Tahiri: PD kërkon të eklipsojë punën
e qeverisë për të mbuluar gabimet e saj

Tahiri: PD kërkon të eklipsojë punën<br />e qeverisë për të mbuluar gabimet e saj
TIRANE - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka reaguar sot në seancën parlamentare në lidhje më akuzat që ka bërë opozita për shkallën e krimit që ka përfshirë vendin. Në fjalën e tij veç të tjerash ministri tha se ka një bashkëpunim mjaft të ngushte mes policisë së shtetit dhe ndërkombëtarëve. Po ashtu ministri tha se nuk do të lejojë opozita të ekslipsojë operacionet e suksesshme të ministrisë dhe të policisë në luftën kundër krimit dhe drogës me qëllim që të heqë përgjegjësitë nga ato që shkaktoi vetë.
 
“Të nderuar deputetë. Unë besoj është momenti t’i marr kohë, fare pak këtij parlamenti, për një sqarim të detyrueshëm, për ju, me gjithë respektin dhe mbi të gjitha për qytetarët. Siç është bërë gjerësisht e ditur tashmë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, mbyllën me sukses një hetim disa mujor, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ku si rezultat, janë arrestuar 11 shtetas dhe është në kërkim 1 tjetër. Si dhe gjithashtu është sekuestruar një laborator për prodhimin e më pas trafikimin e kokainës si dhe një sasi e madhe e konsiderueshme kokaine. Është një hetim mjaft i rëndësishëm, mjaft i suksesshëm me rezultate mjaft pozitive, për ne dhe partnerët, ndaj dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast, që besoj, edhe në emrin tuaj, të falënderoj çdo punonjës policie që ka marrë pjesë në drejtimin, koordinimin, hetimin dhe finalizimin e tij, së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. T’i falenderoj për profesionalizmin, përkushtimin, integritetin, aftësinë e treguar në çdo hap të këtij hetimi, ashtu siç dua të falënderoj, besoj edhe në emrin tuaj, prokurorët dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët sot besojnë plotësisht tek Policia e Shtetit. 
Pas Lazaratit, pas Dukagjinit, pas shkuljes së çdo rrënje kanabis që na u la për peshqesh, ky është operacioni më i rëndësishëm kundër drogës, që tregon më së miri se jemi në rrugën e duhur për ta bërë Policinë e Shtetit shërbyese të denjë të qytetarëve të ndershëm në këtë vend, por edhe partnere të denjë të policive dhe agjencive ligjzbatuese të BE-së. Deri dje droga ishte aty, edhe në Lazarat, edhe në Dukagjin, në çdo cep të Shqipërisë, edhe në Elbasan po të doni, në të gjitha rastet aty ka qenë. Shqiptarët janë dëshmitarë. Por nuk ka qenë atje Policia e Shtetit për të bërë detyrën që i takonte me ligj, përballë qytetarëve, së bashku me prokurorinë dhe me partnerët ndërkombëtarë. Sot është ndryshe. Dhe kjo është arsyeja pse rezultatet flasin vetë, madje flasin shumë më fort sesa çdo deklaratë politike, të të gjithë atyre që në të gjitha rastet përpiqen të relativizojnë në çdo mënyrë rezultatet e deritanishme. 


Do të vazhdojmë me të njëjtin intensitet pune në luftën kundër krimit
Hetimet po vijojnë bashkë me partnerët, dhe ecuria e deritanishme lë vend plotësisht të besosh që do ecin në rrugë të mbarë. 
Por unë nuk kuptoj se ç’punë ka politika që fut hundën në luftën mes policisë dhe krimit, me lloj lloj komentesh, insinuatash, baltosje e akuza nga më të pamendueshmet, këtë sinqerisht nuk e kuptoj. 

Se pse duhet të futen deklaratat e përditshme politike në mes të luftës së institucioneve të policisë, të prokurorisë, të bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe botës së krimit, unë përsëri këtë nuk e kuptoj! 

Siç nuk e kam kuptuar kurrë, dhe besoj bashkë me mua shumica dërrmuese e qytetarëve se kur luftohej në Lazarat kundër drogës, se si po këta që akuzojnë sot, në ato ditë lufte të vërtetë ndërmjet shtetit, institucioneve, policisë dhe botës së krimit, që në Lazarat kishte ndërtuar një perandori, punonjësit e policisë që luftonin u quajtën "banda plaçkitësish", ndërsa ata që qëllonin me armë policinë, u quajtën "viktima të shtetit policor".


Tahiri: PD përpiqet çdo ditë që të relativizojë suksesin tonë 
Ka përpjekje të imagjinueshme, me deklarata të përditshme politike, media shërbëtore të politikës dhe mediokritetit, që përpiqen me çdo kusht ose ta relativizojnë suksesin tonë të përbashkët, ose edhe atëherë kur e pranojnë, të gjendet patjetër një xhep për të thënë se suksesi është i të gjithëve, por jo i Policisë!
Kjo është politikë mediokre, më së paku, dashakeqe dhe e pashpresë. 

Sepse askush nga ne kurrë në ndonjë deklaratë të vetme politike nuk ka shfaqur asnjë ndjenjë të vetme pronësie për sukseset e Policisë së Shtetit! Madje përkundrazi, kemi thënë që janë të përbashkëta, tonat, të institucioneve, të parlamentit, të qytetarëve të ndershëm në këtë vend, në përgjithësi.
Nga ana tjetër, ne jemi krenarë sigurisht që partnerët ndërkombëtarë besojnë sot Policinë e Shtetit dhe e quajnë të denjë për të ndarë informacion dhe për t’i besuar hetime të përbashkëta që rezultojnë me sukses.

Sepse sot kriminaliteti nuk taksohet si dje, nuk shitet informacioni, nuk dekonspirohen hetimet, siç ndodhnin dje, kur krimi, bota e krimit dhe kupola drejtuese e Policisë, uleshin në një tavolinë, në të njëjtat gosti dhe pastaj shkëmbenin qokat reciproke 
Po sigurisht, askush s’e ka mohuar, është operacion ndërkombëtar, sepse krimi është i tillë, ndërkombëtar. Por kjo nuk mund të jetë akuzë për askënd nga ne. Përkundrazi kjo është medalje për Policinë e Shtetit!

Edhe Lazarati madje u bë me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve, përfshirë deri edhe fotografimin ajror për të parë ku ishin ekzaktësisht parcelat e drogës. 
Po pikërisht ky është edhe dallimi!

Sepse këtë bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë e kishit dhe ju, kur ishit në qeveri, por drogën aty e gjetëm!


Redaksia online
(F.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta,  Policia tenton të shpërndajë protestuesit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta, Policia tenton të shpërndajë protestuesit