- Ministrja Tahiri po qëndron në Bruksel-
PRISHTINË, 26 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Me ftesë të Bashkimit Evropian, ministrja për Dialogun e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, po qëndron në Bruksel ku dje ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të angazhuar në dialogun e Brukselit . Temë qendrore e bisedimeve ka qenë vlerësimi i arritjeve të deritanishme, si dhe përcaktimi i prioriteteve për mbarëvajtjen e dialogut të Brukselit për fazën vijuese.
Në takim janë diskutuar arritjet dhe sfidat e këtij procesi, si dhe u shpreh përkushtimi i përbashkët për të shpejtuar procesin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit. Është vlerësuar rëndësia e vazhdimit të dialogut sidomos duke marrë parasysh situatën e re pas arritjes së marrëveshjes për drejtësi mes të dy kryeministrave të shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, thekson njoftimi i burimeve zyrtare të qeverisë kosovare dërguar sot nga Brukseli.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri me këtë rast ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se zbatimi i i marrëveshjeve të dialogut është çështje prioritare duke potencuar se marrëveshja e arritur në drejtësi është një rifillim i mbarë për dialogun, mirëpo zbatimi i saj duhet të jetë i shpejtë dhe të mos lejohen zvarritjet kronike që Serbia i bën këtij procesi. Ajo po ashtu ka kërkuar që të shpejtohet procesi i shuarjes së strukturës së ashtuquajtur "mbrojtje civile", ndërkohë që ka siguruar se plani për integrimin e ish pjestarëve të kësaj strukture në institucionet civile të Kosovës është i gatshëm nga Qeveria e Kosovës.
Ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të mos e vonojë më tej heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit në Mitrovicë dhe të tjerave, sepse kjo çështje është në kompetencat e BE-së, në bazë të marrëveshjes.
Ministrja Tahiri kërkoi në mënyrë të veçantë shuarjen e gjithë strukturave komunale paralele nga ana e Serbisë duke i paraqitur BE-së zhvillimet e fundit në këtë fushë. Ajo ka theksuar se funksionalizimi i strukturave legale komunale në veri të Kosovës po pengohet nga ndërhyrjet e  Serbisë ku në veçanti ka potencuar se nëse komunat veriore nuk i miratojnë buxhetet legale do të ballafaqohen me pasoja juridike dhe bllokim të buxhetit.
Ajo po ashtu ka kërkuar angazhimin e BE-së për zbatimin e shpejtë dhe efektiv të gjitha marrëveshjeve përfshirë telekomin, energjinë, etj.
Delegacioni i BE-së ishte i përbërë nga Anna-Maria Boura, Alexis Hupin, Nicholas Cendrowicz dhe Maria Cicconi.
Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga ministrja Edita Tahiri, Gazmir Raci dhe Elona Cecelia këshilltarë politikë të ministres dhe Valon Murtezaj, këshilltar politik i kryeministrit Isa Mustafa./k.s/