Tahiri:Luftë drogës! Boll me PD
që e quan shqiptarin, kolumbian

Tahiri:Luftë drogës! Boll me PD<br />që e quan shqiptarin, kolumbian
Unë nuk kam kaq shumë kurajo të tallem kaq keq me detyrën e as të tallem me shqiptarët”. Kështu u shpreh sot gjate një konference për shtyp, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri duke u ndalur tek raporti i Guardia di Finanza për monitorimin, evidentimin e asgjësimin e drogës në Shqipëri, i publikuar një ditë më parë, por dhe akuzat që opozita ka adresuar ndaj tij.

Duke analizuar shifrat e 3 viteve të fundit të punës së policisë kundër drogës krahasuar me kohën para vitit 2013, Tahiri theksoi se si ministër nuk ka vënë epitetet ‘kolumbian’ ndaj asnjë qytetari të Shqipërisë, sikundër ka bërë PD.

Sipas Tahirit, gënjeshtrat e 20 viteve nga politika ishin shkaku që shqiptarëve iu trashëgua varfëria, dhe që kjo e fundit sprovon fshatarin deri në mbjelljen e kanabisit.
 “Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i çon te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërinë. Madje mendoj se trafikantët e vërtetë për t'u gjykuar, janë ata që kanë qenë në qeveri e pushtet, e që në 20 vitet e shkuara, kanë gënjyer shqiptarët vazhdimisht, duke u fryrë vetë e duke përfituar nga varfëria që mbillnin në shtëpiat tona”.

Ministri u shpreh se shifrat e Guardia di Finanza-s folën qartë dhe akuzoi opozitën e segmente te medias, qe së bashku me ‘disa lajme me burime të prokurorisë’, vazhdojnë të hedhin baltë dhe të shpifin ndaj punës së Policisë.

"Vetëm 48 orët e fundit, kam dëgjuar shpifje nga ato që të lënë me gojë hapur. 
"24 kilogram drogë", opozita, segmente të medias, dhe ca “lajme me burime të prokurorisë” i bënë 24 ton. E kur arrijnë të shpifin me tre zero nga pas, sa 24 kile ti bëjnë 24 ton, kuptoj edhe nga dolën 10 mijë tonët e Lulzim Bashës dje
".

Tahiri tha se sfida e tij si ministër dhe e qeverisë ku bën pjesë, është të luftojë fenomenin e drogës, deri në fund.
Shqiptarëve u kemi një borxh të madh, të trashëguar nga qeveritë e kaluara, por që ne duhet ta shlyejmë duke i shërbyer ditë-natë, më shumë e më mirë sesa kemi bërë deri më sot”.

Ndaj beteja jonë nuk u mbyll dje, por vazhdon me më shumë forcë. Kjo është vetëm puna jonë, dhe është kjo arsyeja që me përuljen më të madhe për çdo qytetar, do bëjmë maksimumin për ti shërbyer një beteje që bashkë me shqiptarët, do e fitojmë pa diskutim”.

FJALA E PLOTE
Dje pamë vetëm pasqyrën e një lufte, sa të pashembullt aq edhe të pabarabartë, të Policisë së Shtetit, partnerëve të saj, më së pari Policia Italiane dhe Guardia di Finanza, kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri. 

Shifrat e partnerëve janë aty, për të gjithë, të qarta e kokëfortë. 

Shqipëria e 2016 ka kultivuar 30% më pak kanabis se Shqipëria e 2013, ndërkohë që Policia sot, për të tretin vit rradhazi shkatërron mbi 99% të hapësirës së identifikuar, përkundër vitit 2013 kur policia shkatërronte vetëm 7%. 

Pasqyrë që tregon qartë rritjen e kapacitetit tonë për të identifikuar, asgjesuar, e çuar para drejtësisë të gjithë ata që identifikohen si përgjegjës. 

Përkundër baltës së përditshme, e për kë ka arsye të shëndosh, të identifikosh më shumë e të shkatërrrosh më shumë, është pa asnjë dyshim sukses. I tillë regjistrohet në të gjithë botën, siç e dëgjuat dje edhe nga koloneli i GdF, e ne nuk mund të bëjmë dallim.

Për të tretin vit rradhazi, kjo është një betejë në çdo cep të Shqipërisë. 

Betejë tërësisht e pabarabartë, por tërësisht e mundur për ta fituar, përfundimisht. 

Nuk di në jam i pari që e them, por di që duhet thënë: 

Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i con te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërin. 
I kuptoj qytetarët në çdo fshat e qytet, që ngasja për të luftuar papunësinë, i con te puna e paligjshme në këtë biznes të paligjshëm. As këta nuk i quaj kolumbian, as i quaj trafikantë, siç bën opozita. Por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar papunësinë. 
Unë i kuptoj të gjithë ata që si rrugë për të luftuar prapambetjen, pabarazinë dhe padrejtësinë në shoqëri dhe ekonomi, kanë ngasje të fitojnë ca para të shpejta nëpërmjet kësaj sipërmarrje të paligjshme.

