"Sa per keta qe i quan kusherinjte e mi, DREJTESI DERI NE FUND E DENIM MAKSIMAL. Per kedo, pa dallim e pa perjashtim” shkruan Tahiri në Facebook. Ai i kujton Bashës se ka hesape me drejtësinë pasi ka vrarë dhe vjedhur e nuk është dënuar. “Lulezim Basha e jo vetem, paska perseritur akuzat meje. Nuk me kane bere pershtypje atehere, nuk me bejne as sot. Nuk pastrohesh dot Lulezim sado te te rritet karrigia. Vodhe e vrave e ia ke hedhur deri me sot, per te sherbyer si kujtesa me e fresket e drejtesise qe nuk kemi e qe nuk u be dot kurre", shkruan Tahiri në rrjetet sociale. 

tahiri
(Reagimi i Tahirit në Facebook)

Replikat në distancë mes Tahirit dhe Bashës erdhën pas një operacioni të madh të policisë italiane dje dhe sot ku u arrestuan 7 persona për trafik kokaine. Në prangat e policisë kanë rënë 4 italianë dhe 3 shqiptarë, Maridian Sulaj, Moisi Habilaj dhe Fatmir Minaj, ndërsa 4 shqiptarë të tjerë janë në kërkim. Katër shqiptarët në kërkim, sipas medieve italiane janë fshehur në Shqipëri, ndërsa janë sinjalizuar autoritetet për prangosjen dhe ekstradimin në Itali për t’u gjykuar.

Gjatë operacionit të koduar "Trëndafili i erës", janë sekuestruar edhe 20,000 euro kesh. Nga hetimet është zbuluar se gjatë viteve të fundit banda ka mundur të transportojë mbi 3.500 kg marijuanë nga bregdeti shqiptar për në Itali. Dërgesa e transportime që me raste kanë përfunduar edhe me arrestimin e më shumë se 20 ‘’korrierëve’’, së bashku me konfiskimin e armëve kallashnikov e qindra municioneve.

Droga ishte e destinuar për vende të tilla si Catania, Ragusa dhe Siracusa. Nga trafikimi i armeve dhe lëndëve narkotike qarkullonte një total i vlerësuar në shumën mbi 20 mln euro. Policia italiane në bashkëpunim me atë shqiptare vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në trafikun sasive rekord të drogës. 


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com