/ATSH/.- Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i cilësoi sot gënjeshtra, deklarimet e Marko Gjuriq, drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për ndërprerjen e njëanshme të dialogut.
Ajo ka thënë për KosovaPress se, Serbia duhet një ditë t'i ndalojë përpjekjet që të flasë në emër të Kosovës, aq më tepër të dezinformoj në këtë adresë.
"Kosova në dialogun e Brukselit është dëshmuar për seriozitetin dhe përkushtimin e saj. Takimet që do të mbahen gjatë muajit maj, ne i kemi konfirmuar prej kohësh. Te hënën do të ketë takim për energjinë. Pastaj, me datën 20 maj, do të ketë takim për sigurimin e automjeteve, ku marrëveshja deri më tani është bllokuar nga ana e Serbisë. Më datën 18 maj do të kemi takim për çështjet e telekomit. Më datën 21 maj do të diskutohet për IBM-in", tha Tahiri.
I gjithë muaji maj, sipas saj, do të jetë me takime. "Arsyeja se takimet janë përqendruar më tepër në këtë muaj është se pikërisht Serbia ka refuzuar që të marrë pjesë në këto takime. Ndërsa, tashmë ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë. Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen në të gjitha këto takime", tha Tahiri.
Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në kuadër të qeverisës serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se Prishtina zyrtare ka vendosur të anulojë negociatat e planifikuara paraprake rreth Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.