E kuptoj edhe që gënjeshtrat e politikës në 20 vitet e fundit, kanë shtuar dëshpërimin për cdo bashkëpytetar tonin. 

Madje mendoj se trafikantët e vërtetë për t'u gjykuar, janë ata që kanë qënë në qeveri e pushtet, e që në 20 vitet e shkuara, kanë gënjyer shqiptarët vazhdimisht, duke u fryrë vetë e duke përfituar nga varfëria që mbillnin në shtëpiat tona. 

Askënd nga bashkëqytetarët tanë në çdo cep të Shqipërisë që varfëria, papunësia, padrejtësia e pabarazia e ka gjunjëzuar në 20 vitet e fundit, nuk e quaj dot as kolumbian, as narkotrafikant, siç bën opozita. 

Për mua, për ne, janë thjesht qytetarë të këtij vendi, që ka 1.000 halle mbi shpinë, me nxitimin e madh për të mos pritur më derisa të zgjidhen.

Qytetarë të Shqipërisë, që fisnikërinë duhet ta tregojmë bashkarisht, edhe atëherë kur na duhet që varfërinë e mbjellë në 20 vitet e shkura, të mos e luftojmë duke mbjellë ekonominë e paligjshme të kanabisit. 

Por nga ana tjetër, nuk kuptoj kurrë shfrytëzuesit, ata që përfitojnë më shumë nga ky biznes, ata që e trafikojnë e që ua shesin fëmijëve në rrugët e shkollat e Shqipërisë dhe të botës. 

Ata janë armiqtë tanë të përbashkët. Sot edhe nesër. 

Ashtu siç nuk kuptoj as intelektualin, politikanin, gazetarin apo këdo që mendja e mbrapshtë e këtyre kohëve i ka ka çuar edhe ata në ngasjen për ti rënë bilbilit të legalizimit, duke e bërë më të lehtë nxitjen e qytetarëve nëpër Shqipëri për të menduar se zgjidhja për varfërinë, papunësinë, padrejtësinë e pabarazinë vjen nëpërmjet kësaj ekonomie të paligjshme. 

Unë sot jam Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kryeministrit Rama. Për mua është angazhimi i jetës, ashtu siç është për kolegët e mi në qeveri, në Parlament, e për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste dhe mazhorancës. 

Jemi qeveria që kemi ndërmarrë reforma që deri dje as nuk mendoheshin. 

Jo sepse askush nuk ka pasur mënd, por sepse askush nuk ka pasur kurajo të bëj atë që duhet për vendin, qoftë edhe me koston e votave të vështira. 
Për cilindo më parë, ka qënë më e kollajtë varfëria, se blihej më lehtë për zgjedhje. Papunësia, se gënjehej më lehtë për vota. 

Rrënimi ka qënë më i kollajtë, për ti mbajtur qytetarët në errësirën e zhvillimit, ku zgjedhjet bliheshin e vidheshin më lehtë. 
Ky është kryeministri i parë, kjo është qeveria e parë, anëtarët e PS, parlament e në çdo cep të Shqipërisë, koalicioni i tëri, po shkruan për herë të parë një kapitull të ri, ku problemet përballen pa i fshehur, dhe zgjidhen pa gënjeshtra. 

Po, e pranoj i pari, e kemi një problem me kultivimin e kanabisit në vend. Ndonëse shumë më të vogël se kur qeveriste qeveria e kaluar, siç konfirmuan partnerët ndërkombëtarë, por është përsëri një problem që duhet zgjidhur. E duhet ta zgjidhim bashkë me çdo qytetar.

E në qoftë se në të kaluarën kishim një problem më të madh për të cilin askush nuk lëvizte as gishtin për ta zgjidhur, sot kemi një problem, ndonëse më të vogël, të cilin ne po e përballim, me transparencë, për ta zgjidhur në mënyrë definitive, së bashku me luftën kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër pabarazisë dhe padrejtësisë që Shqipërisë ia ulën kokën në 20 vitet e kaluara. 

Nuk ka pasur ditë të vitit që mbi mua, mbi Kryeministrin, qeverinë e akoma më keq, mbi vetë Policinë e Shtetit, nuk janë hedhur shpifje nga më absurdet.
"Shqipëria është Kolumbi e shqiptarët kolumbian", thoshte një syresh e opozitës, e ç’syresh, sot në një Kongres ndërkombëtar të grave të partisë, duke harruar se këtë baltë po e merr Shqipëria dhe shqiptarët. 

Vetëm 48 orët e fundit, kam dëgjuar shpifje nga ato që të lënë me gojë hapur. 

