/ATSH-AFP/ - Lutje, lot dhe homazhe u zhvilluan sot para varreve të përbashkëta pas një prej katastrofave më të rënda natyrore në historinë e njerëzimit. Në Azi mijëra persona bënë homazhe për 220 000 të vdekurit nga cunami që goditi 10 vjet më parë, 14 vende të oqeanit Indian.

Më 26 dhjetor, një tërmet me magnitudë 9,3 ballë Rihter, më i madhi në planet që prej vitit 1960, goditi brigjet e ishullit indonezian të Sumatras duke shkaktuar dallgë gjigante në brigjet e vendeve të Azisë të tilla si në Sri Lanka dhe Tajlandë dhe deri në Afrikë.

Mes personave që humbën jetën ndodheshin mijëra turistë të huaj, të cilët kishin përfituar nga festat për të kaluar pushimet e fundvitit në plazhet e rajonit.
Pjesa më e madhe e tyre humbën jetë në brigjet jugore të Tajlandës, 5 300 të vdekur në këtë vend, pjesa më e madhe të huaj.
Dhe për këtë 10-vjetor, kanë qenë të shumtë ata që janë kthyer në vendet e katastrofës, veçanërisht në Khao Lak.