TIRANE- Në miratimin e buxhetit të shtetit që qeveria ka bërë dje, 93% e punonjësve të Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagës deri në 25 %. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka deklaruar këtë gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se kjo ka qenë paketa më e plotë e mbështetjes financiare dhe buxhetore e miratuar ndonjëherë në historinë e kësaj ministrie. Fjala e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri
 
“Punonjësit e Policisë së Shtetit, si trashëgimi e qeverisë së shkuar marrin pagën më të ulët se sa punonjësit e polciisë në vendet fqinje si Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, për të mos folur fare pastaj për vendet e Bashkimit Europian, sepse jemi shumë shumë larg. Rreth 75% e punonjësve të policisë kanë të ardhura mujore familjare për frymë nën pagën minimanë në shkallë vendi dhe ndërkohë rreth 71% e rasteve të proceduara për korrupsion në Policinë e Shtetit i përkasin pikërisht kësaj shtrese.

Qeveria dhe Kryeministri Rama dje kanë miratuar paketën më të plotë të mbështetjes financiare dhe buxhetore për Policinë e Shtetit në gjithë historinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Kemi buxhetin më të lartë në historinë e Ministrisë së Brendshme dhe rritjen e pagave më të lartë në historinë e Policisë së Shtetit. Dje është miratuar rritja e pagës për thuajse 93% të punonjësve të Policisë së Shtetit, ose e thënë ndryshe për 8367 punonjës policie.

Rritja e pagës konsiston në përfitimin që vjen si pasojë e aplikimit të taksës progresive dhe këtu rritja shkon deri në 5% dhe në rritjen buxhetore të pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit që shkon nga 15 deri në 20%, që do të thotë rritje e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit në masën 20-25%. Dhe kjo për 93% të efektivëve të Policisë së Shtetit. E shoqëruar me një vendim që pritet të merret në ditët në vijim lidhur me sigurimin e jetës dhe sigurimin e plotë shëndetësor për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, si një masë e domosdoshme për të garantuar standardet më të larta të ushtrimit të detyrës për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit”, u shpreh Ministri Tahiri.
 
TAHIRI: MINISTRIA E BRENDSHME, 26 MILIONE DOLLARE BORXHE
Ministri Tahiri bëri një rezyme të situatës buxhetore të gjetur në auditimin e Ministrisë së Brendshme ku sipas tij rezulton një borxh prej 26 milionë dollarë i trashëguar nga qeveria Berisha.
 
“Mjafton t’ju themë dy shifra përsa i takon asaj që kemi gjetur në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit. Gjatë viteve 2010, 2011, 2012 dhe periudhës janar –shtator 2013 janë transferuar nga detyra në detyrë në Policinë e Shtetit plot 8866 punonjës policie, ose e thënë në përqindje, 90% e të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit. Pra në tre vjet e disa muaj, 90% e efektivit të Policisë së Shtetit është transferuar nga një detyrë në një detyrë duke cenuar kështu qendrueshmërinë në detyrë, kapacitetin për të përmbushur detyrën, duke cenuar sigurinë publike për qytetarët shqiptarë.

I gjithë ky operacion i ka kushtuar Policisë së Shtetit, së bashku me largimet dhe përjashtimet, pagesën për çdo post pune të 1.6 punonjësve. Pra për çdo post pune paguhej 1.6 herë, ndërkohë që fatura e pagesës suplementare për bashkëshortet e punonjësve të Policisë që transferoheshin larg vendbanimit të tyre të origjinës shkon në 2.9 milion USD, vetëm për vitin 2013. Pra nga njëra anë është cenuar siguria publike, me transferime të pabaza të cilat kanë prekuar gati 90% të Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër kjo ka pasur një kosto financiare që vetëm për familjet e punonjësve të Policisë të transferuar, vetëm për vitin 2013 ka qenë 2.9 milionë USD.

Ndërkohë trashëgojmë një institucion me borxhe që për nga shifrat në total shkojnë në 26 milion USD. Pra sot pa frikë mund të thuhet se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të zhytura në borxhe. Konkretisht, borxhi ndaj investimeve është 10 milion USD, ndaj njësive të varësisë është 4.7 milion USD. Janë 5.2 milion USD vetëm për uniformën e Policisë së Shtetit, për lindjen e fëmijëve, pra ishte shpërblimi për lindjen e çdo fëmije pranë gjendjes civile, një borxh prej 4.3 milion USD, sepse qeveria e mëparshme s’e ka paguar që nga vitit 2008 dhe borxh ndaj vendimeve gjyqësore të pashlyera ku debitore është Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, që nga viti 2007, janë 2.2 milion USD”, u shpreh ministri Tahiri.
 
Një tjetër shqetësimin i ngritur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është niveli arsimor i punonjësve të policisë. Sipas ministrit Tahiri, vetëm 25-30 përqind e efektivëve të policisë në vendin tonë kanë arsimin e lartë.
 
“Sa i takon nivelit arsimor të punonjësve të Policisë së Shtetit, mund të them që sot kriminaliteti lufton me efektivë të Policisë së Shtetit që në masë nuk kanë arsimimin e duhur. Vetëm 25% - 30% maksimalisht e të gjithë efektivit të punonjësve të Policisë së Shtetit kanë arsimin e lartë. Ndërkohë që kjo gjendje edhe për nga niveli i pagës, edhe për nga kapaciteti për të ndjerë sadisfaksionin e punës, edhe për nga kapaciteti për të ndjekur rrugën e drejtë të karrierës në detyrë ka çuar në aplikime pranë Akademisë, pranë Institutit të Policisë, të cilat për nga niveli arsimor si aplikantë shkojnë në nivelet e mesatares shkollore 5 deri në 6”, tha Tahiri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)