TIRANË - Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka kërkuar shpjegime policisë greke për vrasjen e vëllezërve Çollaku, Melvis e Klevis Çollaku.

Burime nga ministria e Brendshme informojnë se Tahiri ka kërkuar më shumë informacion për vrasjen e dy shqiptarëve në Follorinë gjatë takimit që ka pasur pasditen e sotme me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Greke, Kris Kontaridi.

Tahiri ka biseduar me krerët e policisë greke edhe për toponimet. "Të mos pengohen shqiptarët në kufi për shkak të toponimeve" mësohet të jetë shprehur ministri i Brendshëm shqiptar.

Trekëndëshi Shqipëri-Itali-Greqi shihet si një bllok i përbashkët në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme.

TAHIRI NE MESDITE: ISHTE NGJARJE E HIDHUR
Ndërkohë që mesditën e sotme, pas seancës parlamentare Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi si ngjarje të hidhur për të cilën uronte të mos përsëritej.

“Që natën që ka ndodhur kemi qenë në kontaktet me oficerët grekë. Oficerët shqiptarë kanë qenë ngushtësisht të përfshirë.

Më vjen keq e dua t'i ngushëlloj familjet e tyre por pretendimet që kam lexuar në media nuk janë të vërteta. Verifikimet janë bërë. Është një ngjarje e hidhur që preshoj të mos përsëritet më” –tha Tahiri në një reagim pas seancës së Kuvendit.

Në seancë deputeti i PDIU-së kërkon reagim nga qeveria shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve Çollaku.“Para disa ditëve neve na janë vrarë dy shqiptarë. Deri kur do të qëndrojnë qeveritë shqiptare të heshtura para shtetit grek.”- tha Dashamir Tahiri në Kuvend.

Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)