TIRANË - Lufta ndaj evazionit fiskal dhe pasurive të paligjshme të vendosura nga grupet kriminale kanë qenë pjesë e diskutimeve të zhvilluar këtë të enjte ndërmjet, Ministrisë së Brendshme, asaj të Financave, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Kombëtar, Doganave si dhe një sërë agjencive ligjzbatuese.

Gjatë takimi mësohet se është diskutuar rishikimi i memorandumit të bashkëpunimit si edhe rishikimi i legjislacionit për paratë e pajustifikuara të kriminelëve. Pika e fundit sipas ministri të Brendshëm Saimir Tahiri do të jetë edhe goditja më e rëndë ndaj botës së krimit.

“Bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm vendosëm të bëjmë një mbledhje të gjitha agjensive ligjzbatuese në kuadër të bashkëpunimit, koordinimit dhe forcimit të luftës kundër krimit ekonomiko - financiar. Ne besojmë që lufta kundër pastrimit të parasë, pasurive të botës së krimit, aseteve kriminale, korrupsionit dhe pasurive të pajustifikuara është një prioritet madhor për institucionet tona dhe sigurisht për qytetarët. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve rregullohet deri më sot me një memorandum që deri diku ka nevojë për tu riparë për sa kohë daton disa vite më përpara por gjithashtu edhe sepse kërkohet një ritëm i ri në kuadër të kësaj lufte, kështu që vendosëm që një grup i përbashkët pune ndërmjet të gjithë agjensive të marrin rishikim instrumentat e bashkëpunimit memorandumin nga njëra anë dhe ndryshimet potenciale në kuadrin ligjor nga ana tjetër siç vendosëm që të gjitha agjensitë ligjzbatuese të rakordojnë mbi baza mujore, hetimet e përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parasë dhe për të kulmuar dhe ajo ditë do vijë shumë shpejt në hetimin e pasurive të pajustifikuara. Ne jemi shumë të vendosur që bota e krimit të mos i gëzojë paratë që ka fituar nga aktiviteti kriminal dhe kjo unë besoj është goditja më e rëndë që duhet ti japim botës së krimit.”-tha Tahiri.

Ndërkohë që Kryeprokurori Adriatik Llalla është ndalur vetëm te memorandumi i ri i bashkëpunimit, i cili sipas tij, krahas risive të reja që do të futen, i hap rrugën dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët për sa i përket luftës ndaj krimit.

Gjithashtu në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Ahmet Prençi nga hetimi tatimor, Elisa Spiropali, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Artur Zoto, Drejtori i Burgjeve.

Pastrimi i parave, Tahiri-Llalla takim me Prokurorë dhe drejtuesit e policisë 
Pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura në ambientet e Hotel Tiranës,  Saimir Tahiri dhe Adriatik Llalal kanë filluar një tjetër mbledhje me dyer të mbyllura. Takimi i radhës është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku janë të pranishëm prokurë nga të gjitha rrethet dhe drejtues të policisë në 12 qarqe të vendit. 

Tema  e takimit bëhet e ditur se është e njëjta me atë të takimit të parë, hetimi dhe sekuestrimi i pasurive të krijuara nga veprimtaritë kriminale.