Të premten mbërrijnë në Prishtinë dy diplomatët e lartë të BE-së dhe Amerikës, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar. Në fokous të takimit të tyre me autoritetet në Prishtinë pritet të jenë përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçuçit.
Amerikanët dhe evropianët po i japin shtysë të re dialogut për të shkuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare që ka në qendër njohjen reciproke. Në themel të dialogut në Bruksel është plani franko – gjerman, i cili mbështetet edhe nga amerikanët.
Mediet në Prishtinë shkruajnë se gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë krahas organizimit të takimit Kurti – Vuçiç për arritjen e marrëveshjes për këtë propozim.
Synimi i Brukselit është që takimi Kurti-Vuçiq të bëhet para fundit të janarit. Ndërkohë, një problem i shfaqur në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit është fushata serbe kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare që ka nisur në 2017-ën. Diplomatët kosovarë kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës, shkruajnë mediet në Prishtinë.
Diplomatët e Kosovës janë takuar me homologë të ndryshëm të vendeve që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen, duke nxjerrë në pah se Beogradi më shumë bën propagandë se ka tërheqje të njohjeve të pavarësisë. Sipas ekspertëve të fushës të së drejtës ndërkombëtare nuk mund të tërhiqen njohjet.