"24 kilogram drogë", opozita, segmente të medias, dhe ca “lajme me burime të prokurorisë” i bënë 24 ton. E kur arrijnë të shpifin me tre zero nga pas, sa 24 kile ti bëjnë 24 ton, kuptoj edhe nga dolën 10 mijë tonët e Lulzim Bashës dje.

Po dje, PD për dy të arrestuar të Policisë, doli dhe akuzoi deputetin Xhemal Qefalia si të lidhur me drogën, dhe pse e vetmja gjë që lidhte deputetin e PS me drogën, ishte rastësia e mbiemrit të njëjtë me të arrestuarit. 

Kjo është njëlloj sikur Sali Berisha dhe Lulzim Basha të presin urime zyrtare në selinë e PD pse pret Etrit Berisha dhe shënon Migjen Basha. 

Për të mos folur për postimin e fundit të Sali Berishës në FB, ku foton që ia vodhi aktorit të Portokallisë, Bes Kallaku, e nxorri si drogën e Saimir Tahirit.

Qeveria e djeshme, opozita e sotme, është në të drejtën e saj të zgjedhë rrugën që do. Por duhet ta vendosë, ose me Policinë e Shtetit, ose me krimin. 
Deri më sot kanë zgjedhur të përbaltin policinë, shqiptarët dhe Shqipërinë, deri dhe duke i quajtur kolumbian e narkotrafikantë. 

Ne kemi zgjedhur të përballemi me të shkuarën që trashëguam, ti flasim hapur qytetarëve për problemet që kemi, të shohim në sy varfërinë, papunësinë, padrejtësinë e pabarazinë që kanë mbjellë qeveritë e së shkuarës për 20 vjet, e ti zgjidhim bashkë me shqiptarët, jo duke mbjellë paligjshmëri, por duke ndërtuar një të ardhme më të begatë për fëmijët tanë nesër. 

Nuk e harroj 24 majin e vitit 2010 kur Lulzim Basha, asokohe Ministër i Brendshëm, falenderonte Dasho Alikon, kryetarin e Komunës Lazarat dhe lazaratësit që i kishte mbledhur Dasho, për kontributin e tyre në luftën kundër kanabisit. Dhe pse Lazarati ishte turpi botëror i Shqipërisë.

Unë nuk kam kaq shumë kurajo të tallem kaq keq me detyrën e as të tallem me shqiptarët, sa ç’ka bërë ky ish-Ministër i Brendshëm, më i dështuari në luftën kundër drogës e në çdo punë tjetër në këtë ministri, e sa ç’bën sot, po njëlloj, me tallje të përditshme. 

Unë zgjedh të falenderoj çdo grua e çdo burrë, të rinj e të reja, që shërbejnë në Policinë e Shtetit me sakrificë e vetmohim të pashembullt. 

Askush nuk i di vështirësitë tuaja, e është deri diku normale, të kujtohemi për to, kur ndonjë nga kolegët është në vështirësi, apo më keq akoma, luftën e pabarabartë me krimin e paguan me shëndetin e jetën e tij. 

Por dua sinqerisht të falenderoj çdo punonjës policie, për gjithçka keni bërë në çdo cep të vendit kundër kultivimit të kanabisit, e për gjithcka keni bërë në luftën kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe krimit. 

Sot Shqipëria është më e sigurt,  sot qytetarët shërbehen më mirë nga policia, sot policia është në këmbë e gjitha në detyrë. 
Por nuk mjafton! Nuk mjafton, ndaj kemi shumë për të bërë. 
Shqiptarëve i kemi një borxh të madh, të trashëguar nga qeveritë e kaluara, por që ne duhet ta shlyejmë duke i shërbyer ditë-natë, më shumë e më mirë sesa kemi bërë deri më sot. 

E kam besim se të rinjtë e të rejat në Polici, janë shembulli më i mirë për Policinë që duam, për Shqipërinë që duam, për gjeneratën e së ardhmes. 
Sigurisht ka jo pak në Polici që kanë rënë në grackën e paligjshmërisë, duke mbyllur sytë, duke bashkëpunuar e duke favorizuar ata që shkelin ligjin. 
Luftën kryesore e kemi me cilindo prej punonjësve të policisë, që shkel ligjin. Pasuria juaj me e vyer nuk është kolegu që shkel ligjin, por qytetari që pret integritet, shërbim dhe besim në Policinë e Shtetit.

Ndaj beteja jonë nuk u mbyll dje, por vazhdon me më shumë forcë, ndaj atyre që brenda Policisë nuk duhet të jenë më, e ndaj atyre që nuk mundet dot kurrë mbi varfërinë, papunësinë, pabarazinë e padrejtësinë që na la e kaluara, të ndërtojnë paligjshmëri më shumë.
Kjo është vetëm puna jonë, dhe është kjo arsyeja që me përuljen më të madhe për çdo qytetar, do bëjmë maksimumin për ti shërbyer një beteje që bashkë me shqiptarët, do e fitojmë pa diskutim.  
Faleminderit!

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!