TIRANE- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një deklaratë për mediat ka sqaruar ngjarjen, duke theksuar se avioni ka bërë ulje në plazhin e Divjakës në orën 14:40, dhe se forcat e policisë të mbërritura në vendngjarje kanë konstatuar se avioni ka qenë bosh. Por sipas ministrit, pas rrethimit të zonës nga forcat e policisë është gjetur aty pranë një makinë tip Fuoristradë me targa AA794EU, me 460 kilogramë kanabis.
 
Drejtuesi i makinës ndërkaq, tentoi të arratisej, por sipas ministrit Tahiri ai u kap nga forcat e policisë në pyllin e Divjakës. Drejtuesi i mjetit që transportonte drogën është shtetasi Saimir Bajrami 35 vjeç, i cili prej dy ditësh ishte kthyer në Shqipëri, pasi jetonte në Itali.
 
Në momentin e arrestimit, 35-vjeçarit i janë gjetur 27 mijë euro.
 
Piloti dhe drejtuesi i mjetit janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërsa policia po heton për të zbuluar nëse ka pasur një bashkëpunim mes tyre për trafik droge.
 
Piloti pretendon se kjo është hera e parë që ndodhet në Shqipëri, dhe se avioni kishte pësuar një defekt teknik, gjë që solli uljen në bregdetin e Divjakës. Gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtim të rrotës dhe të helikës.

Ndërsa piloti kishte marrë leje nga Avioni Civil për të fluturuar në hapësirën ajrore shqiptare, duke u nisur ditën e sotme në orën 13:26 nga aeroporti i Rinasit për të fluturuar drejt Italisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)