TIRANË, 10 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka falenderuar të gjithë mbështetesit e panumërt që në mënyra të ndryshme janë solidarizuar me familjen e tij.
"Mirënjohje dhe falenderimet me të ngrohta për mesazhet e panumërta të solidaritetit që kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në telefonin tim apo te familjes sime. Të gjithë atyre që kanë pasur mirësinë të me shkruajne dhe të gjithë shqiptarëve që më kanë dhënë privilegjin t'u shërbej në këtë detyrë të vështirë, të cilet i ndjej dhe i shoh çdo ditë në krahun e ligjit dhe të Policisë së Shtetit, u them sot se do të vazhdoj t'jua shpërblej mbështetjen tuaj të pakursyer duke vazhduar të bëj detyren ndaj jush", shkruan Tahiri.
Ministri Tahiri sjell në mënyrë të beftë e të trishtë sulmin që krimi bëri ndaj familjes së tij, duke vijuar se "sigurisht që nuk është e lehtë të shohësh familjen tënde të sulmuar për shkak të detyrës qe ti bën, por dua të me besoni se kjo e bën edhe me të fortë ndjenjen e kësaj detyre kaq me rëndësi për sigurinë dhe qetësinë e çdo familjeje apo individi që jeton ne vendin tënd. Kushdo qoftë urdhëruesi dhe përçuesi i mesazhit që përcjell ky akt terrorist ndaj familjes sime, duhet ta dëgjoje sot po kaq qartë e fortë mesazhin tim: Gjithçka që është në fuqine time ia kam vënë dhe do t'ia vë në dispozicion fitoreve të betejave të vazhdueshme me krimin e me njerëzit e krimit".
"Asgjë dhe askush, me asnjë formë presioni apo terrori të çfaredo natyre, nuk do të më ndalë në këtë rrugë të përcaktuar nga populli shqiptar në 23 qershor, nga shumica parlamentare e këtij vendi dhe kryeministri e qeveria ku kam kam nderin e përgjegjësinë të bëj pjesë. Perkundrazi, lufta me krimin do të vazhdojë të përshkallëzohet sipas projektit tonë për ndërtimin e një rruge të re për Shqipërine, permes një shteti që nuk është me peng në duart e të forteve që deri dje bënin ligjin dhe një policie që eshte rikthyer në krye të detyrës për t'u ngritur përdite në lartësine e aspiratave te popullit shqiptar. Faleminderit të gjithëve!", mbyll postimin ministri Tahiri. /a.ke/