PRISHTINË - Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim një grup studentësh nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Beogradi, të cilët po vizitojnë këto ditë Kosovën.
Sipas KosovaPress, gjatë këtij takimi Tahiri foli për vizionin euroatlantik të Kosovës, duke thënë se jemi të përkushtuar që ta zhvillojmë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, sipas vlerave demokratike dhe euroatlantike.
"Qëllimi jonë strategjik është që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s, BE-së, OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke zbatuar reforma të gjithanshme në interes të të gjithë qytetarëve. Shteti i pavarur i Kosovës është dëshmuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ne presim nga Serbia që të rreshtohet me vendet e rajonit për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe realitetet e reja në rajon me lindjen e shtatë shteteve të reja nga zhbërja e ish-Jugosllavisë. Ballkani mund të jetë paqësor dhe stabël vetëm mes shteteve dhe kombeve të barabarta, që njohin dhe pranojnë njëra-tjetrën dhe punojnë për reforma dhe integrime evropiane. Në këtë frymë zhvillohet edhe dialogu i Brukselit, mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane", tha ajo.
Në fund, ministrja Tahiri iu është përgjigjur pyetjeve të këtyre studentëve që kishin për interesim zhvillimet e përgjithshme në shtetin e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit./ATSH/