Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar pas botimit të një artikulli në gazetën "Shekulli" me botues ish-deputetin socialist, Koço Kokëdhima, sipas të cilës ka një raport sekret për kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, policia e shtetit sqaron se nuk ka një raport të tillë, por janë sajesa që fshehin interesa personale, politike dhe kriminale. "Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e punës së Policisë. Një raport i tillë nuk ka egzistuar kurrë e as egziston. Ky lajm i fabrikuar ‎mbi ekzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh mbrapa interesa personale, politike dhe kriminale", thuhet në reagimin e Tahirit.

Ai paralajmëron gjithashtu ndjekjen e rrugëve ligjore ndja kujtdo që sajon shpifje për punën e policisë. 

Në numrin e sotëm të gazetës së Kokëdhimës thuhej se një raport sekret flet sesi policia e korr kanabisin, por nuk e djeg, duke i lënë mundësi trafikantëve që ta marrin atë më pas. 

Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Lidhur me lajmin e publikuar në Gazetën “Shekulli” e më pas marrë nga disa media, mbi egzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cënuar integritetin e policisë dhe punën e saj.

Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e punës së Policisë. Një raport i tillë nuk ka egzistuar kurrë e as egziston.

Ky lajm i fabrikuar ‎mbi egzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh mbrapa interesa personale, politike dhe kriminale.

Rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë.

Nga ana tjetër, besimi i partnerëve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik.

Ky besim është maksimal, falë rezultateve të përbashkëta dhe intensitetit ‎të punës për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit.

Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar, duke i bërë thirrje të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëm ‎keqinformimin e publikut.

Policia e Shtetit bën me dije se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujtdo që prodhon fabrikon dhe sajon shpifje, të cilat synojnë prishjen e imazhit të Policisë dhe të vendit",
thuhet në reagimin e Tahirit.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com