Tahiri: Ligji i ri e kthen Policinë në shinat e meritokracisë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha sot në Kuvend se me ligjin e ri Policia e Shtetit rikthehet në shinat e meritokracisë. Duke marrë fjalën në diskutimin e draftit "Për Policinë e Shtetit", ministri theksoi se kjo reformë ligjore, më e madhja e miratuar ndonjëherë nga parlamenti, lë pas kaotizmin në strukturat policore, në këto 22 vjet.

Ndër të tjera në ligj, tha ministri, përcaktohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që pritet të jetë një strukturë e specializuar dhe eficente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, sipas Tahirit, në draft një vend me rëndësi zë karriera, duke e parë jo si një rrugë të shtrembër ku shpesh qokat, miqtë e nderet zënë më shumë vend se rezultatet. "Kemi ndryshuar filozofinë e rritjes në karrierë, e cila nuk është më sipas postit, por sipas meritës", tha ai.

Duke përcaktuar se rekrutimi në radhët e Policisë do të nisë me arsimimin, ministri Tahiri tha se përfundimisht me futjen e modelit të arsimit të lartë ne i japim një zgjidhje definitive problemit të mediokritetit në polici.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LSI-së, Luan Rama, për gradat e hequra nga sistemi i gradave, ai pohoi se janë hequr dy grada, pas konsultave me partnerët, pasi ishin grada fiktive.

Në emër të grupit parlamentar socialist, deputeti Pjerin Ndreu në fjalën e tij tha se tashmë ka ardhur koha që Policia të depolitizohet njëherë e mirë. Dhe kjo tha ai, u faktua më së miri me operacionin në Lazarat, i cili dëshmoi se policia shqiptare ka kapacitete dhe kur vullneti politik është prezent, ajo është e suksesshme. /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë