TIRANË, 4 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, kanë inspektuar në mesditë rezervuarin e Mankurisë, në Komunën Golem të Kavajës.
Ky rezervuar për shkak të reshjeve të shumta është tejmbushur me ujë dhe për pasojë diga e tij ka pësuar një dëmtim duke rrezikuar çarjen dhe përmbytjen e zonave përreth.
Autoritetet kanë ndërhyrë për të hequr ujin me anë të pompave. Ministri Tahiri tha se parësorë është shmangia e përmbytjeve, dëmeve dhe humbjeve të jetëve njerëzore. Ai shtoi se do të ketë një hetim të plotë për të gjitha ndërhyrjet në digën e rezervuarit.
"Për ne prioriteti absolut është të shpëtojmë jetët e njerëzve, ndaj kanë filluar që dje të gjitha autoritetet shtetërore nën drejtimin e Prefektit të Tiranës dhe Shtabit të Emergjencës për njoftimin e banorëve në zonë lidhur me rrezikun potencial që ekziston për këtë situatë. Dua duhet ta shfrytëzoj këtë rast për t'i kërkuar mirëkuptim banorëve që së bashku me autoritetet të përballemi me pasojat eventuale që mund të vijnë në rast se ndodhin dëme shumë më të mëdha se këto që janë, qoftë duke pranuar evakuimin, qoftë duke mos u kthyer në zonat që kanë problem ose risk potencial për probleme të mëdha", theksoi ministri Tahiri.
"Ashtu sic e tha kolegu Haxhinasto, sumë shpejt policia do të nisi hetimi lidhur me dëmet që mund t'i kenë ndodhur kësaj strukture për efekt të ndërhyrjeve të gabuara. Hetimi do të përfshijë si projektimin, ashtu edhe implementimin e projektit, sepse për ne është shumë e rëndësishme që të dallojmë nga njëra ana përpjekjen tonë për të përballuar fatkeqësitë natyrore, por nga ana tjetër, për të parandaluar në të ardhmen përsëritjen e tyre, për më tepër, kur këto ndodhin nga dora e njeriut", vuri ai ne dukje. /a.ke/






